Modeli ekonomik i rilindjes, i dështuar!

91

Jorida TABAKU

Çfarë ka ndodhur në këto pesë vitet e fundit nuk përbën habi as për ne, as për ekspertët e ekonomisë. Në këto pesë vite nuk ka pasur asnjë vizion ekonomik dhe asnjë model ekonomik përpos uzurpimit dhe shfrytëzimit të burimeve në interes të një grushti njerëzish.
Në këto pesë vite në Shqipëri ka pasur rritje taksash prej pothuajse 5 miliardë euro dhe kjo ka rënduar mbi shtresën e mesme dhe shtresën më të varfër. Nga politikat e papërgjegjshme fiskale sot 90% e shqiptarëve paguajnë ngarkesën më të lartë të taksave të rritura. Mungon mobiliteti social, ka një pabarazi më të lartë.
Në fushën e biznesit, favorizimet fiskale për një numër të vogël biznesesh janë përkthyer në një treg të kontrolluar nga shumë pak kompani. Një treg monopolesh apo oligopolesh ndërsa ka një mungesë të theksuar konkurrence në ekonomi, rreth 45 biznese në ditë janë mbyllur nga janari 2014 deri më sot.
Parlamenti funksionon si noter i ligjeve me emra biznesesh që sjell qeveria. Tenderat, koncesionet dhe PPP-të u shkojnë vetëm një grupi njerëzish, ligji i Investimeve Strategjike është shkruar për interesat e ngushta klienteliste pasi asnjë investitor i huaj i rëndësishëm nuk ka ardhur në Shqipëri. Investimet e Huaja mbahen nga dy investime serioze dhe të fuqishme që janë mundësuar nga qeverisja e PD, siç u përmend dhe këtu nga zoti Basha.
Janë larguar partnerë strategjikë dhe janë afruar partnerë qe sigurisht nuk i bëjnë keq ekonomisë por që nuk mund të jenë kurrsesi strategjikë. Është e palogjikshme që të zëvendësohen partnerë strategjikë si Gjermania, SHBA nga biznese të vendeve që nuk janë partnerët tonë strategjikë.
Përse janë larguar partnerët e vendeve strategjike?
Ka dy arsye kryesore:

E para, përkushtimi i qeverisë për të favorizuar me politika fiskale biznese të caktuara. Për rrjedhojë kemi më pak konsum të popullsisë dhe një vend që nuk ka mendjen të punojë por të ikë nga Shqipëria.
E dyta, armiqësia e qeverisë ndaj bizneseve të huaja dhe risive që ato mund të sjellin. Rregullatorët e shumtë por edhe mos-fokusimi i instancave qeveritare në shërbim të Investimeve të Huaja.
Sot praktikisht kemi një situatë dëshpëruese për investitorët shqiptarë dhe investitorët e huaj seriozë dhe këtë e shprehin të gjitha sondazhet dhe raportet e Dhoma e të Tregtisë duke filluar nga DIHA gjermane e deri të Dhoma Amerikane e Tregtisë ku përmendet së pari korrupsioni i nivelit më të lartë që bëhet sot në Parlament, që bëhet pa frikë dhe me ligje, burokraci dhe të gjitha kanë një emër.
Mënyrën e qeverisjes dhe sistemin që kjo qeveri ka ngritur. Pa u ndryshuar kjo nuk ka asnjë zgjidhje. As për shqiptarët as për investitorët e huaj.
Kjo mungesë konkurrence, kjo rritje dhe thellim i pabarazisë, rritja e taksave për shtresën e mesme dhe shtresën e varfër qe duhej te ishin gjeneratori dhe stimuli kryesor për te krijuar punësimin për t’u mbështetur në politika fiskale ka sjellë në Shqipëri një situatë me të vërtetë shqetësuese.
Të ardhurat në arkën e shtetit bien, qeveria kërkon të ngarkojë me barrë fiskale qytetarin, monopolet dhe oligopolet nuk paguajnë taksat. Buxheti në këtë drejtim nuk sjell asnjë gjë të re dhe nuk sjell asnjë ndryshim. Kështu që ne mendojmë që rikonceptimi i të gjithë modelit ekonomik dhe mënyrën se si ka funksionuar në këto 5 vite do të jetë zgjidhja e vetme.
Kemi arritur në një moment ku nuk ka më mundësi për arnime. Duhet ndërhyrje e drejtë për drejtë në problemin e krijuar në këto pesë vjet. E vetmja rrugë për të shpëtuar vendin është ndërhyrja kirurgjikale e përpiktë për të shpëtuar pjesën më të mirë dhe për ta pastruar nga ajo ç’po ndodh. Ndaj gjithë angazhimet tona si në platformën ekonomike të paraqitur para disa javësh por edhe në amendamente kanë qenë të përqendruar në këtë pikë.

Situata ka nevojë për të ri konceptuar duke filluar me një sistem fiskal që është i bazuat tek taksa e sheshtë, që siguron ekonomi dhe konkurrencë të lirë, dhe që heq monopolet të cilat sot janë duke përqendruar pasurinë në një grup të caktuar njerëzish.
Për herë të parë ndodh në Shqipëri që investitorët e huaj qe po marrin pasuritë publike, janë me aksionerë te panjohur, kompani “Off-shore”. Kemi investitorë të cilët e krijojnë kompaninë enkas për të marrë një tender publik apo një pasuri publike, që nuk ka asnjë eksperiencë në sektor.
Kemi investitorë të cilët sot konkurrojnë, marrin një tender, e shesin atë deri në 1 deri në 10 euro tek investitorë shqiptarë te cilit i ishte caktuar ky tender.
Kjo mungesë dëshire vërehet edhe për Procesin e Berlinit që në të vërtet është një mundësi shumë e mirë për të lidhur të gjithë vendet e rajonit në shumë fusha.
Fatkeqësisht Shqipëria nuk është duke përfituar nga procesi i Berlinit.
Kemi marrë vetëm tre draft-projekte ndërkohë qe fqinjët tanë janë duke përfituar projekte në infrastrukturë.
Qeveria i ka hedhur në koshin e plehrave të gjitha projekt propozimet e gatshme për strategjitë e zhvillimit rrugor që lidhen me akset kryesore, me aeroportet dhe portet. Të gjitha të përgatitura dhe të lëna mbi tavolinën e punës në shtator 2013 kur kryeministri Rama erdhi në pushtet. Sot, qeveria që mund të përfitonte ndoshta më shumë nga Procesi Berlinit, ka marrë asgjë!
Procesi i Berlinit qe do të lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor mes tyre dhe me BE, sot është duke izoluar Shqipërinë.
Ky nuk është faji as i Gjermanisë, as i KE-së, as i partnerëve tanë shumë të rëndësishëm Europian, por kjo është mungesa e vullnetit të qeverisë dhe për t’i vënë një emër, kjo quhet “Korrupsion i nivelit më të lartë”, sepse qeveria po preferon qe këto projekte t’i japë me koncesione, me PPP dhe nuk përfiton nga mundësitë qe përfitojnë partnerët tanë të përhershëm strategjikë.
Ky shqetësim, rritja e korrupsionit në nivelin më të lartë, është pengesa kryesore për ekonominë, është pengesa për investime, zhvillim dhe ndryshimin e jetës së çdo shqiptari.
Dua të falënderoj të gjithë ekspertët e Partisë Demokratike që kanë punuar dhe përditë prodhojnë dokumente, informacione, me burime të kufizuara dhe të manipuluara informacioni, dhe jam e sigurt që nuk do të jetë e largët dita që ju të vini këtu dhe të diskutojmë bashkë se si ta kthejmë në një plan pune programin ekonomik të Partisë Demokratike dhe të hartojmë bashkë mënyrën më të mirë për të dalë nga kjo krizë.