Mbappe: Finalja e Champions? E vendos që tani firmën time për këto dy skuadra…

44

Nuk ka shkuar shumë mirë për PSG shorti i fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, pavarësisht se konsiderohet favorit kryesor, me rivalë të tillë si Napoli, Liverpool dhe Crvena Zvezda. Sulmuesi Kylian Mbappe ka menduar t’i japë që tani jetë një “grupi vdekjeje”, që premton spektakël.
Në pritje të transfertës në një peizazh piktoresk, në “Anfield Road”, Mbappe dha një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”: “Është një grup i komplikuar, por kjo është natyra e Champions-it. Nuk mund të gjesh rivalë të lehtë, sepse është trofeu më i lakmuar nga skuadrat më të mëdha europiane. Kundër Napolit do të jetë e vështirë.
Ancelotti i bën ekipet që drejton të luajnë me filozofinë e tij, duke shtyrë përpara. Dhe pastaj Napoli ka një bazë fantastike tifozësh. Edhe në qoftë se kujtesa ime nuk është aq e këndshme, kemi humbur 5-0 ndaj Napolit në një ndeshje miqësore, në vitin 2016, me Monacon”.
Operacioni i merkatos së kësaj vere, që përfundoi me transferimin e Ronaldos te Juventusi, e ka bindur 19-vjeçarin më të mirë të botës për forcën e kampionatit italian: “Seria A ka qenë gjithmonë një kampionat i madh, por kohët e fundit e kishte humbur disi prestigjin. Me ardhjen e Ronaldos te Juventusi, kjo ligë shihet me sy ndryshe tashmë.
Me të, Juventusi ka një forcë shtesë. Të gjitha ekipet e mëdha do të duhet t’i studiojnë me më shumë vëmendje bardhezinjtë, por edhe për vetë Ronaldon është një mundësi e mrekullueshme. Të dyja palët së bashku mund të bëjnë diçka të madhe edhe në Ligën e Kampionëve”.
Një finale Juventus-PSG në Ligën e Kampionëve, a do ta donte Mbappé? Ja përgjigjia e shpejtë e tij: “Do të vija nënshkrimin tim për të, që tani”. Një “prenotim” i talentit të madh francez për “Wanda Metropolitano” të Madridit, ku do të luhet finalja e Champions-it, 1 qershorin e ardhshëm.