Rama “kryqëzon” deputetin plangprishës, Gjetani përjashtohet zyrtarisht nga grupi i PS

88

Partia Socialiste ka mbledhur paraditen e sotme grupin Parlamentar, ku ka votuar për përjashtimin e deputetit Gjetan Gjetani.
Perjashtimin e deputetit e paralajmeroi Kreyministri Rama para tre ditesh pasi ai kërkoi që të protestohej ndaj policësë për mosverimin në luften kundër krimit.
Deputeti i PS për zonën e Laçit, Gjetan Gjetani u shpreh para dy ditësh se veprimi i Kryeministrit Rama ishte shumë i padrejtë, pasi është munduar që të evidentojë shqetësimet e qytetarëve, të cilët i janë ankuar për situatën e rëndë të kriminalitetit. Ai tha gjithashtu, se Kryeministri është nxituar në vendimin e tij, në shkelje të statutit.
“Unë kam folur vetëm për zonën e Kurbinit. Nuk pajtohem me vendimin që ka marrë kryeministri. Ai ka të drejtë që të largojë anëtarët, mbase e njeh më mirë sesa unë statutin. Unë nuk di të kem shkelur ndonjë vendim apo pikë të statutit. Kam marrë vendim për t’u larguar. Nuk e di se çfarë ka pasur në kokë Kryeministri. Unë gjykoj se është nxituar dhe nuk duhet ta kishte marrë këtë masë ndaj një deputeti. Ndoshta është ndikuar nga propozimi im për protestë, por unë e kam kërkuar këtë në rast se kryeministri nuk do të merrte masa për pastrimin e krimit në Kurbin. E përsëri, unë i pari dal në protestë për situatën”, tha deputeti Gjetani.
Gjetani bën me dije, se nuk ka ndryshuar qëndrim për atë që ka shprehur, pasi është zgjedhur për të përfaqësuar shqetësimet e qytetarëve.
Një ditë para këtij vendimi, Gjetani është telefonuar nga Kryeministri Rama, i cili e ka kritikuar për sjellje të keqe dhe i ka komunikuar largimin nga partia.