KLSH zbulon skandalin: Qeveria pagoi 1.6 milionë euro fatura fiktive për Check Up-in

73

Skandali i pagesave fiktive për konçesionin e Check-upit është thelluar edhe më shumë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se në vitin 2017, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka paguar 209.3 milionë lekë ose gati 1.7 milionë euro fatura fiktive për kompaninë koncesionare 3P Life në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është konstatuar se ky institucion ka paguar dhe likuiduar padrejtësisht fatura të Check Up me vlerë 209.3 milionë lekë”, thotë KLSH në raportin e auditimit.
Ky dëm rezulton ngaqë FSDKSH ka paguar para për kontrolle që nuk janë ushtruar. Sipas kontratës së konëesionit, çmimi i një kontrolli është përcaktuar në vlerën e 1537 lekëve. Kjo do të thotë se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka paguar mbi 135 mijë fatura fiktive për kontrolle që kompania konëesionare nuk i ka ushtruar fare.
Skandal i paprecedentë
Për vitin 2017 Ministria e Shëndetësisë dhe FSDKSH kishin planifikuar që kompania konëesionare të kryente 470 mijë kontrolle shëndetësore në rang vendi, të cilat i korrenspondonin një fature totale për 876 milionë lekësh. Por sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2017 janë kryer gjithsej 316,601 kontrolle bazë.
“Bazuar në projeksionin e planifikuar për kryerjen e kontrollit mjekësor bazë për periudhën janar-dhjetor 2017, kemi një realizim të këtij treguesi në rang vendi prej 67%”, thuhet në raportin vjetor të FSDKSH për vitin 2017.
Por edhe pse kompania konëesionare ka kryer mbi 150 mijë kontrolle më pak se sa planifikimi, FSDKSH ja ka paguar të plotë faturën prej 876 milionë lekësh.
Kjo situatë e verifikuar në vitin 2017, në fakt vazhdon prej 3 vitesh. Qeveria shqiptare i ka paguar miliona euro teper kompanisë konëesionare për kontrolle të pakryera. Ky është një nga rastet unikale kur qeveria paguan kompani private për një shërbim të pakryer, njësoj si të paguhet një kompani për një rrugë apo vepër publike të pandërtuar.