Në Amerikë duan ta mbulojnë me para, Ibra sqaron të ardhmen

47

Zlatan Ibrahimovic është duke u menduar për të ardhmen, e cila duhet vendosur sa më shpejt. Edhe pse në moshën 37 vjeç, suedezi ka ende energji në trupin e tij. Aventura me Los Angelos Galaxy, edhe pse jo zyrtarisht, mund të konsiderohet e mbyllur, të paktën nga ajo që shkruajnë mediet europiane.
Ndryshe flitet përtej Oqeanit, ku presidenti i LA Galaxy, Chris Klein, sqaroi: “Prioriteti ynë është të mbajmë Zlatanin, jemi duke folur me të për ta bërë më të mundur. Ekziston një kontratë edhe për vitin tjetër, duam të fitojmë me të sepse Ibra është një fitues. Eshtë e mundur që të bëhet lojtari me rrogën më të lartë”. Kujtojmë që në MLS ekziston një rregull që klubet nuk mund të kalojnë tavanin e paravendosur të rrogave, me përjashtim të një futbollisti.
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe vetë i interesuari. Ibrahimovic, që ndodhet në Suedi ku ka promovuar librin e tij “Unë jam futbolli”, foli mbi këtë çështje: “Nuk do të shkoj në huazim, nuk kam nevojë, kjo është e sigurtë. Nëse zgjedh një skuadër do të impenjohem vetëm për atë. Tani jam në Amerikë, të shohim se çfarë do të ndodhë.
Galaxy kanë këtë dëshirë, unë kam timen dhe klubi e njeh. E dinë që kam marrë disa oferta, e dinë atë që kërkoj. Mendoj pozitivisht. Nuk jam i shqetësuar”.
Prej muajsh flitet për një rikthim të Zlatanit në Milano, te kuqezinjtë. Leonardo po negocion me agjentin Raiola prej disa kohësh, teksa suedezi ka dhënë “ok” për të veshur fanellën e një skuadre që ka dashur gjithmonë dhe nga e cila kurrë nuk do të largohej.