Masakër në Kaliforninë e Jugut, 13 të vrarë në një lokal nate

42

Autoritetet në Kaliforninë e Jugut thonë se një person i armatosur vrau 12 vetë të mërkurën në darkë duke qëlluar në një bar dhe një klub nate.
Sherifi i komunës Ventura, Geoff Dean tha në komentet për gazetarët se polici i parë që kishte mbërritur në skenën e ngjarjes në klubin Borderline Bar & Grill në qytetin Thousand Oaks ishte qëlluar sapo ishte futur për t’u përballur me personin e armatosur.
Ai tha se oficeri Helus, me një karrierë 29 vjeçare në forcat armatosura kishte vdekur më pas në spital.
“I thashë bashkëshortes së tij se ai vdiq pas një akti heroik,” tha sherifi.
Incidenti ka lënë edhe plot të plagosur, por Sherifi Dean tha se numri i saktë ende nuk dihet sepse shumë prej tyre kishin shkuar vetë në spital për mjekim.
“Është një incident i tmerrshëm. Është pjesë e episodeve të tmerrshme që po shohim në këtë vend kudo; kjo e bën të pamundur të analizosh logjikisht akte të tilla të palogjikshme,” tha sherifi.
Hetuesit po bashkëpunojnë me agjentët e FBI-së për të zbuluar identitetin e personit që qëlloi dhe motivet e aktit.
Sherifi Geoff Dean tha se personi që dyshohet si autor i aktit u gjet i vdekur në bar. Ai ishte qëlluar me plumb por nuk është e qartë se nga kush.
Dëshmitarët përshkruanin një skenë kaosi kur filluan të dëgjohen të shtënat dhe klientët në klubin e vallëzimit vrapuan të fshihen e të mbrohen nga goditjet.