Rishfaqet Albin Kurti: Largim i Thaçit me protesta në vjeshtë

40

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i tha Zërit të Amerikës se synimet për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh, janë të gabuara dhe mund të kenë pasoja të dëmshme. Ai tha se debatet e fundit më shumë lidhen me tendencën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kurti, partia e të cilit angazhohet për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, thotë se është kundër idesë që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë, të falet veriu i Kosovës.
Zëri i Amerikës: Z. Kurti, në Kosovë kanë shpërthyer debatet rreth marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, posaçërisht pasi që presidenti Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufijve. Si e shihni ju këtë propozim?
Albin Kurti: Synimet për korrigjim territoresh ose shkëmbim territorial janë synime të gabuara, që do të kenë pasoja të dëmshme. Korrigjimi i kufijve bëhet për arsye minore që maten prej dhjetëra apo qindra hektarësh maksimalisht, por kurrsesi me një krahinë të tërë siç është ajo e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Korrigjimi i kufijve bie tek regjistri i demarkacionit dhe këtë të enjte bëhen saktësisht gjashtë muaj prej se presidenti Thaçi ka nënshkruar marrëveshje me homologun e tij malazez Vujanoviç për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi. Ai nuk e bëri me Malin e Zi, kemi marrëveshje të nënshkruar dhe asnjë hap në terren dhe tash po kalon në korrigjimin e radhës. Për bindjen time, ajo çfarë po ndodh më shumë ka të bëjë me tendencën e tij që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme që e ka imponuar vetë se sa që Kosova të jetë më afër shtetndërtimit apo integrimeve evropiane.
Zëri i Amerikës: Presidenti Thaçi thotë se ideja e tij përjashton ndarjen e Kosovës dhe përfshinë bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën. Përse duhet kundërshtuar një gjë e tillë?

Albin Kurti: Ai (presidenti) ka qenë dy mandate kryeministër dhe ka pasur shansin që referendumin e vitit 1992 të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ta vë në jetë me hapa politik e qeveritar. Nuk e ka bërë këtë gjë. Tash është në kuadër të logjikës së shkëmbimit territorial. Për bindjen time, funksioni i shkëmbimit territorial është veç se tëhuajësimi shpirtëror i shqiptarëve prej veriut të Kosovës dhe në anën tjetër tjetërsimi i atij veriu prej shtetit të Kosovës.
Kur thua, dua shkëmbim territorial, kjo i bie që ke hequr dorë nga veriu ndërkohë që luginën e Preshevës nuk ta jep Serbia. Unë jam në veçanti i brengosur për shkak se diskutimet për shkëmbime territoriale nga përvoja e hidhur e historisë më të re të Ballkanit, tregon se shpie më parë në zhvendosje të popullsisë se sa në ndryshim të kufijve.
Ne e dimë shumë mirë se si dialogu për territore është më afër luftës se sa paqes konkretisht, presidentët e Serbisë dhe Jugosllavisë në njërën anë dhe ai i Kroacisë në anën tjetër, përkatësisht (Slobodan) Millosheviç dhe (Franjo) Tuxhmani, tërë kohën kanë dialoguar për shkëmbime territoriale e për ndryshime të kufijve dhe kanë dialoguar për territore në përgjithësi dhe paralelisht kanë luftuar.
Kanë biseduar atëherë për Bosnjën dhe dialogu i tillë për territore nuk është në kontrast fare me luftën.
Dialogu për të drejtat, për interes të qytetarëve mund të jetë tek regjistri i paqes në kontrast me luftën, por dialogu për territore unë nuk besoj që është i tillë. Në anën tjetër, kurrë opinion publik në Serbi nuk ka qenë më i gatshëm që të pranojë pavarësinë e Kosovës se sa tani dhe kurrë Serbia nuk ka qenë më e varur nga Kosova për integrime evropiane se sa tani. Mu në këtë moment del presidenti i Kosovës,Thaçi, i cili i ofron Serbisë veriun e Kosovës me Mitrovicën duke mos e përmendur asnjëherë, dhe duke ngjallur iluzione për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Me këtë sjellje të tij, presidenti Thaçi po më ngjan por si ajo qyqja që bën vezë në çerdhe të huaja.
Zëri i Amerikës: A është e rrezikshme një gjë e tillë që po ndodh tani?
Albin Kurti: Mendoj që është e rrezikshme, për shkak se ne kemi nevojë ta bashkojmë Mitrovicën e jo të bëjmë pazare me territore. Ne kemi nevojë t’i kthehemi arsimit, shëndetësisë dhe punësimit e sidomos të grave dhe rinisë e jo të heqim dorë nga Trepça, Ujmani dhe të futemi në lojëra të ndryshme gjeo-politike ku presidenti ndërmerr një aventurë personale pa mandat të

Parlamentit të Kosovës kur dihet se jemi republikë parlamentare dhe gjithashtu mendoj se është duke na e humbur një shancë të madhe me qenë se kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian, çështje e cila është emri i varësisë së Serbisë nga Kosova dhe presidenti i Kosovës është ai i cili po dëshiron të na bindë se ai dialogu gjashtë vjeçar i mëhershëm na paska qenë i suksesshëm dhe duhet të vazhdohet i njejti sepse rruga e Kosovës për në Bashkim Evropian kalon nëpër Beograd. Unë besoj që është e kundërta. Rruga e Serbisë për në Bashkim Evropian kalon nëpër Prishtinë, mirëpo në Prishtinë po e gjejnë një njeri si presidenti jonë aktual i cili i ka ndihmuar Serbisë si pak kush tjetër në Kosovën e pasluftës.
Zëri i Amerikës: Z. Kurti, tashmë ideja për ndarjen e Kosovës në vija etnike po propozohet nga udhëheqësit serb. Sa është e rrezikshme një gjë e tillë?
Albin Kurti: Ata po dëshirojnë që kësisoj të kontestohet pavarësia e Kosovës. Të thuhet që ka edhe shqiptarë e njëri prej tyre rastisë që të jetë edhe president i cili realisht nuk e ka seriozisht shtetin e vet. Pra, ne kemi një president të shtetit, që shtetin ku është ai president nuk e merr seriozisht dhe kjo është një argument i fuqishëm i Serbisë, por unë do të thosha edhe i Rusisë. Ne tani më kemi një Kaliningrad rus në Ballkan, ai është një Banjallukë e Republikës Serbe, nuk kemi nevojë edhe për një Kaliningrad tjetër në veri të qytetit të Mitrovicës. Rruga e duhur është kjo, bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm se ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndonëse edhe kjo tjetra është e rëndësishme, por bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm dhe duhet të jetë përparësi i shtetit tonë dhe e dyta është që serbët e Kosovës janë shumë më të rëndësishëm se Beogradi. Ne nuk mund të ndërtojmë një shoqëri kohezive në Kosovë nëse vazhdimisht e konsiderojmë Beogradin më të rëndësishëm se serbët e Kosovës. Bashkimi i Mitrovicës më i rëndësishëm se sa ulësja në OKB edhe serbët e Kosovës më të rëndësishëm se Beogradi, unë besoj që vendosim përparësitë e duhura në politikat tona shtetërore.
Zëri i Amerikës: Por,si do të bëhej një gjë e tillë?
Albin Kurti: Unë nuk kam shpresë që do ta bëj presidenti aktual dhe mendoj se ashtu siç na nevojitet një qeveri e re, një kryeministër i ri, njëkohësisht na nevojitet edhe një president i ri. Kjo qeveri nuk ka javë që nuk bën ndonjë skandal dhe ato zakonisht i rezervon për vete kryeministri por nëse shikoni ministritë e panumërta me zëvendësministrat e pafund, vëreni se aty

nuk ka planifikim të politikave zhvillimore por ka vetë menaxhim të shpenzimeve buxhetore dhe kjo duhet të marr fund. Ne kemi nevojë të dalim në shtegun e shtetit zhvillimor, i cili i jep përparësi prodhimit, punësimit, drejtësisë sociale, zëvendësimit të importeve, eksportit të ndërmarrësve tanë e kështu me radhë. Duhet që sa më parë t’i thellojmë partneritetet dhe aleancat tona, qofshin ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, sidomos Gjermaninë dhe kështu me radhë, por, gjithashtu duhet që të krijojmë marrëdhënie sa më të mira me vendet e rajonit në kuadër të asaj që do të mund ta quanim aleancë ballkanike me kroatët e bullgarët, por edhe me Sarajevën, Podgoricën dhe Shkupin zyrtar. Prishtina dhe Tirana besoj që duhet të jenë iniciatore dhe udhëheqëse të një aleance të tillë ballkanike e cila na shpëton neve prej hegjemonisë ruso-serbe. Le të mos harrojmë, në vitet e fundit kishim dy puçe të dështuara të Rusisë në Ballkan; njëri në Maqedoni dhe tjetri në Mal të Zi dhe ne rrezikojmë që të na vazhdohen ato me një president të këtillë i cili shkoi në takim me presidentin serb Vuçiç pak ditë pasi zhvilloi një të tillë me Medvedevin (kryeministër i Rusisë), të cilin tha se e ka informuar me zhvillimet në Kosovë. Këso ndryshime të mëdha në politikën e jashtme të Kosovës, që është një vend që nuk e ka përmbyllur sovranitetin dhe integritetin territorial në ndërkohë që ne kemi braktisur integrimet brenda kombëtare dhe sidomos aleatët tonë perëndimor, mendoj që duhet t’i alarmojë institucionet e Kosovës, sepse kemi një president i cili nuk është vetëm i dëmshëm por që besa edhe qesharak me këto aventurat e tij personale.
Zëri i Amerikës: Ju jeni angazhuar që moti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, a nuk është edhe ideja juaj në fakt ndryshim kufijsh?
Albin Kurti: Kufiri ndërmjet Kosovës e Serbisë është kufi i konferencës së Londrës i vitit 1913, atëherë kur ministri i jashtëm britanik Sir, Eduard Grey pat thënë që i bëmë një padrejtësi Shqipërisë për të ruajtur paqen evropiane, mirëpo një vit më vonë ne e dimë që ajo paqe evropiane nuk u përmbajt meqë shpërtheu Lufta e Parë Botërore apo lufta për të përfunduar të gjitha luftërat, siç quhej aso kohe dhe kufiri i tillë natyrisht që nuk është i shqiptarëve. Por ne do të duhej që Kosovën t’ia bashkojmë Shqipërisë nëpërmjet të drejtës për vetëvendosje që shprehet në referendum duke e njohur shtetin e Kosovës. Unë nuk besoj që duhet ta

shkatërrojmë shtetin e Kosovës për t’i bashkuar shqiptarët, unë besoj që forcimi i shtetit të Kosovës është në funksion të bashkimit të tij me Shqipërinë. Unë jam kundër që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë ta falim veriun e Kosovës, Trepçën, Ujmanin apo ta pranojmë ndarjen e qytetit të Mitrovicës. Forcimi i shtetit të Kosovës, përmbyllja e shtetndërtimit, zhvillimi ekonomik, ngritja e Kosovës si të tillë është në funksion të bashkimit me Shqipërinë dhe jo anasjelltas.
Zëri i Amerikës: Tashmë ka filluar faza përfundimtare e bisedimeve Kosovë-Serbi, çfarë marrëveshje pritni nga këto bisedime?
Albin Kurti: Është e rëndësishme që të mos krijohet kurrfarë ekipi i negociatorëve rrotull këtij presidenti aventurier. Pastaj është shumë e rëndësishme që të mos ketë asnjë dokument nga parlamenti i cili do t’ia jepte legjitimitetin dhe imunitetin këtij presidenti që kokë më vete të bëj pazare për vendin tonë dhe le ta themi që ashtuquajtura finale e madhe, nuk është as finale as e madhe. Mua më duket që bëhet fjalë për një episod të vjetër të ndonjë serie të re të çerek, çerek, çerek finaleve aspak të mëdha e gjithnjë të vogla, sepse presidenti që kemi ne, mbijeton duke ju falënderuar procesit të bisedimeve me Serbinë që i shërben si mburojë, si strehë në zyrën e zonjës Mogherini në Bruksel që për krimet e paqes dhe për krimet e paqena, besoj unë, të luftës të mos e përndjekin. Nuk është kurrfarë finale e madhe, pasoja e kësaj nëse kanë sukses e nuk do të duhej, do të jetë bosnjizimi i Kosovës. Bosnjëzimi i Bosnjës nuk ka ndodhur duke u synuar bosnjizimi por duke u synuar ndarja e shkëmbimi. Tuxhmani dhe Millosheviçi kanë folur për ndarje të Bosnjës dhe për shkëmbime territoresh në kurriz të boshnjakëve dhe rezultati është bosnjëzimi. Edhe nëse për Kosovën flitet për ndarje dhe shkëmbim territorial rezultati do të jetë një “zajednicë” mbase edhe më e fuqishme se ajo e kaluara me një asimetri të brendshme ku veriu i Kosovës ka një status të veçantë dhe shiheni analogjinë në Bosnje, atje keni Banjallukën dhe Palen në periferi të Sarajevës edhe tek ne do ta synojnë veriun e Kosovës dhe Graçanicën. Nuk kemi pse i lëshojmë pe një pinjolli të Sheshelit të rrethuar me nxënësit e Millosheviçit. Ministri i punëve të Jashtme të Serbisë është ish zëdhënës i partisë së Millosheviçit e ministri i mbrojtjes së Serbisë është ish zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviçit.

Ideja e shkëmbimit territorial ka për qëllim që ne të distancohemi nga veriu dhe në anën tjetër kjo është në karakterin e autokratëve. Udhëheqësit autokrat e konsiderojnë territorin e shtetit se pronë private dhe pastaj flasin për shkëmbime të territoreve si për shkëmbime të mallrave që ata i posedojnë. Mirëpo ne jemi republikë, Kosova është vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në Kosovë vlen demokracia dhe është e domosdoshme që të mos lejojmë një farë kthimi të tillë në feudalizëm, ku një figurë patriarkale, autoritare e trajton shtetin si shtëpinë e vet e territorin si tokën e vet dhe pastaj bën shkëmbime. Në fakt, nuk e trajton as si të veten por më parë si një plaçkë të uzurpuar të cilin është i gatshëm ta fusë edhe në një farë lloj “aksham pazari”.
Zëri i Amerikës: Si do të mund ta parandaloni ju një gjë të tillë. Bisedimet tashmë po zhvillohen?
Albin Kurti: Ne duhet të kemi zgjedhje të reja parlamentare sa më parë, që do të thotë në vjeshtë të këtij viti. Nëse këta nuk heqin dorë nga këto aventura për interesa personale dhe nëse në vjeshtë nuk do të ketë zgjedhje parlamentare, atëherë bëhen të pashmangshme demonstratat e fuqishme. Kosova ka nevojë për qeveri të re, kryeministër të ri, president të ri dhe kjo duhet të bëhet përmes zgjedhjeve të reja parlamentare gjithsesi të parakohshme dhe po nuk u zmbrapsen nga këto interesa të ngushta duke e vënë në pazar gjithë shtetin, ta kaluarën dhe ardhmërinë tonë, përveçse të tashmen, atëherë natyrisht që duhet me demonstrata të fuqishme t’i ndalim këta aventurierë dhe ato të jenë edhe nëpër sheshet e qyteteve tona por edhe në parlamentin e Kosovës. Ne jemi përfaqësues të popullit i cili, jemi të bindur që nuk i pranon këto kompromise, koncesione të vazhdueshme ndaj Serbisë e cila mund ta ketë ndërruar gëzofin, por kurrsesi qëllimin e saj.
Zëri i Amerikës: A keni bashkërendim me partitë tjera opozitare për të çuar vendin në zgjedhje apo me partitë tjera në pushtet, sepse duhet edhe numri i tyre, ose si do të mund ta rrëzoni presidentin?
Albin Kurti: Besoj që bashkërendimi i partive opozitare mund të jetë shumë më i mirë në parlament, por nuk është i padukshëm dhe presidenti i Kosovës është i dëshpëruar që nuk ka arritur të thyej Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe unë besoj që angazhimi i tij më i madh është pikërisht në këtë fushë, që ta prodhojë një dokument i cili ja krijon një ekip negociator duke përfshirë aty edhe dikë prej LDK-s. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe unë uroj që të mos ndodh as në të ardhmen. Ne bashkërendohemi edhe brenda parlamentit por edhe jashtë dhe nuk është në pyetje asgjë më pak se shpëtimi i Kosovës prej këtij personi që rastisë të jetë fatkeqësisht president, e i cili po e theksoj, po sillet por si qyqja e cila bën vezë në çerdhe të huaja.