Spitali Hygeia u shit për 1 milionë euro dhe me 29.5 milionë euro detyrime

133

Spitali me bazë në Greqi “Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia” tha se ka përfunduar shitjen e 100% të filialit të saj, tërësisht në pronësi në Shqipëri, tek Spitali Amerikan me qendër në Tiranë.
“Vlera e transaksionit arrin në rreth 1 milion euro dhe është llogaritur pa borxhet që ekzistonin në periudhën që u përmbyll transaksioni,” tha grupi Hygeia në një njoftim për shtyp.
Blerësi ka marrë përsipër detyrimet e Hygeia Hospital Tirana, që arrijnë në 29.5 milionë euro në total, thuhet në deklaratë.
“Kjo shumë do të përdoret tërësisht për të ulur huamarrjen e kompanisë në bankë’, theksoi Hygeia.
Hygeia ofron shërbime parësore dhe dytësore mjekësore dhe ka gjashtë spitale private në Greqi, Shqipëri dhe Qipro.
Hygeia me humbje dhe e zhytur në kredi
Spitali Amerikan dhe Hygeia ishin në negociata që prej fundit të vitit të kaluar, pasi grupi grek Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia kishte vendosur të shiste aktivitetin në Shqipëri, për shkak të situatës së vështirë financiare. Transaksioni u finalizua vetëm të mërkurën sipas një artikulli të mëparshëm të Monitor.
Që prej fillimit të aktivitetit në 2010-n, pas një investimi fillestar prej 60 milionë euro, Hygeia në Tiranë ka rezultuar me humbje të mëdha dhe nuk ka raportuar asnjëherë fitime. Në bilancet e 3 viteve të fundit (2015-2017) Hygeia e ka pranuar hapur që është në vështirësi financiare dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi.
Spitali ka një stok kredie prej 2.7 miliardë lekësh, deri në fund të 2017-s, të cilin e ka marrë në vitin 2010 dy institucione ndërkombëtare, BERZH dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim. Por, Hygeia ka pasur vazhdimisht vështirësi në pagimin e tyre ndaj i ka ristrukturuar dhe shtyrë vazhdimisht pagimin e principalit dhe për momentin po paguan vetëm interesat, sipas deklarimeve në bilanc.
Në qershor 2018. Hygeia miratoi një rritje kapitali, nga 3.7 në 4 miliardë lekë. Megjithatë, humbjet e akumuluara në kapital për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm negativ, arrijnë në 2.7 miliardë lekë.