Anketa e KE: Shqiptarët në vend të parë në Europë për të mos u ngritur në protesta!

256

Me mijëra rumunë po marrin pjesë në protestën antiqeveritare në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht.
Rreth 40 mijë pjesëmarrës në demonstratë kërkonin dorëheqjen e qeverisë, për shkak se mendojnë se ajo është e korruptuar.
Në harkun kohor të një viti, në Rumani janë zhvilluar protesta dhe demonstrata të ndryshme, të cilat janë shtrirë në disa prej qyteteve të shtetit anëtar të Bashkimit Europian.
Pjesëmarrja në protesta është një ndër të drejtat e qytetarëve në shtetet demokratike. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, të kryer nga Komisioni Europian, Shqipëria ka përqindjen më të ulët të anketuarve, vetëm 2% e të cilëve kanë deklaruar se kanë marrë pjesë në një protestë apo demonstratë në 12 muajt e fundit, ndër më të ulëtat në Europë, së bashku me Bullgarinë, Estoninë, Hungarinë, Luksemburgun, Letoninë, Portugalinë, Slloveninë, Sllovakinë.
Krahasuar me vendet e tjera kandidate për t’u bërë pjesë e anëtarëve, Turqia ka përqindjen më të lartë të të anketuarve që janë përgjigjur se kanë marrë pjesë në protesta dhe në demonstrata në 12 muaj e fundit. Prej të anketuarve 12% janë shprehur se kanë marrë pjesë në protesta.
Në vend të dytë për sa i përket pjesëmarrjes në protesta ndër vendet kandidate për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian është Maqedonia, ku 10% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë marrë pjesë në protesta në 12 muajt e fundit. Më pas renditet Mali i Zi me 7% të të pyeturve dhe Serbia me 5%.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, pjesëmarrjen më të lartë në protesta dhe demonstrata e kanë Franca, Suedia dhe Irlanda, ku përkatësisht 10% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë marrë pjesë në protesta dhe demonstrata.
Edhe vendi fqinj Greqia ka një përqindje të lartë të anketuarve që kanë marrë pjesë në protesta, me 8%. Në Greqi gjithashtu janë zhvilluar protesta të herë pas hershme, ku njerëzit janë ngritur kundër reformave që kanë ndërmarrë qeveritë për të dalë nga kriza që goditi vendin.
Rekordin për përqindjen më të ulët në protesta e mban shteti ishullor i Maltës. Vetëm 1% e të anketuarve në Maltë u përgjigjën se kanë marrë pjesë në një protestë apo demonstratë në 12 muajt e fundit të vitit.
Raporti “Cilësia e jetës – publikimi i të dhënave për të nxitur politika më të mira”, është hartuar nga Komisioni Europian dhe në të për herë të parë janë përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti i studimit tregon rezultatet në tre fusha kryesore: cilësia e jetës, cilësia e shoqërisë dhe cilësia e shërbimeve publike.
Anketa Europiane e Cilësisë së Jetës është një studim unik paneuropian që shqyrton kushtet e jetës së qytetarëve europiane në lidhje me mirëqenien individuale dhe cilësinë e shoqërisë dhe shërbimeve publike. Ai përfshin tema të tilla si shëndetësia, strehimi, ekuilibri i familjes, i punës dhe i jetës, si dhe besimi, pjesëmarrja në shoqëri, përjashtimi social dhe tensionet shoqërore. /Monitor.al/