Basha: Rama, një Kryeministër kukull i bandave të krimit të organizuar

53

-Peka: Kënaqësi dhe faleminderit që jeni sërish për hapjen e sezonit. Unë po e filloj me takimin që keni patur para dy ditësh në Shkodër. Z. Basha, jeni shprehur ‘Të çlirojmë Shqipërinë nga krimi’, pyetja është konkrete. Do e çlironi qeverinë nga krimi? Apo do e çlironi Shqipërinë nga qeveria?
Basha: Të dyja shkojnë dorë më dorë. Qeveria është e kapur nga krimi, Edi Rama bashkëqeveris me kriminelët. T’i japësh fund bashkëqeverisjes së krimit, të çlirosh qeverinë nga krimi, do të thotë, të çlirosh Shqipërinë nga gjysma e bandës. Banda është ndarë përgjysmë. Njëra gjysmë terrorizon Shkodrën, Elbasanin, Durrësin, Tiranën, Fierin, Vlorën, Korçën, gjysma tjetër është në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, ashtu si krimi dhe qeveria janë bërë një dhe të pandarë, ashtu edhe pastrimi i qeverisjes nga krimi, do të thotë, pastrim i Shqipërisë nga një qeveri e bërë njësh me krimin.
-Peka: Si do e pastroni?
Basha: Kjo nuk është një pyetje që i drejtohet një individi, një partie politike apo thjesht dhe vetëm opozitës, mjetet dhe mënyrat e opozitës, janë ato politike. Por forca më e madhe e opozitës, forca më e madhe e ndryshimit është mobilizimi qytetar, që pa dyshim ky do të jetë një kombinim i aksionit politik të opozitës, partive politike të opozitës, me të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë, me të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë ata që ndjejnë pasojat e drejtpërdrejta të bashkëqeverisjes me krimin. Dhe këto pasoja nuk kufizohen thjesht dhe vetëm në gjendjen e sigurisë, në shkolla, në rrugë, në lagje, në rrethimin e zonave të tëra të qyteteve tona, nga bandat kriminale, që i kanë bërë zonat të pakalueshme për qytetarët, në humbjen e jetëve të pafajshme, në rrëmbimin, deri edhe të fëmijëve nga bandat kriminale.

Pra, në aspektin e sigurisë, bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin sjell një faturë të drejtpërdrejt në tavolinat e shqiptarëve, në shkollimin e fëmijëve të tyre, në shëndetësinë e shqiptarëve, sepse me bashkëqeverisjen me krimin, Edi Rama, dhe ministrat e tij të lidhur me krimin, dhe eksponentët e tjerë të lidhur me krimin, si; Fatmir Xhafa, Taulant Balla dhe ushtarët e krimit, ushtarët e bandave si; Jurges Çyrbja, bëjnë të mundur grabitjen dhe zhvatjen e taksave të shqiptarëve, taksave që në vend se të shkojnë për të bërë rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, për të rritur pensionet, për të ofruar shërbim më të mirë shëndetësor, përfundojnë si PPP, tendera e koncesione dhe kontrata korruptive, të cilat përfitohen nga një grusht njerëzish të lidhur me krimin dhe një grusht oligarkësh. Pra, krimi ka një faturë ekonomike, ka një faturë sociale dhe natyrisht ka një faturë të tmerrshme psikologjike dhe sigurie, humbje jetësh për qytetarët e pafajshëm shqiptarë.
-Peka: Z. Basha. Është një term i përdorur shpesh nga opozita se Edi Rama bashkëqeveris me krimin. Megjithatë javën e fundit keni patur konkrete. U shpërngulët, edhe në Shkodër para dy ditësh. Është situata më e rëndë, apo po afron vjeshta dhe opozita ka një strategji për të sensibilizuar më shumë opinionin.
Basha: Po pyesni shkodranët. Çoni edhe ju gazetar në Shkodër dhe mediat e tjera të cilat i bëjnë fresk qeverisë nga mëngjesi në darkë, nga ekranet dhe portalet e tyre, dhe që kanë mjete financiare më shumë se sa ju, çojini gazetarët dhe pyesni shkodranët se si ndihen. Ne prandaj ishim aty sepse nuk i besojmë asnjë filtri më, në veçanti filtrave mediatikë, të cilat si më çdo autokraci të kapur nga interesa kriminale dhe oligarkike, i shërbejnë qeverisjes. Por pot ë shkosh tek njerëzit dhe të pyesësh njerëzit, do të shikosh se situate nuk është thjesht dhe vetëm ajo që ne mundohemi ta shprehim ne me fjalë. Është shumë më keq se aq. Se në fund të fundit, deputetët, politikanët, për vetë natyrën publike të punës së tyre, gëzojnë benifitet e një imuniteti të vërtetë apo të perceptuar. Por qytetarët vazhdojnë të mbeten nën terror në Shkodër.

Nën terrorin e bandave të cilat jo vetëm nuk e ndjejnë peshën e ligjit, por që kanë vënë përfund ligjin, kanë vënë përfund policinë. Dhe kjo, për një arsye të thjeshtë. Çfarë e bën diferencën midis gjendjes sonë në Shkodër, dhe gjendjen para 5 apo 10 vjetësh. Bandat e dinë që policia është e demoralizuar. Që drejtuesit e lartë të policisë, oficerët dhe policët e thjeshtë janë të demoralizuar. Përse? Sepse në krye të policisë, në krye të Ministrisë së Brendshme, janë familjarë të kriminelëve të dënuar për krim të organizuar. Nëse për Ministër të Brendshëm, kalojmë nga një Ministër të Brendshëm që e bënte drogën me kushërinj, Saimir Tahiri, tek një Ministër i Brendshëm që e bën drogën me të vëllain e tij, nëse numri dy i PS-së, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë në pushtet, që është edhe kryetari i Grupit Parlamentar pranon publikisht se ka miqësi me një të dënuar për trafik dhe krim të organizuar në Itali, 21 vite burg, njëkohësisht pjesëtar i një prej bandave më famëkeqe të historisë së Shqipërisë, bandës së Lushnjës, Edmond Bego dhe mediat vazhdojnë ta etiketojnë si biznesmeni Bego i cili ka marrë 14 milionë euro tendera në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Ligj i cili në nenin 45 e bën fare të qartë, që një i dënuar për krim të organizuar, nuk mund të marrë pjesë në tendera publikë. Por ky ka marrë pjesë në tendera publikë, ky i ka fituar këto tendera publikë sikundër ka marrë nga shteti, liçensa, kontrata, për të mos përmendur vetëkontraktimet, vetëm e vetëm sepse ky është mik i Taulant Ballës. Tani t’ju them legjislacionin për gjyqtarë dhe prokurorë dhe që quhet legjislacioni i vetingut, dhe në ligjin për policinë, ky fakt do të mjaftonte e do të tepronte, që polici i thjeshtë apo oficeri i lartë i policisë, gjyqtari apo prokurori të shkarkoheshin, të largoheshin nga puna. Ky është kriteri që vetingu parashikon, si për policinë, ashtu për gjyqtarët dhe prokurorët.

Çështje tjetër se si po zbatohet. Ndërsa Taulant Balla nuk e ka për gjë të pranojë miqësinë me një nga figurat kryesore të krimit të organizuar në Shqipëri. Pra, çështja është fare e thjeshtë. Edi Rama po bashkëqeveris me krimin dhe kjo nuk është akuzë. Këto janë fakte për ata që duan të dëgjojnë, për ata që kanë sy të shohin dhe mendje të analizojnë. Këto nuk janë akuza, as të opozitës, as të ndonjë gazetari. Këto janë fakte, që Edi Rama po bashkëqeveris me krimin dhe ne e dimë fare mirë se përse ndodh kjo. Me Bajrat në Shkodër, me Lul Berishët e Emiliano Shullazët, me Habilajt, me Balilajt, Edi Rama bëri pakte zgjedhore. Më ndihmoni të marr vota me paratë tuaja të pista dhe me forcën e bandave tuaja dhe pas kësaj u hapi dyert e pushtetit. Pra, për pushtetin e tij, Edi Rama bëri pakt me krimin dhe sot, jua thash, nuk kuptohet se ku fillon shteti dhe ku mbaron krimi. Banda është ndarë në gjysmë. Gjysma qeveris rrugët, qytetet, fshatrat e Shqipërisë, malet dhe bregdetin shqiptar dhe përbëjnë problem gjigant në Europë, siç është bërë krimi i organizuar shqiptar, gjysma tjetër është në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament. Vetëm se ka diçka, ka një zhvillim shumë shqetësues. Nxjerrja e Shkodrës tërësisht jashtë ligjit nga bandat, pra vënia e një ndër pesë qytetet më të mëdha të Shqipërisë, nën kontrollin e bandave, tregon një përshkallëzim në marrëdhënien mes krimit të organizuar dhe qeverisë së Edi Ramës. Dhe ky përshkallëzim është se tani Edi Rama, nuk ka fuqinë, përveçse në letër të diktojë, është krimi që dikton. Pra ai është një kryeministër në letër, Fatmir Xhafa është një Ministër i Brendshëm në letër dhe ligjin e bën krimi i organizuar. Me dy fjalë, Edi Rama ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit, përse? Që vetë të merret me jetën e tij luksoze, me udhëtimet e tij me charter, vetë të shpenzojë të gjithë kohën e vetë për të grabitur të gjithë buxhetin e shtetit, për të grabitur pasuritë publike dhe për t’iu përkushtuar stilit luksoz të jetës, ndërkohë që shqiptarët vuajnë pamundësinë, papunësinë, varfërinë që shtohet dhe i japin përgjigjen me një emigracion masiv siç nuk e kemi parë që në vitet 90-93.