“Doja të luaja me Ronaldon, por në jetë ka më keq”…

97

Nëse ardhja e Cristiano Ronaldos te Juventusi është kataloguar si “goditja e shekullit”, megashkëmbimi mes Juventusit dhe Milanit, që e riktheu pas një viti Leonardo Bonuccin në Torino dhe dërgoi te kuqezinjtë Mattia Caldara e Gonzalo Higuain është parë si një operacion i habitshëm.
Rezultoi e pasuksesshme opozita e fortë e tifozëve bardhezinj për shitjen e Caldara, aq më tepër që bëhej fjalë për përfshirjen e tij si “mall” në shkëmbimin e “djalit plangprishës”, Bonucci. Një lamtumirë nga Juventusi, e cila la një shije të hidhur te vetë Caldara, siç zbulon “Corriere dello Sport”.
Kjo media ka zbuluar fjalët e qendërmbrojtësit gjatë udhëtimit me makinë drejt aeroportit të Atlanta, para fluturimit për në Milano: “Më vjen keq që po humbas mundësinë për të luajtur me Ronaldon. Shpresova se një ditë do të kisha mundësinë për të qenë një lojtar i Juves, por në vend të kësaj… Sidoqoftë, në jetë ka edhe më keq”.
Një largim, që ka hidhëruar në njëfarë mase edhe trajnerin Allegri, i cili tha: “Matt është një djalosh i mirë, një profesionist me të ardhme të madhe përpara. Kemi qenë të detyruar ta shesim, sepse kështu na u paraqitën kushtet e merkatos. Uroj që marrëveshja të jetë e përshtatshme për të dyja ekipet dhe për vetë lojtarin”.