Raporti i opozitës me parlamentin, Basha: Nuk mund të bëjmë ligje me një qeveri të marrë peng nga krimi

74

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një intervistë për Syri.net foli mbi raportin që do të mbajë opozita me paralamentin.
Basha u shpreh se raporti i opozitës me Parlamentin do të jetë raporti që pamundëson fasadizimin e një parlamenti, e një qeverie të marrë peng nga krimi.
-Peka: Cili do të jetë raporti i opozitës me Parlamentin?
Basha: Raporti i opozitës me Parlamentin do të jetë raporti që pamundëson fasadizimin e një parlamenti, e një qeverie të marrë peng nga krimi. Që do të thotë se as ligje nuk mund të bëjmë, as normalitet nuk mund të kemi sa kohë që në Parlament dhe në qeveri ulen njerëz tashmë të faktuar si njerëz të lidhur me krimin, nga Fatmir Xhafa te Taulant Balla, te Jurgis Çyrbja me shokë.
-Peka: Z. Basha në takimin e pardjeshëm në Shkodër a ka patur zëra nga përfaqësues të ndryshëm të opozitës se në rast mosveprimi nga qeveria, t’u bëhet thirrje qytetarëve për vetë armatosje?
Basha: Jo!
-Peka: A e shikoni si opsion?
Basha: Sigurisht që jo! Sepse kjo në vetvete do t’i jepte fund politikës. Duhet të kuptojë diçka, ne ekzistojmë si parti politike, Partia Demokratike ekziston për t’i dhënë qytetarëve një zgjidhje politike, për të dhënë një alternativë, një shpresë, për t’i dhënë mundësinë që të kalojmë një bashkëqeverisje me krimin te një qeveri e cila në vend që të bëjë pakt me krimin e shtypë.

-Peka: Si do të mundni krimin në politikë z.Basha?
Basha: Ne nuk kemi punë me krimin në politikë se ne nuk kemi as polici, as xhandarmëri tonën, por ne kemi punë me qeverinë që është gjysma e bandës. Ne me bandat luftë nuk bëjmë dot, por me qeverinë që mbështet bandat po, luftë politike deri në rrëzimin e saj dhe zëvendësimin e saj me një qeveri e cila ka vullnetin, planin dhe vendosmërinë për të rivendosur rendin publik, për të çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit të organizuar dhe për t’i dhënë Shqipërisë një cikël normal sigurie, rendi dhe zhvillimi ekonomik. Jo luftë me bandat, por luftë me qeverinë që mbështet bandat. Sepse siç e thash partia politike nuk është detashmen ushtarak, nuk është polici alternative, nuk ka forcë paramilitare. Por luftë politike me qeverinë për ta zëvendësuar bashkëqeverisjen me krimin me një qeveri që e lufton, që ndëshkon dhe nuk e mbron e bashkëpunon me krimin.
-Peka: Çfarë do të bëjë opozita në vjeshtë z.Basha?
Basha: Opozita do të vazhdojë që të bëjë prej ditës së parë në opozitë me Edi Ramën kryeministër, të vendosë prioritetin e duhur. Kur e kemi thënë ditën e parë apo herën e parë kur nisën problemet, kur u evidentuan problemet e lidhjeve kriminale të Edi Ramës shumëkush e mori për luftë politike, tipike shqiptare, tipike ballkanike. Faktet dhe koha treguan që nuk ishte e tillë, që opozita, që Partia Demokratike dhe unë nuk i shërbyem interesit tonë politik, madje mund ta kemi dëmtuar interesin elektoral, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por qëndruam lartë për interesin kombëtar. Si qëndrimi jonë për dekriminalizimin, si qëndrimi jonë për dekanabizimin, si lufta jonë kundër drogës dhe parave të pista të drogës që bëhet sot në mënyrën më të shpejtë përmes PPP-ve korruptive dhe koncesioneve; janë kauza të drejta të opozitës për shqiptarët. Pra, në këtë kuptim ne do të vazhdojmë fuqimisht aksionin tonë me një platformë të shpallur dhe publike, çlirimin e Shqipërisë nga krimi, çlirimin e drejtësisë nga kapja e qeverisë të lidhur me krimin dhe adresimin e krizës ekonomike dhe problemet e mprehta që kjo sjell për shqiptarët. Këto janë tre prioritetet tona.