Vetingu në politikë do të nisë me krerët e institucioneve publike

79

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend, projektligjin për Vettingun e politikanëve. Deputeti i PD, Ervin Salianji në përfundim të mbledhjes së grupeve të punës, PD-LSI tha se duhet pritur për të parë nëse mazhoranca është pro apo kundër këtij pr.ligji.
Deputeti demokrat u shpreh se është Rama ai që po e pengon Vettingun në politikë. “Rama nuk e do Vettingun dhe refuzon të votojë propozimin tonë. Ne sot depozituam nismën e grupit tonë parlamentar. Është politika, ajo që ndalon hetimin e zyrtarëve të lartë. Nëse Partia Socialiste nuk e do Vettingun, s’mund të diskutojmë për teknikalitete”.
Sipas Salianjit, mazhoranca po bën propagandë për t’iu shmangur Vettingut. “Diskutimi i sotëm, ishte nëse PS është pro apo kundër këtij pr.ligji. SPAK-u nuk i heton funksionarët publikë, sepse e pengon Rama. Pa diskutim që i gjithë procesi i Vetingut do të nisë edhe ndaj institucioneve publike. Mekanizmi që duhet të shtrohet në këtë rast është kushtetues. Propaganda që bëhet nga PS dhe Rama është që t’i shmangen vettingut të politikanëve. Vettingu është një proces paralel që ecen nga drejtësia. Nuk e shmang vettingu i politikanëve hetimin nga drejtëisa, përkundrazi e ndihmon dhe largon personat e inkriminuar. Edhe sot nuk ndalohet që Spaku të hetojë familjarë të politikanëve, e pengon vetëm vullneti politik i kryeministrit. Ne jemi duke e detajuar të gjithë platformën për largimin e personave të inkriminuar. Rama nuk e do vettingun dhe refuzon të votojë propozimin tonë të depozituar në Kuvend. Ne mund të gjejmë çdo hapësirë procedurluiale për ta kaluar sa më shpejt në komisionet kuvendore apo dhe në seancë parlamentare për ta votuar thjeshtë, po ose jo!”, tha Salianji.