Ndryshimi i kufijve, Knaus paralajmëron luftë në Ballkan

93

Kreu i Iniciativës evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, thotë që diskutimi për lëvizjen e kufijve apo njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rrezikshëm dhe mund të krijojë konflikte të reja në Ballkan, transmeton Gazeta Express.
Në një intervistë për ‘Dnevni Avaz’, Knaus thotë se ideja për shkëmbim territoresh është e rrezikshme për vetë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe Serbi.
“Ideja se zgjidhja më e mirë e problemeve me pakicat është duke hequr minoritetet, duke lëvizur kufijtë apo njerëzit, ka qenë gjithmonë e rrezikshme. Kjo është një metodë për të krijuar konflikte të reja në Ballkan dhe për ta kthyer orën mbrapa në vitet e 80-ta, ku në vend të diskutimit të reformave, intelektualët dhe politikanët në ish-Jugosllavi ishin përqendruar për kufijtë dhe çështjet etnike. Ne e dimë se si përfundoi kjo. Çdo kush që di histori, duhet ta kundërshtojë atë”, ka thënë ai.
Knaus thotë se presidenti i Kosovës nuk e di se çfarë po flet dhe se nuk ka mandat nga Kuvendi i Kosovës për të diskutuar rreth shkëmbimit të territoreve. Ai thotë se bisedat rreth temës së shkëmbimit të territoreve me dyer të mbyllura, mund të ketë rezultate të njëjta sikurse Kongresi i Berlinit në shekullin 19.
“Mirë, ka pasur korrigjime kufitare më parë, por të gjithë e dinë se nuk është kjo që Beogradi dëshiron: disa vende të pabanuara ose pyje në Kosovën e Veriut. Kjo ka të bëjë me njerëz të vërtetë, të cilët tashmë kanë përjetuar gjëra traumatike, në Kosovë dhe në Serbi dhe në të gjithë rajonin. Ajo që shohim është që dy presidentë diskutojnë pa transparencë. Për të diskutuar të ardhmen e dhjetëra-mijëra njerëzve prapa dyerve të mbyllura është diçka që diplomatët evropianë bënë në Kongresin e Berlinit në shekullin e 19-të. Ne e dimë se si përfundoi: shumë më tepër luftëra në Ballkan, për njëqind vjet”, shprehet ai, transmeton Gazeta Express.
Sipas tij, debati rreth shkëmbimit të territoreve vetëm do të rrisë shqetësimet dhe do të ndryshojë agjendën politike, por nuk do të përmirësojë asgjë.

“Thaçi nuk ka marrë mandat për të shkëmbyer veriun e Kosovës dhe Mitrovicën e Veriut. Vuçiq gjithashtu nuk do të jetë në gjendje t’ia japë Kosovës Preshevën dhe Bujanocin. Kjo është arsyeja pse vendet evropiane duhet të ulen me këmbë në tokë dhe të inkurajojnë të dyja vendet për një kompromis. Por megjithatë disa mënyra për zgjidhjen e çështjes së pakicave janë të papranueshme, edhe nëse krerët e shteteve merren vesh”, shton tutje ai.
Ai thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e mirë as për serbët të cilët jetojnë në vende tjera të Kosovës të cilat nuk do t’i bashkohen Serbisë në rast të ndonjë marrëveshjeje eventuale të lëvizjes së kufijve.
“Serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Serbi nuk duhet të jenë peng të qeverive të tyre duke diskutuar fatin e tyre”, potencon Knaus.
Knaus ka folur edhe për ndryshimin e lehtë të qëndrimit të administratës së Donald Trump. Sipas tij, qeverisja e Trumpit nuk kujdesen fare për Ballkanin.
Sa i përket qëndrimit të Rusisë, Knaus thotë se Moska dëshiron të pengojë integrimin e Ballkanit në BE.
“Rusia do të donte një precedent për të cilin mund t’u referohej territoreve të saj të pushtuara, nga Krimeja në Kaukaz. Por çelësi për këtë nuk qëndron në Ëashtingon apo Moskë. Ai qëndron në BE”, shton Knaus.
Për Knaus deklarimet e Brukselit se “cilado marrëveshje që palët merren vesh është e pranueshme”, është e rrezikshme.
Ai thotë se kompromisi sigurisht që është i mirë, por duhet të arrihet mbi një bazë pragmatizmi.
Knaus ngre shqetësime se çfarë do të ndodhë nëse të dy presidentët do të pajtoheshin për shkëmbim të njerëzve dhe jo të territoreve.
“Brukseli ka harruar se nacionalistët shpeshherë arrijnë marrëveshje të papranueshme”, thotë ai.
Sa i përket Bashkimit Evropian, Knaus thotë se duhet të jetë shumë më i qartë dhe ta përsërisë faktin se Serbia do të futet në BE vetëm nëse e njeh Kosovën në kufijtë e tanishëm, ndërsa Kosova do të bashkohet me BE vetëm nëse respekton angazhimet për të drejtat e pakicave dhe mbrojtjen e komunitetit të saj serb të paraparë në kushtetutën e saj.