Shifrat e kolapsit shqiptar

103

Dritan SHANO

Shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Kjo është evidente, mjaft po t’i hedhësh një sy numrit të aplikimeve për Lotarinë Amerikane, që raporton revista Monitor dhe disa portale online. Ky numër ka arritur ne 367 mijë në vitin 2018, ndërsa ka qenë në nivelin 173 mijë aplikime në vitin 2007, ose nga një pikë më e ulët prej vetëm 87 mijë aplikimesh në vitin 2011. Kjo është vetëm ajo çka mund të verifikohet zyrtarisht, sepse askush nuk e di çfarë metodash të tjera përdorin shqiptarët për t’u larguar nga vendi drejt një jete më të mire, dhe me më tepër dinjitet. Ky vullnet i palëkundur për t’u larguar tregon, jo vetëm se shqiptarët kanë më shumë besim te çdo nëpunës, qoftë edhe part-time i shtetit të Idahos në USA, sesa te Kryeministri i tyre, apo kushdo tjetër nën diellin e tij. Njëherësh, ata nuk besojnë se në të ardhmen e tyre ekziston ndonje mundësi tjetër alternative për të ndryshuar pozitivisht gjendjen në vend. Se, ndryshe nuk do iknin, por do mbushnin sheshet për të marrë jetën e tyre në dorë. Në Shqipëri. Për të ruajtur Shqipërinë nga qeveria e vet.
Në 4 apo 5 vitet e fundit, pothuajse 13% e popullsisë ka ikur nga Shqipëria, në një formë apo në një tjetër; numri i lindjeve nga 82,000 në vitin 1990 ka rënë me 62% në fund të vitit 2017, sikur vendi të ishte mbuluar nga Murtaja e Zezë, e cila përgjysmoi Europën në shekullin 14; INSTAT raporton, në vitin 2016, se ushqimi përfaqëson rreth 48% të buxhetit familjar në Shqipëri, krahasuar me 36% në Egjipt, ose 8.7% në Mbretërinë e Bashkuar – një nivel shumë tregues i zhvillimit aktual dhe standardit të jetesës; ndërsa, jo vetëm 13.4% e popullsisë që kanë mbushur Lotarinë Amerikane, por pothuajse 60% e popullsisë shqiptare kanë shprehur qëllimin e tyre të drejtpërdrejtë për t’u larguar menjëherë nga Shqipëria drejt Perëndimit, duke marrë me vete deri edhe kafshët shtëpiake.
Të dhënat ekonomike dhe sociale të mësipërme tregojnë dështim të politikave të ndjekura deri më tani, jo sukses. Këto shifra janë fakte të verifikueshme. Ato nuk mund të ndryshohen në kënaqësinë e besimeve dhe preferencave të një personi. Atyre nuk ka çfarë i bën asnjë fanatik politik, i çfarëdo kahu, sepse ato janë rezultante politikash qeveritare dhe jo ngjarje sporadike.

Ato tregojnë se pushteti ekonomik dhe politik që po i shuan Shqiptarët gjatë këtyre viteve të tranzicionit, është fuqizuar në vitet e fundit, si kurrë më parë. Propaganda e rritjes ekonomike dhe zhvillimit, dhe përparimi i dëshiruar drejt integrimit në BE, nuk e ndryshon dot këtë realitet; sado intensive, ajo mbetet një fasadë, një maskim për oligarkët që sundojnë në Shqipëri dhe politikanët e korruptuar në shërbim të tyre, me apo pa pushtet.
Është e qartë se politikat e fasadave dhe palmave, konçesioneve, të narkotrafikut qeveritar-si degë më vete e ekonomisë, përveçse pasurojnë vetëm pak njerëz nuk mund të sjellin pasuri, shëndet dhe besim te gjithë shqiptarët. Përkundrazi, ato kanë favorizuar vdekjen mbi jetën. Ky është fakt. Se në tremujorin e parë të 2018 kishte 285 vdekje më shumë sesa lindje. Për shkak të këtyre politikave shqiptarët sot nuk lindin më, dhe ata që janë duan të largohen prej këndej sikur t’i ikin djallit.
Cila është zgjidhja? vjen menjëherë pyetja nervoze; a thua se kushdo që shkruan dy mendime e ka zgjidhjen në xhep dhe po e mban atje ngrohtë që mos t’ia shohë njeri. A thua se ia ke për borxh ndokujt. Megjithatë, nëse zgjidhja për të jetuar më mirë dhe me më tepër besim tek e ardhmja është ikja, atëhere është më lehtë, politikisht dhe ekonomikisht, që prej këtej ta ikim qeverinë, sesa të shuhen gjithë Shqiptarët.
Ajo që unë mendoj si të vetmen zgjidhje, si të vetmen strategji kombëtare, nuk ka shkëlqim me xixa, se nuk ka shirita për të prerë dhe e tejkalon jetën politike, dhe mandatet elektorale të shumë syresh politikanësh, ndaj edhe urrehet prej tyre; politikanët e sotëm e urrejnë dhe e pengojnë me gjithfarë arsyetimesh, sepse suksesin e tyre e kanë gjetur te padija dhe te diploma e blerë; sepse është e vetmja gjë që nuk e prekin dot, nuk ja tjetërsojnë dot shqiptarit, siç i kanë rrëmbyer pronën; sepse ajo zgjidhje ndodh mes dy veshëve të çdonjerit prej nesh; është një zgjidhje që tmerron injorantët dhe dallkaukët, është afatgjatë dhe me interes strategjik kombëtar, sepse prej saj përfitojnë shqiptarët dhe jo politikanët. Aristoteli thoshte se rrënjët e tij janë të hidhura, por fruti i tij është i ëmbël. Kjo zgjidhje është Edukimi, është investimi në Edukim, sidomos në atë para-shkollor deri 9 vjeçar. Edukimi është më i fuqishëm se çdo Lotari. Është e vetmja shpresë. Është pasaporta jonë më vlefshme e së ardhmes. Ndërkohë, që mendoj këtë gjë çdo ditë, deri në aq detaje sa mundem, na vjen lajmi nga INSTAT: në 2017 rreth 1 milionë shqiptarë nuk kanë prekur libër me dorë…
Nuk dorëzohem.