Merkel kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë

69

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ritheksoi të martën qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve aktual në Ballkan, duke theksuar se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufirit mund të kishte pasoja në pjesët tjera të rajonit.
Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, i cili po ashtu tha se një ndryshim kufijsh në Kosovë mund të ketë pasoja për pjesët tjera të rajonit.
Kancelarja Merkel kishte biseduar të hënën me telefon me presidentin amerikan, Donald Trump lidhur më ketë çështje. Ajo tha të martën se, “i mbështesim përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por e cila ka parasysh tërësinë tokësore”.
Aktualisht janë shtuar debatet rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh dhe dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje.
Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha që se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri, mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.
Presidenti i Serbisë, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Prishtina e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
Ai edhe të martën hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës duke mbrojtur idenë e tij për bashkimin e luginës së Preshevës.
Takimi i radhës ndërmjet dy presidentëve do të mbahet më 7 shtator.
Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve. /VOA/