Basha paralajmëron: Protesta masive popullore për rrëzimin e qeverisë

67

-Peka: Si do të mundni krimin në politikë z.Basha?
Basha: Ne nuk kemi punë me krimin në politikë se ne nuk kemi as polici, as xhandarmëri tonën, por ne kemi punë me qeverinë që është gjysma e bandës. Ne me bandat luftë nuk bëjmë dot, por me qeverinë që mbështet bandat po, luftë politike deri në rrëzimin e saj dhe zëvendësimin e saj me një qeveri e cila ka vullnetin, planin dhe vendosmërinë për të rivendosur rendin publik, për të çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit të organizuar dhe për t’i dhënë Shqipërisë një cikël normal sigurie, rendi dhe zhvillimi ekonomik. Jo luftë me bandat, por luftë me qeverinë që mbështet bandat. Sepse siç e thash partia politike nuk është detashment ushtarak, nuk është polici alternative, nuk ka forcë paramilitare. Por luftë politike me qeverinë për ta zëvendësuar bashkëqeverisjen me krimin me një qeveri që e lufton, që ndëshkon dhe nuk e mbron e bashkëpunon me krimin.
Peka: Çfarë do të bëjë opozita në vjeshtë z.Basha?
Basha: Opozita do të vazhdojë që të bëjë prej ditës së parë në opozitë me Edi Ramën kryeministër, të vendosë prioritetin e duhur. Kur e kemi thënë ditën e parë apo herën e parë kur nisën problemet, kur u evidentuan problemet e lidhjeve kriminale të Edi Ramës shumëkush e mori për luftë politike, tipike shqiptare, tipike ballkanike. Faktet dhe koha treguan që nuk ishte e tillë, që opozita, që Partia Demokratike dhe unë nuk i shërbyem interesit tonë politik, madje mund ta kemi dëmtuar interesin elektoral, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por qëndruam lartë për interesin kombëtar. Si qëndrimi jonë për dekriminalizimin, si qëndrimi jonë për dekanabizimin, si lufta jonë kundër drogës dhe parave të pista të drogës që bëhet sot në mënyrën më të shpejtë përmes PPP-ve korruptive dhe koncesioneve; janë kauza të drejta të opozitës për shqiptarët. Pra, në këtë kuptim ne do të vazhdojmë fuqimisht aksionin tonë me një platformë të shpallur dhe publike, çlirimin e Shqipërisë nga krimi, çlirimin e drejtësisë nga kapja e qeverisë të lidhur me krimin dhe adresimin e krizës ekonomike dhe problemet e mprehta që kjo sjell për shqiptarët. Këto janë tre prioritetet tona.

-Peka: Z. Basha sapo shprehët se ne do të bëjmë atë që kemi bërë prej ditë së parë si opozitë me Edi Ramën si kryeministër, çfarë do të thotë se edhe Edi Rama do të bëjë që ditën e parë me ju si opozitë kur është zgjedhur kryeministër…
Basha: Ky është një konkluzion metafizik. Sepse kjo nuk është dita e parë e qeverisjes së Edi Ramës, do të thotë që koha na ka dhënë të drejtë….
Peka: Do të qeverisë i pa shqetësuar? Opozita nuk është vetëm kauzë dhe konstatim, është edhe aksion. Cili është aksioni?
Basha: Aksioni i opozitës do të jetë i ndërthurur në të gjitha rrafshet. E para e punës duhet thënë edhe një herë se Edi Rama nuk është në ditën e parë të qeverisjes dhe sot nuk ka shqiptarë, nuk ka qytetarë që nuk e kupton e pjesë e arrogancës, e shpërfilljes, e talljes me problemet e tyre, të fateve të tyre dhe të fëmijëve vjen sepse Edi Rama nuk e ka lidhur fatin me ta. Kur vjen në pushtet me kriminelët nuk të bëhet vonë për njerëzit e thjeshtë; pjesa tjetër është propagandë, është bojatisje por edhe asaj i ka dalë boja. i ka dalë boja sepse njerëzit janë velur, siç velesh edhe nga gjëja më e ëmbël, velesh edhe nga gjëja bajate. Kështu që bajatizmi dhe propaganda kur na del një herë si babagjyshi i Vitit të Ri dhe një herë si bamirës, etj, etj. Ndërkohë që ka shfaqje apo mosshfaqje shtazarake siç ishte ajo e Selenicës, tregojnë që kemi të bëjmë me një person i cili ka humbur çdo ndjesi për vendin, është shkëputur komplet nga realiteti ku jetojnë qytetarët e këtij vendi. Dhe kështu ndodh sepse dhjetëra herë në vit është në çarter duke udhëtuar për një ekspozitë luksi, për një ndeshje luksoze që kushton sa ndihma ekonomike për një qytet të vogël, etj, etj. Pra, kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë e pajis jo vetëm opozitën, por të gjithë qytetarët me një instrument. Tani e dimë që faktet, argumentet e drejta dhe të vërteta janë në krahun tonë dhe me këto në krahun tonë ne duhet të bëjmë betejën e duhur për të larguar këtë qeveri. Sepse pa largimin e kësaj qeverie, pa i dhënë fund bashkëqeverisjes me krimin vendi nuk do të ketë të ardhme. Sa kohë që kemi një kryeministër të lidhur me krimin, sa kohë të kemi një ministër të Brendshëm të lidhur me krimin, sa kohë të kemi një eksponent të maxhornacës të lidhur me krimin, Shqipëria do të jetë në mëshirën e bandave. Aksioni do të jetë shumë planesh; do të jetë aksion politik, pjesë e aksionit është edhe kjo bisedë për të sqaruar ju dhe përmes jush të gjithë ata që na ndjekin, natyrisht do të ketë edhe forma të organizimit qytetar dhe të protestave qytetare. Dhe për këtë arsye Partia Demokratike dhe aleatët tanë kanë ngritur një grup të përbashkët pune i cili brenda një jave, brenda dhjetë ditëve do të parashtrojë platformën politike për arritjen e objektivit numër një; që është t’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin, të çlirojmë qeverisjen nga krimi. Dhe për zbatimin e kësaj platforme do të mobilizohet e gjithë gama e aksionit politik dhe qytetar që është në dispozicion të një opozite në çdo vend, duke përfshirë natyrisht edhe protestat masive.

-Peka: Megjithëse futemi në zonën e vjeshtës ku janë paralajmëruar protesta, deri tani nuk kemi një datë të saktë. Megjithatë, bashkë me sezonin e opozitës së vjeshtës zoti Basha, kur them opozitës së vjeshtës duket edhe pak simbolikë: një opozitë e ngelur për vjeshtë në objektivin e saj për të rrëzuar Edi Ramën, po afrojnë edhe zgjedhjet lokale me Edi Ramën kryeministër. Këtu dua përgjigje po se jo. Do të futeni në zgjedhjet lokale apo jo?
Basha: Shiko, pjesë e problemit është se disa prej marrëdhënieve të tyre të ngushta financiare me qeverinë, ku ju përjashtoj ju dhe disa të tjerë për arsye që nuk dua tu paragjykoj, i bëni gjyqin opozitës në vend që ti bëni gjyqin qeverisë. Opozita është në detyrën e saj. Opozita ka bërë protesta dhe do të bëjë protesta. Do të ofrojë alternativë, do të përgatitet për të konkurruar dhe për të fituar zgjedhjet. Opozita ka përcaktuar prioritetin e saj më madhor që është: Ti japë fund bashkëqeverisjes me krimin dhe kjo nënkupton gjëra të qarta dhe konkrete. Për momentin nënkupton largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafës, Taulant Ballës, Jurges Çyrbjes, të cilët me minimumin e standardeve të vettingut sot nuk do të jenë më as deputetë, por duhet të jenë nën hetim. Sigurisht, ky do të ishte fakti në se nuk do të kishim një prokurori të kapur nga qeveria dhe kjo është arsyeja, pse reforma në drejtësi ka këtu ku është. Sepse është kapur prokuroria. Sepse procesi i vettingut ka kaluar gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, por me mbrojtje politike nga Edi Rama, të cilët bëhen gati ti kthejnë favorin. Dhe sepse si asnjë vend tjetër në planet, jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Këto janë problemet konkrete për të cilat opozita ka bërë paralajmërimet, denoncimet dhe po paraqet alternativën e saj. Ky është aksioni politik.
-Peka: Xhafa, Balla, Çyrbja…
Basha: Dhe vetë koka e Meduzës, që është vetë Edi Rama, arkitekti i këtij sistemi dhe sot peng i këtij sistemi. Kryeministri në letër, i cili kohën e tij tashmë nuk e kalon me qeverisjen e shqiptarëve, por duke iu dedikuar luksit të tij personal, stilit të jetës së tij prej sheiku, udhëtimeve me charter dhe ekspozitave të pikturës. Sepse qeverisjen ia ka deleguar bandave dhe krimit të organizuar dhe një grushti oligarkësh.