Përplasje mes lojtarëve dhe Panuccit, a është koha për “ciao mister”?

47

Humbje e shëmtuar, lojë mediokër, skema të provuar në moment, lojtarë jashtë roleve të tyre, zëvendësime të dështuar dhe në fund gjithçka i faturohet një personi… Christian Panucci-t. Në çdo ekip, kur nuk ecin situatat, gishti drejtohet te numri një i stolit dhe kështu ndodh pas humbjes kundër Skocisë me rezultatin 2-0. Shqipëria nuk shkon askund me këtë trajner, pasi problemi i tij kryesor është që nuk ka skuadrën me vete.
Nuk është më sekret, asnjë nga futbollistët nuk e ka përzemër. Nuk ka si ta kenë kur Panucci mban një distancë të frikshme me to, si gjenerali me ushtarët. Italiani zbulon formacionin 2-3 orë para ndeshjes dhe nuk shpjegon kurrë se pse ndryshon titullarët, apo nuk i tregon kurrë arsyet se pse nuk luajnë. Në fund, rezultati është si ai që kishim në Skoci, një katrahurë e vërtetë.
Takimi i humbur në “Hampden Park” ishte një goditje e fortë, pasi kjo kombëtare nuk të jep aspak shpresë. Kaotike në çdo veprim, futbollistë jashtë ritmit dhe pa stacione pasimi. Reparte të shkëputura, pa pasion, pa grintë, absolutisht ZERO. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes me Skocinë u bë gjyqi. Britma dhe ulërima janë dëgjuar mes Panuccit dhe futbollistëve. Prej atyre që tregojnë qartë hendekun e thellë që ekziston mes numrit një të stolit dhe lojtarëve.
Panucci nuk ka fenomenë, lojtarët shqiptarë nuk kanë nivel të lartë, e dimë. Nuk i kishte as De Biasi, por të paktën kanë shpirtin dhe dëshirën për të luajtur. Me italianin tjetër vinin me qejf në përfaqësuese, ndërsa me Panucci është kthyer në stres me vete. Momenti më i mirë për të reflektuar, mbase është momenti i duhur për të thënë “ciao mister”. Nuk mund të ngopemi me fitore me fat e të lutemi në kishë dhe të falemi në xhami që Strakosha të kthehet në superhero. Fati të ndihmon njëherë, fatkeqësisht për ne, Panucci e kishte me Izraelin.

Urdhri nga lart, lëvizja e vetme pozitive e Christian Panuccit
Shqipëria po humbet 2-0, në minutën e 90’+1′, trajneri Christian Panucci hedh në fushën e lojës një mbrojtës. Një mbrojtës? Mediet e huaja dhe specialistët ndërkombëtarë mund të jenë hutuar dhe ta kenë quajtur si “të çmendur” teknikun italian, kurrsesi “sharlatan” se do i kishte hedhur në gjyq. Në fakt, aktivizimi i Enea Mihajt ishte e vetmja lëvizje e zgjuar e numrit një të stolit.
20-vjeçari kishte pranuar ftesën e Shqipërisë pas shumë vuajtjesh dhe tashmë nuk mund të ndryshojë më vendimin e tij. Aktivizimi me “shqiponjat” në një ndeshje zyrtare vulos përfundimisht fatin e tij me kombëtaret. Mihaj ishte i dyzuar, pasi priti deri në momentet e fundit kombëtaren e shpresave të Greqisë, në momentin që ftesa nuk i erdhi atëherë gjeti në një cep të vetes ndjenjat e atdhedashurisë dhe zbuloi se nuk është aq keq të jesh shqiptar.
Aktivizimi i tij në fushën e lojës ishte i detyrueshëm, pasi lojtari i ri me premisa të mira për të ardhmen mund të ndryshonte sërish mendje. Panucci e kishte marrë urdhrin që para ndeshjes se një nga zëvendësimet e kishte të djegur me lojtarin e Panaitolikos. Një top ndali me gjoks dhe një vrapim të shpejtë kur zëvendësoi Veselin, kaq mjafton. Në Shqipëri për sfidën kundër Izraelit nuk ishte as në stol, pasi Federata i druhej reagimit të tifozëve, por kundër Skocisë “dogjëm” një lojtar, i vetmi aspekt pozitiv i sfidës.