PD: Përjashtim nga politika për të lidhurit me krimin dhe ata që nuk justifikojnë pasurinë

    30

    Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë bërë një hap konkret për Vettingun e politikës nëpërmjet pastrimit të politikës dhe institucioneve kushtetuese nga politikanët që kanë lidhje me krimin e organizuar apo që nuk jusitifkojnë ligjërisht pasurinë e tyre. Nëse do të ketë vullnet per të mos e vonuar vettingun, atëherë deri më 18 Tetor ndryshimi i Kushtetutës për pastrimin e politikës do të bëhet realitet.
    Ja cilët janë 3 hapat që parashikon procedura parlamentare.
    1. Kryetari i Kuvendit duhet të njoftojë Kuvendin për nismën më 13 Shtator, e cila është seanca e parë pas depozitimit të nismës më 7 Shtator. Amendamenti kushtetues futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit.
    2. Nisma shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të hapur për publikun mes Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin dy javë nga data e depozitimit, jo më vonë se 21 Shtator. Mbledhja i paraqet seancës raportin e hartuar nga relatorët.
    3. Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit.

    Respektimi i këtyre afateve pa zvarritje do t’u japë mundësi shqiptarëve që brenda datës 18 Tetor 2018 të shohin vullnetin e palëve për miratimin ose jo të vettingut në politikë. Amendamenti kushtetutes i propozuar nga opozita është i njëjtë me atë të miratuar për gjyqtarët dhe prokurorët.
    Njësoj si për ta, nëse verifikohet se kanë lidhje me krimin apo nuk justifikojnë pasurinë, mandati i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë ndërpritet menjëherë. Deri tani nuk ka ndonjë sinjal domethënës nga maxhoranca. Kuvendi, ndryshe nga sa vepron me çdo projektligj tjetër, ende nuk e ka publikuar në faqen e tij zyrtare propozimin e opozitës, për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të njihen me të.
    Nga ana tjetër, Kryeministri dhe përfaqësues të maxhorancës, nuk kanë bërë asnjë koment, që pas depozitimit të amendamentit nga opozita. A tregon heshtja e qeverisë pranim të vettingut siç e ka propozuar PD, mosdakordësi, përgatitje për ta vonuar apo për ta dështuar propozimin e opozitës për vetting të politikës? Opsionet janë të gjitha mbi tryezën e Edi Ramës.
    Koha është një sfidë tjetër për Kryeministrin, pasi Partia Demokratike dhe opozita kanë kërkuar miratimin e amendamentit kushtetues pa asnjë vonesë, duke e vlerësuar emergjencë kombëtare shkëputjen e lidhjes së krimit të organizuar me qeverisjen e vendit.