Buxheti 2019, 100 milionë USD për oligarkët, rritje taksash me 40 milionë USD

83

Buxheti 2019 nuk projekton zhvillim dhe mirëqenie, por lëmoshë për qytetarët dhe taksim të rëndë për bizneset.
Buxheti pasuron një grusht njerëzish pranë Edi Ramës dhe e parashikon faturën 100 milionë USD për koncesione dhe PPP.
Buxheti 2019 shoqërohet me 40 milionë USD taksa më shumë për shqiptarët dhe me rritje të borxhit publik.
1 në çdo 3 lekë te fituara i paguhen qeverisë si taksë.
Buxheti 2019 nuk parashikon më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve për të përballuar çmimet, taksat dhe tarifat e rritura prej saj.
Buxheti 2019 është i pamëshirshëm me më të varfrit, me më të pamundurit, duke larguar nga skema e ndihmës ekonomike rreth 40 mijë familje.
PD do të bëjë gjithçka që ky të jetë buxheti i fundit i qeverisë së Edi Ramës për ta çliruar ekonominë nga oligarkët dhe klientët banditë të Edi Ramës.
Jorida TABAKU
Buxheti 2019, njësoj si në 4 vitet paraardhës, nuk projekton zhvillim dhe mirëqenie, por lëmoshë për qytetarët dhe taksim të rëndë për bizneset.
Ky është buxheti që pasuron një grusht njerëzish pranë Edi Ramës.
Ky është një buxhet që shoqërohet me 40 milionë USD taksa më shumë për shqiptarët dhe me rritje të borxhit publik, që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ka kaluar 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përfshirë faturën e koncesioneve.
Nga janari 2014, kur Edi Rama bëri buxhetin e tij të parë dhe deri më sot, shqiptarët kanë paguar 5 miliard taksa më shumë, duke bërë që jetesa për ta të jetë më e shtrenjta në Ballkan, ndërsa të ardhurat nga më të ulëtat.
FMN ka llogaritur se taksat zënë 1/3 e të ardhurave për shqiptarët.

Që do të thotë se 1 në 3 lekë që fiton, çdo shqiptar ia jep qeverisë, e cila ka dështuar t’i kthejë ato në shërbime më të mira dhe infrastrukturë më të mirë.
Le të themi disa të vërteta që ky buxhet nuk u jep zgjidhje.
FMN na rendit të fundit në Europë për të ardhurat në familje. Sot të ardhurat e familjeve shqiptare shkojnë për:
• Tarifën e rritur të energjisë elektrike me 24%.
• Tarifën e rritur të arsimit të lartë me 30%.
• Tekstet e rritura shkollore me 7%.
• Çmimin më të lartë të karburantit në rajon me 60%.
A ka parashikuar qeveria rritje të ardhurash për familjet shqiptare të paktën për të përballuar çmimet, taksat dhe tarifat e rritura po nga kjo qeveri?
Përgjigjja është JO!
Buxheti 2019 nuk parashikon më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve.
Sipas të gjitha raporteve serioze vendase dhe ndërkombëtare, bizneset sot në Shqipëri paguajnë taksa të larta në raport me mundësinë e të ardhurave apo xhirove që këto biznese kanë dhe kjo është arsyeja se përse qe 45 biznese mbyllen në ditë.
Ndonëse u morën votën bizneseve me premtimin se do të ulnin taksat, për të gjashtin buxhet me rradhë, kjo qeveri nuk aplikon asnjë politikë lehtësuese fiskale.
Vendosja e TVSH-së mbi biznesin e vogël ka qenë fatale duke rezultuar pikërisht në atë që opozita deklaroi, rritjen e infomalitetit.
Buxheti nuk artikulon asnjë politikë pro biznes e pro investime të huaja. Por sërish fokuson të gjitha energjitë e saj për të zhdukur konkurrencën dhe për të prodhuar vetëm monopole.
Vëmendja është sërish tek klientët e qeverisë.
Asnjë investim, masë apo projekt për hapjen e vendeve të reja të punës.

Përkundrazi, taksa e re mbi bitumin, mund të çojë në mbylljen e vendeve të punës nga kompanitë, duke lënë pa të ardhura mijëra qytetarë që jetojnë vetëm nga kjo industri në zonën e Selenicës në Vlorë.
Buxheti 2019 është buxheti që ul të ardhurat për shumicën dhe I rrit ato për pakicën. Në këtë buxhet është parashikiar një shifër rekord, 100 milion euro, për faturën e konçesioneve dhe PPP-ve korruptive.
Buxheti trajton në mënyrë qesharake dhe përbuzëse arsimin. Qeveria ka vendosur që vitin e ardhshëm t’i japë mësuesve dhe pedagogëve një lëmoshë prej 1 USD në ditë ndërkohë që 135 mijë studentëve të mos I japë asnjë si investim në arsim.
Njëkohësisht buxheti i vitit të ardhshëm formalizon fatkeqësisht mbylljen e 150 shkollave në të gjithë vendin.
Megjithëse fshatarët paguajnë 27 lekë/litër në naftë investimet e qeverisë në Bujqësi janë në ndihmë të atij që do të marrë konçesionin e rradhës.
Ndërkohë që skema e PPP-ve dhe pasurimit personal të kryeministrit, po merr dalëngadalë çdo të ardhur që gjenerohet nga taksat.
Buxheti 2019 është i pamëshirshëm me më të varfrit, me më të pamundurit, duke larguar përfundimisht dhe zyrtarisht nga skema e ndihmës ekonomike rreth 40 mijë familje.
Një vit më parë qeveria premtoi fondin prej 10 mln USD për rritjen e pagave.
Por shqiptarët nuk do ta shohin rritjen derisa të vijnë zgjedhjet, një skemë e dalë boje që dëshmon vullnetin e qeverisë për të përdorur çdo burim për të ndikuar votën.

Pavarësisht retorikës qeveritare, përgjysmohen fondet për shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Për vitin 2019 do të alokohen vetëm 10 mln dollarë, ndërkohë që në buxhetin fillestar të 2018 ky fond ishte dy herë më i lartë.
Me këto ritme do të duhen 3 dekada për të ezauruar faturën financiare ndaj kësaj shtrese të përvuajtur.
Buxheti 2019 është një tjetër fletore detyrimesh dhe koncesionesh me të cilën qeveria kërkon të gënjejë shqiptarët.
Asnjë ulje takse për biznesin e vogël, asnjë ulje takse për të stimuluar punën, asnjë politikë fiskale për të tërhequr investimet e huaja. Asnjë stimul për arsimin profesional, asnjë stimul për të çliruar ekonominë.
Për fat të mirë, shumica e shqiptarëve po kuptojnë se shpresa e vërtetë për taksa më të ulëta, për një klimë më të mirë pro biznes, për të ardhura më të larta vjen vetëm nga oferta e Partisë Demokratike.
Ne mendojmë se taksa e sheshtë, rregullat strikte të borxhit publik si dhe investimet e duhura në infrastrukturë; do t’i japë impulsin e duhur ekonomisë.
Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që ky të jetë buxheti i fundit Edi Ramës për ta çliruar ekonominë nga oligarkët dhe nga klientët që sot po zhvasin buxhetin!