Zidane trondit Murinjon: Do të rikthehem së shpejti në stol

37

Shumë shpejt do të shohim sërish Zinedine Zidane në stol! Lajmin e ka bërë të ditur vetë trajneri francez, i cili fitoi tre herë radhazi Champions League në dy sezone e gjysmë në krye të Real Madrid.
“Sigurisht që së shpejti do të nis të punojë sërish si trajner, – tha “Zizu”, që dha dorëheqjen nga “Los Blancos” në muajin qershor. – Mua më pëlqen futbolli, jam marrë me këtë sport gjithë jetën dhe kështu do të vazhdoj. Po pushoj, por nuk kam ndërmend ta mbyll kaq shpejt karrierën që kam nisur si trajner.”
Këto fjalë të Zidane, padyshim që do të shtojnë edhe më shumë zërat se ai do të jetë zëvendësuesi i Jose Mourinho te Manchester United, sidomos duke parë rezultatet e fundit të portugezit.

Për sa kohë të jetë Mourinho, harrojeni!
Marcus Rashford nuk do të jetë kurrë sulmuesi kryesor i Manchester United, pretendon Alan Shearer. 20-vjeçari zakonisht është përdorur si një sulmues anësor te Djajtë e Kuq, sidomos nën drejtimin e Jose Mourinho-s, megjithëse ka pranuar gjithmonë se pozicioni i tij i preferuar është qendra e sulmit.
Shearer, golashënuesi më i mirë i Premier League me 260, beson se Rashford ka potencialin për të qenë një nga sulmuesit më të mirë në botë por është e pamundur të ndodhë nën drejtimin e Mourinho-s tek United.
“Për sa kohë Lukaku të jetë në gjendje të mirë fizike, Rashford nuk do të luajë asnjëherë si qendërsulmues në Old Trafford,” shprehet ish-sulmuesi i Anglisë për The Sun.
“Për sa kohë që Mourinho të jetë trajner, nuk do të ketë dy sulmues përpara. “Edhe nëse Lukaku nuk do të luante, më shumë mundësi për të luajtur ka Alexis Sanchez se sa Rashford”.