Banka Botërore del hapur kundër Ramës: Po përdor pa kriter koncesionet

155

Banka Botërore ka prezantuar sot Raportin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Në qëndrimet për Shqipërinë Banka vuri në dukje rreziqet që lidhen me kontratat koncensionare me Partneritet Publik Privat (PPP) që ka përdorur së fundmi qeveria.
“Qëndrimi ynë ka qenë në lidhje me përdorimin e propozimit të pa kërkuar me këtë intensitet. PPP është një mënyrë për të ekzekutuar një investim publik. Në mendojmë se përdorimi i propozimeve te pa kërkuara është më i lartë se duhet të jetë. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave që ta përdorim sa më mirë këtë instrument”, tha ekonomistja e BB në Shqipëri Hilda Shijaku.
Banka këshilloi se duhet të shikohet racionalizimi me i mirë i investimeve publike në drejtim të eficencës dhe gjithashtu duhen trajtuar me kujdes rreziqet nga investimet më Partneritet Publik Privat.
Për sa i përket largimit te Bankave nga Shqipëria dhe të ndryshimeve strukturore sistemi bankar mbetet një sektor i qëndrueshëm. Megjithatë autoritet duhet te mbikëqyrin aktorët e rinj dhe të shmangin konfliktet e interesit. Edhe pse ka pasur përmirësim, sistemi bankar është larg potencialit të kreditimit.
Shkalla e rritjes për rajonin e Ballkanit Perëndimor çmohet se është fuqizuar në 3,5% për vitin 2018, sipas këtij Raporti. Perspektiva e rritjes ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitive.

Rritja vjetore e PBB-se për vitin 2018 parashikohet 4%. Prodhimi i Energjisë Elektrikë nga burimet hidrike u dyfishua në gjysmën e parë të vitit 2018. Turizmi po i jep një shtysë të eksporteve të shërbimeve. Ndërkohë që investimet private po ngadalësohen me përfundimin e dy projekteve të mëdha të energjisë te financuara nga investimet e huaja.
Rritja ekonomike është shoqëruar me krijimin e vendeve të punës. Politika monetare ka mbështetur rritjen duke ndjekur krahun lehtësues.
Në vitin 2018 deficiti fiskal i Shqipërisë parashikohet të ruajë nivelin 2% të PBB-së.
Të ardhurat fiskale pritet te rriten me 0.3 për qind të PBB-së. Rritja e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksave kombëtare po kompensojnë arkëtimet më të ulta se parashikimi i të ardhurave nga TVSH-ja.
Borxhi publik pritet që te ulet nga 71.6% në 69.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbiçmimi i kursit të këmbimit pritet te mbajë raportin e borxhit publik ndaj PBB-së ne një nivel pak me të ulët se vitin e kaluar.
Banka vlerëson se, ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë parashikohet te ngadalësohet në rreth 3.5% më 2019-2020.
Varfëria pritet të bjerë me shpejt gjatë dy vitet e ardhshme duke pasur parasysh përformancen e tregut të punës.