Ambasadori në OKB që përfundoi berber në New York

37

Ka pasur disa replika mes ish-ambasadorit shqiptar në OKB, Pëllumb Kulla dhe Nënkryetarit të PD, Spaho. Gjithçka ka nisur pas një sërë deklaratash të Kullës në media dhe kritikat e tij historike ndaj PD dhe Berishës, mëkati i madh i të cilit ndaj Kullës ishte që e bëri ambasador në OKB.
Mëkat sepse Kulla nuk ishte vetëm humorist, ai kishte edhe një pasion tjetër të madh të cilin e shpalosi në Shtetet e Bashkuara menjëherë pasi la detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në OKB. Kulla pasi dështoi që të ngrejë trupën e estradës në OKB ju përkushtua në New York një tjetër profesioni. Ai u bë një berber i suksesshëm ku qetheshin dhe rruheshin të gjithë. Meqë Rama gjendet këto ditë në New York mund t’i fusë një të rruajtur tek berberi i vjetër Kulla që natyrisht është më profesionist se ai i Qeparoit.
Gazeta RD respekton replikën e Kullës me gazetën si dhe më Nënkryetarin e PD, Spaho ndaj dhe po i japim të plota
Letër e hapur nënkryetarit të PD, deputetit Edmond Spaho
Nga Pëllumb Kulla
Nuk njihemi bashkë dhe nuk mbaj mend të jemi takuar ndonjëherë, por ju shkruaj se ka ndodhur një incident shtypi që na përket të dyve dhe që i lënë kështu përfundon duke na bërë pis që të dy.
Unë zoti Spaho, ka kohë që nuk e lexoj gazetën RD, prej shumë vitesh, qëkur shfaqjen e saj e prita plot optimizëm dhe në fillimet e saj, shkrova për të disa vite rresht.
Mirë, historia ime dihet, por duket qartë që RD-në nuk e lexoni as ju. Mua ma bëri me dije një i njohuri im, por juve, nuk qenka gjendur njeri t’ju a thotë. Mbase druhen për shkak të detyrës së lartë që keni dhe personalitetit tuaj autoritar.
Por njeriu dyshon se mund të ndodhë që edhe thjesht ju respektojnë, por nuk ju duan të mirën. Se ndryshe do t’jua njoftonin ata para kësaj letrës sime.

Dhe unë ju bëj me dije se është aty, një batakçi që ju ka marrë hua emrin për të shkruar në gazetën RD, në faqen e parë, diçka kundër meje. Ai ka menduar t’i japë më tepër helm dhe zjarr sharjeve për mua dhe ka përdorur emrin tuaj, me tërë peshën e ofiqeve dhe gravitetit që ka njëri nga nënkryetarët e opozitës, ish- ministër dhe parlamentar qëkur s’mbahet mend.
Shkrimi që batakçiu ka bërë kundë meje nuk është kaq i rëndë për mua, që në fund të fundit përpara zotërisë suaj, nuk jam kurkushi, por niveli i shkrimit është aq i ulët sa turpëron karatin tuaj. Ata të redaksisë mund t’ju pyesnin që të siguroheshin që atë paçavure e kishit shkruar vërtet ju, por urrejtja ndaj meje, edhe ata, i ka bindur më shumë që të mos ju pyesnin fare, aq më tepër ata e dijnë që ju gazetën e tyre nuk e lexoni, sikurse edhe shumica e shqiptarëve tani. Dhe e botuan me ngut.
Në atë shkrim ai, lopçari, mashtruesi që ju ka vjedhur emrin, i vërsulet një intervistës sime në lidhje me shkeljen e embargos së naftës në favor të Millosheviçit.
Ai shkruan se unë jam idiot!
Kurse në lidhje me thyerjen e embargos thotë se unë shpif!
Thotë edhe plot broçkulla të tjera po këto janë më kryesoret. Me padijen që ia bën muu, ai që ndot emrin e zotërisë suaj, nuk e di atë që dini ju, që këtë intervistë unë e kam dhënë jo këto ditë, por që në vitin 2006, qëkur presidenti Bullatoviç i Malit të Zi zbuloi pabesinë e shqiptarëve ndaj ndërkombëtarëve, thyerjen e embargos, dhe qëkur i nderuari eprori juaj dhe ish eprori im, u detyrua botërisht ta pranojë si fakt të vërtetë. Dhe bile eprori ynë u shpreh vendosmërisht, se ai kishte qënë kundër embargos që OKB i kish vendosur Jugosllavisë dhe prandaj ajo ishte shkelur nga ana e qeverisë dhe njerëzve të tij të afërt në parti.
Unë besoj se ju, edhe pse nuk njihemi nga afër, do të jeni kategorikisht kundër etiketimit tim si idiot. Apo jo? Nuk jam aq i zgjuar sa ëndërroja të isha, por jo, zoti Spaho, jo, jo… Idiot nuk jam! Ai ndyrësira e ka gjetur atë fjalë në fjalor dhe në zemërim e sipër e ka futur në shkrim, pa pasur nevojë të mësojë domethënien e fjalës. Sikur, – Zoti mos e dhëntë – ta kishit shkruar vetë ju, – supozim është ky, – ju nga lartësia e nivelit tuaj do të tregonit edhe seç duhet të bënte një njeri që nuk është idiot, kur eprorët e mashtrojnë të dërguarin e tyre, kur nuk i thonë as edhe një fjalë nga ato që do të thoshin 12 vjet më vonë kur iu zbuluan petët lakrorit.

Pra aty nuk do të ishte fjala “idiot” po qe se Spaho nuk do të ishte një pseudonim. Zotëria juaj mund të mos dojë të më shohë mbi këtë dhé, mund të më urrejë dhe do t’ia pranoja me dhimbje të më quante, frikacak, servil, të shitur, kriminel – ka fjalori plot cilësime, nga ato që përdorni për njëri-tjetrin në parlament, por jo atë.
Dhe më e rënda, që ka zhgaravitur ai mendjefyçkë është akuza që unë shpif. Po ta kishte lexuar zotëria juaj ndonjëherë atë intervistë, daç më 2006, daç më 2007 daç në ndonjë nga ato dhjetra herët që e riboton Ad Thanoja, sa herë do që të godasë Berishën, pra po ta kishit lexuar ju, do ta vinit re: aty vetëm shpifje nuk ka!
Po ju nuk e keni lexuar as tani që të më jepnit të drejtën… Eh, ç’them dhe unë! Ju nuk lexoni RD-në, jo të lexoni intervistat e mia!
Për këtë arsye unë zbuloj edhe një të fshehtë, zbulimi i së cilës nuk më prish punë: unë do ta gjej atë shpirtlig dhe do ta hedh në gjyq të më vërtetojë shpifjet. Po ia zbuloj hapat që kam ndërmend të bëj dhe bile po i jap mundësi të përgatitet (Fantastike do të ishte zoti Spaho, sikur në gjyq të ishim të dy, unë dhe ju, në këtë anën e akuzës ndaj tij: mua që më ka marrë erzin. kurse juve, emrin!).
Pra unë nuk shpif dhe sado huq shpifaraku të kesh nuk të kënaq shpifja e shpifur: “Berisha ka thyer embargon!” Berisha ta nxjerr shpifjen jashtë loje! Ai e ka deklaruar vetë të vërtetën! Edhe kjo është një dëshmi që ai njeri i ulët ju ka vjedhur emrin por jo dijenitë. Nuk ndodh që nënkryetari i Partisë Demokratike të mos e dijë ç’thotë shefi i tij në konferenca shtypi!
Që Edmond Spaho (ai tjetri!) është gdhë, e qartëson edhe një dëshmi tjetër në atë shkrim. Ai, injoranti, nuk e di, sikurse nuk dijnë gjithë injorantët, se cili është autoriteti i lartë që cakton ambasadorët!

Berishës i faturohen njëqindenjë të zeza. Ai, gdhëja, i shton dhe një tjetër dhe e akuzon edhe që nuk di të zgjedhë njerëzit që do të punojnë me të! Që shefi juaj nuk qëllon gjithmonë në zgjedhjet që bën, kjo është një e vërtetë, por boll ngarkohet edhe tani që është tërhequr nga vendimmarrjet. Kanë qenë kohë të vështira dhe atij i duhej t’i bënte të gjitha vetë: të zgjidhte ministra, kryeministra, zëvendësit e tyre, deputetët, ambasadorët, kryebashkiakët.
Shumica dërmuese me të drejtë i kanë kthyer kurrizin, por sipas enturazhit të sotëm të Berishës, ato kanë qenë zgjedhje të këqia. Këtu mund të bëj pjesë dhe unë. Ju zoti Spaho mund të keni mendim të njëjtë me atë Spahon tjetër që më ka revoltuar mua. Por ashtu ishte koha në ato vite të kthesës së madhe.
Ndryshimet e mëdha epokale në vendet ish-komuniste shpunë në OKB ambasadorë nga radhët e mësuesve, mjekëve, gazetarëve, arqitektëve. Mua më morën nga dekanati i fakultetit të teatrit. Unë do të them se atje ku më dërguan punova mirë, përderisa edhe ata që nuk më duan, nuk më kanë shquar ndonjë paudhësi, ndonjë dështim, a ndonjë veprim të gabuar. Por dhe ata të administratës shtetërore në vend, nuk është se kishin patur më parë njohuri administrative. Të gjithë doktorë ishin. Dhe shumica nuk është se punoi keq. Më keq nga të gjithë doktorët dhe më shumë dëme katastrofike vendit, i solli ai doktori që bëmë President, po ta analizosh hollë hollë.
Por kjo letër nuk ka atë qëllim. Vetëm desha t’i them atij militantit, Spahos tjetër, se caktimi im që ai e me atë mënçurinë e tij e quan budallallëk, është i vërtetë, Berisha e bëri. Por unë them edhe zgjedhje të mira edhe ka bërë. Edhe atëherë, edhe më vonë.
Ja, mesa dij unë, zoti Edmond Spaho, juve, ai ju ka zgjedhur.
Edhe ju, për modesti ndoshta, mund të ma kundërshtoni, por, sinqerisht, nuk ka bërë zgjedhje të keqe! Për të mos thënë që është një nga zgjedhjet më të mira të të gjitha kohëve..
Këtë mendim më duket se e kanë dhe socialistët.

Replika e Spahos ndaj Kullës
I dashur Pellumb,
Faleminderit per letren qe me dergoje nga emigracioni.
Me humorin qe te karakterizon, i bije pragut qe te degjonte dera. Portali ku e botove letren ishte i drejteperdrejte keshtu qe nuk mund te gaboja e te mendoja qe nuk e ke me mua. Por edhe ti or burre, bjeri drejt sepse nuk vuan nga mungesa e guximit dhe bashke jemi takuar kur ishe Sekretar Ambasade ne Gjermani. Helbete ti nuk mund te mbash mend cdo njeri qe ke takuar gjate ushtrimit te funksioneve te tua te cilat kane qene jo pak te rendesishme.
Pellumb, une nuk kam bere shkrim si thua zotrote. Kam bere pak rrjeshta koment ne faqen time ne fb per intervisten tende. Nuk te kam quajtur une idiot, kete e ka bere RD e cila me zgjedhjen e saj ka botuar komentin tim. Ne fund te kesaj letre po vendos komentin qe kushdo ta lexoje dhe kuptoje si qendron e verteta.
Une te kam quajtur Ambasador sepse titulli mbetet edhe pasi je larguar nga detyra dhe pavaresisht si e ke kryer ate. Komenti im ne fb dhe botimi ne RD dhe gazeta te tjera, eshte lexuar nga 35 mije qytetare. Miqesisht te keshilloj te mos lexosh komentet qe kane bere lexuesit per ty.
Pellumb ti nuk je marre me thelbin e komentit tim por me etiketime ndaj meje, ne kushtet kur e thua vete qe nuk me njeh. Me quan batakci dhe lopcar. Une jam perpjekuar te edukohem sa me mire, madje edhe jashte shtetit, ne vendin ku je ti. Lopcari mbetet profesion I nderuar Pellumb, po aq sa ai i gaztorit. Per batakci nuk di te kem bere ndonje gje qe ta meritoj. Ketej me njohin ndryshe, por po te me japesh ndonje argument, te siguroj qe do ndryshoj.

Te vijme tek thelbi i debatit. Une te kritikova qe ne kundershtim me statusin e Ambasadorit ti veteofrohesh per te share vendin tend. Madje duke shpifur, ne nje kohe qe ne OKB u dergove per te perfaqesuar vendin. Ambasadoret qe njoh, dhe njoh jo pak, vendin e tyre e kane te shenjte. Madje edhe per vendin ku sherbejne nuk flasin e nuk kritikojne pavaresisht shume paudhesive qe shohin. Besoj me kupton.
Pellumb o mik, ne Shqiperi mund te jete bere kontrabande por nuk e ka bere dhe nuk e ka mbrojtur shteti. Kete e kane thene inspektoret e OKB qe ishin stacionuar ne Shqiperi per te vezhguar embargon. E kane thene edhe drejtuesit e niveleve te ndryshme te OKB qe kane ardhur tek ne ose kur kemi shkuar ne ne OKB. Sikurse ti e di, 99% e kontrabandes me ish Jugosllavine eshte kryer nga Rumania si vend kufitar me Serbine. Ende nuk njoh ndonje Ambasador rumun qe te kete folur per vendin e tij si ke folur ti per Shqiperine.
Ne lidhje me perpjekjet e tua intensive per te ngritur trupen e Estrades ne OKB gjate viteve qe sherbeje si Ambasador, i jam referuar letres qe nje zyrtar i OKB dhe mik i Shqiperise i drejtonte autoriteteve shqiptare ku theksonte qe po i nxirrje bojen vendit me cfare po beje ne detyren e Ambasadorit ne OKB. Une nuk te kam pare ty tu kerkoje ambasadoreve te tjere ne OKB, psh ambasadorit amerikan, qe te luante ne skecet e tua. Une nuk e ve doren ne zjarr se cilin Ambasador mund te kesh ftuar te jete pjese e trupes se Estrades se OKB. Thjesht kam cituar letren. Une ty te mbaj ne estime te larte sepse na ke bere dhe na ben per te qeshur.

U zgjata pak por desha ti sqaroj te gjithe gjerat qe ngrije. Nje keshille, mos perdor ofendime kur polemizon qofte edhe me njerez me pak nivel si puna ime, pasi nuk i shkon nje intelektuali, njeriu te letrave, Ambasadori dhe gaztori kalibri sic je ti.
Meqe ra fjala, mos shkruaj vetem per vitet 1992-1993. Si patriot qe je i shkruaj ndonje fjale edhe Edit se po e con vendin per lesh me kanabis, kokaine, hajduteri dhe kriminele. Ne gjindja ketej presim me goje hapur kur shkruani ju afendikonjte e Amerikes sepse ju ze vend llafi.
Tani po e mbyll, te fala te tereve, te fala edhe atij mikut qe te informon. Eshte mik i mire, e kemi pasur edhe ate ne PD sikurse te kishim edhe ty sa kohe ishe Ambasador.
I juaji,
Edmondi I Verteti.
Komenti im ne fb:
Unë nuk njoh ndonjë ambasador në botë që të vetëofrohet dhe të shpifë kështu për vendin e tij.
Ky mender ambasador të vetmen punë që beri 4 vjet ne OKB, ishin përpjekjet për të ngritur estradën e OKB-s me punonjës të kësaj organizate.
Më kujtohet letra e një miku të huaj të Shqipërisë nga Nju Jork, dërguar institucioneve shqiptare, ku shprehte shqetësimin që me përpjekjet që ‘ambasadori’ po bën për të ngritur estradën e OKB-s, po i nxjerr bojën shtetit shqiptar.
Faji ishte i atyre që dërguan këtë si ambasador në një organizatë aq të rëndësishme sa OKB.