SHBA kundër ndryshimit të kufijve: Jo marrëveshje Kosovë-Serbi që sjell paqëndrueshmëri në rajon!

109

Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se: ‘politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Evropian si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon.
Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë të procesit, të ulin retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive’.
Reagimi I Shteteve të Bashkuara duket se I jep fund qëndrimeve të deritanishme të Thaçit, I cili është shprehur për një rishikim të kufijve. Me një gjuhë diplomatike, SHBA e ka bërë të qartë se është kundër zgjidhjeve që sjellin paqëndrueshmëri në rajon. Çfarë nënkupton kjo deklartë e SHBA? Eshtë e qartë se ndryshimi I kufijve në vija etnike do të sillte pasoja domino në një sërë vendesh të tjera të rajonit si në Bosnje, Maëedoni, Mal të Zi dhe për pasojë do të kishte rritje të tensioneve politike dhe një krizë të thellë që mund të çonte drejt destabilzimit.
Ditëve të fundit janë shtuar idetë për ndarjen tokësore të Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo “korrigjimin e kufirit” në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.
Marrëveshja është kusht për të dyja palët që të përparojnë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Europian.