Gjoba dhe postoblloqe në rrugët e Kukësit, Policia në panik nga reagimi qytetar

87

Portali “Kukësi Jonë” njofton se situata në qytet nuk ka qenë e qetë gjatë dy ditëve të fundit. Forca të shumta policie kanë zbarkuar në qytet dhe po ushtrojnë kontrolle ndaj qytetarëve.
“Dje zbarkuan disa fugona të ndërhyrjes së shpejtë në Kukës vetëm pak ditë përpara protestës që do organizohet. Ditën e sotme policia ka ngritur disa postoblloqe në vende të ndryshme të qytetit ku qytetarët janë përballur dhe ndëshkuar me gjoba nga policia e shtetit. Mos vallë e gjitha kjo është një formë presioni kundër protestuesve?”, shkruhet në portalin “Kukësi Jonë”.
Pak ditë para nisjes së aplikimit të taksës, kreu i Këshillit Bashkiak, që përfaqësonte PS, Gjelbrim Shehu ka shprehur dakordësinë për tarifat e rinegociuara nga qeveria për banorët e zonës. Ndonëse çështja ishte sot në rendin e ditës për t’u diskutuar, për mungesë kuorumi mbledhja nuk u zhvillua.
Në deklaratën e Shehut thuhet se çështja e tarifës së rrugës së Kombit quhet e mbyllur dhe nuk do të jetë më pjesë e rendit të ditës pas reflektimit të qeverisë. Ai vlerësoi se tarifa është e pranueshme dhe e përballueshme nga të gjithë.