AKEP pranon: Kompanitë celulare rritën çmimet, Vodafonë të mos ofrojë paketa të paarsyeshme

166

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përfunduar analizën e tregut të telefonisë celulare, ku ka konstatuar se pas daljes së Plus nga tregu në fund të vitit të kaluar ka pasur një rritje të dominimit të operatorëve të mëdhenj.
Si rrjedhojë, AKEP ka vendosur që të ndërhyje në tarifat e terminimit (të shumicës) të operatorëve ekzistues, duke i ulur ato gradualisht në mënyrë të njëjtë për të gjithë operatorët, duke vijuar në këtë mënyrë me simetrinë midis tre operatorëve celularë, dhe uljen e tyre bazuar në objektivat rregullatorë të parashikuara në nenin 7 të ligjit “Për komunikimet elektronike në RSH” si dhe rekomandimet dhe vendimet përkatëse të Komisionit Europian dhe BEREC-it.
Sipas vendimit të AKEP, tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve (lek/min pa TVSH), nga 1.48 lekë që janë aktualisht, ulet në 1.22 lekë në 1 dhjetor 2018 dhe 1.11 lekë në 1 dhjetor 2019 deri në një vendim të dytë të AKEP. Këto tarifa janë të vlefshme për të tre operatorët ekzistues, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom.
Ndërsa në tregun e pakicës, AKEP ka vendosur të mos ndërhyjë, por ulja e tarifave të shumicës pritet të ndikojë dhe në tarifat finale që do të paguhen nga konsumatori. Ndërhyrja në tregun e shumicës është instrumenti i parë që përdor AKEP dhe në rast se ato nuk funksionojnë mund të ndërhyjë në tregun e pakicës.
Dokumenti, pas daljes së Plus u rrit dominimi
Dokumenti i publikuar nga AKEP përbën versionin final të Analizës së tregut për tregjet me shumicë të akses dhe origjinimit të thirrjeve, terminimi i thirrjeve ndërkombëtare në rrjetet celulare dhe tregut me pakicë të shërbimeve në rrjetet celulare, dhe është përgatitur pas këshillimit publik të dokumentit “Analizë e tregut celular: tregu me shumicë i aksesit dhe origjinimit; tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe tregu me pakicë i shërbimeve celulare – Këshillim publik”.

Sipas raportit, dalja nga tregu e operatorit Plus Communication e ndryshoi strukturën e tregut nga 4 (katër) në 3 (tre) operatorë duke vijuar trendin rritës të indeksit të përqendrimit të tregut dhe për më tepër dy sipërmarrësit me pjesën më të madhe në treg kanë rritur ndjeshëm kapacitetet krahasuese nëpërmjet marrjes 50 me 50 % të të drejtave të përdorimit të frekuencave që zotëronte në përdorim duke thelluar avantazhin krahasues të hyrësve të parë në treg.
Përveç barrierave financiare, teknike dhe juridiko-proceduriale për hyrjen në treg, dalja nga tregu e hyrësit të fundit në treg, Plus Communication, është barrierë e konsiderueshme për çdo hyrës të ri në treg. Në këto kushte, është shumë e vështirë të mendohet, që në tregun me pakicë celular, të mund të ndodhin hyrje të reja, pa ndërhyrjen rregullatore pasi për rreth 9 (nëntë) vite, Plus Communcation ishte hyrja e fundit në treg dhe tashmë pas transferimit të frekuencave te dy sipërmarrësit Vodafone dhe Telekom, hyrësi i fundit ka dalë de facto nga tregu dhe struktura e tregut ka ndryshuar drejt rritjes së përqendrimit dhe dominimit të liderit të tregut/dy sipërmarrësve me pjesë më të madhe tregu.
Ndryshe nga tregu shqiptar i telefonisë celulare ku pjesa e tregut e operatorit lider në treg ka tendencë në rritje, dinamika e tregjeve në vendet e BE ka lëvizur në kah të kundërt pasi pjesa e tregut e operatorit kryesor celular në vendet e BE mesatarisht ka qenë në reduktim, për të arritur në 36% në 2012. Ndërkohë nga të dhënat e KE në Digital Agenda rezulton se tendenca e pjesës së tregut të operatorit lider celular (Mesatarja) ka tendencë rënëse nga 37.9% në vitin 2009 në 34.3% në vitin 2015.
Dominimi i Vodafone
Nga analiza e tregut përkatës të shërbimeve celulare me pakicë (retail) të AKEP rezulton se:
– Sipas ndarjes së tregut sipas të ardhurave që sipërmarrësit gjenerojnë në tregun e pakicës, konstatohet se operatori me pjesën dukshëm më të madhe në këtë treg është Vodafone Albania. Pjesët e tregut të këtij operatori përgjatë gjithë periudhës së marrë në analizë kanë qenë me rritje, duke arritur nivelin më të madh të pjesëve të tregut në vitin 2016 me rreth 56% të tij.

– Për sa i përket treguesit të numrit të përdoruesve broadband edhe gjatë vitit 2017 Vodafone është operatori me pjesën më të madhe të tregut me rreth 51%;
– Në lidhje me treguesin e SMS-ve dalëse Vodafone është operatori me pjesën më të madhe të tregut për këtë tregues dukshëm më e madhe edhe në krahasim me pjesët e tregut për treguesit e sipërcituar konkretisht me mbi 60% të këtij tregu gjatë gjithë periudhës së marrë në analizë, ndërsa tre operatorët e tjerë ndajnë pjesën tjetër të këtij tregu në kufijtë 3 – 25% të tij përkatësisht;
– Gjatë vitit 2016 sipërmarrësi Vodafone Albania, ka rritur ndjeshëm pjesën e tregut me rreth 7 pikë përqindje (pp) të numrit total të përdoruesve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM (përfshirë kartat e të dhënave për akses broadband), duke mbajtur të njëjtën pjesë tregu edhe për vitin 2017 me 49% të tij.
Problemet kryesore të indentifikuara në tregjet e pakicës lidhen me sjelljen strategjike të sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg për mbylljen e abonentëve brenda rrjetit, shitjen nën kosto duke imponuar konkurrentët më të vegjël ta ndjekin në këtë strategji duke akumuluar humbje, ndërsubvencionimin me operatorët në vendet fqinje pjesë e grupit dhe ndërsubvencionimin e shërbimeve nën kosto me të ardhurat nga termnimi i thirjeve ndërkombëtare.
Lidhur me dominimin e Vodafone, AKEP ka marrë masa per tregun e shumices te aksesit dhe origjinimit dhe do të rregullojë tarifat e ketij tregu pas konsultimit public, nëse nuk funksionojnë masat në shumië ( akses origjinimi).
Në dokument gjithashtu theksohet:
Sipërmarrësi Vodafone Albania sh.a. i përcaktuar sipërmarrës me FNT (fuqi të ndjeshme në treg) në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, është i detyruar të zbatojë të gjitha detyrimet e veçanta sipas nenit 56, si më poshtë:
të mos zbatojë tarifa tepër të larta;
të mos pengojë hyrjen në treg të lojtarëve të rinj;
të mos kufizojë konkurrencën, nëpërmjet zbatimit të tarifave të larta të paarsyeshme ose tarifave të ulëta të paarsyeshme;
të mos shfaqë parapëlqime të diferencuara ndaj përdoruesve fundorë të veçantë;
të mos ofrojë paketa të paarsyeshme shërbimesh

Rregullim i pjesshëm i tregut ndërkombëtar
Pas procedurës së këshillimit publik dhe komenteve të operatorëve, AKEP vendos një rregullim të pjesshëm të tregut përkatës të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare si treg përkatës i veçantë i justifikuar për ndërhyrje ex-ante dhe ndaj të tre sipërmarrësve Telekom Albania sh.a, Albtelecom sh.a dhe Vodafone Albania sh.a, të vendoset masa rregullatore e mosdiskriminimit për tarifat e ofruara për rregullim ndërkombëtar, raportimi periodik në AKEP mbi të dhënat dhe zgjidhja në AKEP e mosmarrëveshjeve mes operatorëve.
AKEP pohon se me këto masa synon shmangien e subvencionimit të ndërsjellët të paketave “bundle‖ që shiten nën kosto me të ardhurat nga termnimit ndërkombëtar por këto të ardhura duhet të jenë në funksion të rritjes së investimeve të sipërmarrësve kryesisht në broadband dhe rritjes së kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve të internetit për pajtimtarët.
Vendimet
Pas analizës, AKEP ka vendosur tarifa terminimi simetrike me trend rënes në dy faza duke filluar nga një dhjetori 18 ulen ne 1.22 dhe nga 1.12.19 ulen në 1.11 në përputhje me BE dhe BEREC
Për analizen e akses origjininimit, AKEP ka vendosur që të shpallë Vodafone si operator me fuqi të ndjeshme në treg (FNT) në në tre tregjet, shumicë akses origjinim, terminim thirje ndërkombëtare dhe pakicë.
AMC dhe Albtelekom janë shpallut FNT në terminim nderkombëtar për Vodafone, AMC dhe Albtelekom për terminimin e thirjeve ndërkombetare detyrim për mosdiskriminim, duke pasur të njëjtën tarifë për çdo marrëveshje si dhe trasparencë përmes raportimit periodic në AKEP.
Janë miratuar tarifat e terminimit në rrjetet fikse për Albtelekom, Telekom Albania dhe 66 operatorë alternative, ku tendenca është sërish në ulje.

“Monitor”