Rama rrezikon deri në 8 vjet burg, padia e opozitës tek Krimet e Rënda

148

Kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili dorëzuan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kallëzimin ndaj Edi Ramës për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Detyrimi për të kallëzuar provën”, të parashikuara nga nenet 301 dhe 304 të Kodit Penal.
Kallëzimi bazohet tek deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili, pas publikimit nga PD të audiopërgjimit që provon përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm, u shpreh se “UNË E KAM MARRË MBRËMË PËRGJIGJEN E ANALIZËS SHKENCORE TË KRYER NË NJË NGA LABORATORËT MË SERIOZË TË BOTËS” dhe se “NUK JEMI ABSOLUTISHT PËRPARA ASNJË LLOJ PROVE KOMPROMENTUESE PËR MINISTRIN E BRENDSHËM, POR PËRPARA NJË AKTI MASHTRIMI ME NJË MATERIAL JO AUTENTIK.
Deklarimi publik se Edi Rama disponon një përgjigje të një analize shkencore (pra provë – akt ekspertimi “privat”), duhet të ishte shoqëruar me paraqitjen menjëherë në organin e prokurorisë dhe dorëzimin e këtij dokumenti. Ndodhur në kushtet kur Kryeministri Edi Rama, jo vetëm nuk është paraqitur menjëherë në prokurori, por nuk ka bërë publike provën që disponon, atëherë ai duke fshehur një dokument (përgjigje e një analize shkencore), apo duke mos u paraqitur menjëherë në organin e prokurorisë për të dëshmuar/kallëzuar, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga nenet 301 dhe 304 të Kodit Penal. Për rrjedhojë prokuroria është e detyruar ta marrë atë në përgjegjësi penale.
Partia Demokratike beson se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë, prandaj i bën thirrje Prokurorisë së krimeve të Rënda të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim, për të vënë përpara përgjegjësisë penale Kryeministrit Edi Rama, siç ligji detyron.
Dy nenet mbi të cilat opozoita ka bërë kallzimin penal ndaj Ramës parashikojnë dënim deri në 8 vite burg për kreun e qeverisë dhe kjo do të jetë prova e drejtësisë. Neni 301 I Kodit penal parashikon dënim eri tre vite burg për të pandehurin, ndërsa neni 304 parashikon deri në 5 vite burg.

Kallëzim i veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Detyrimi për të kallëzuar provën”, e parashikuar nga nenet 301 dhe 304 të Kodit Penal.
Bazuar në nenet 280 dhe 283 të K.Pr.Penale, si dhe neneve 301 dhe 304 të Kodit Penal, parashtrojmë këtë kallzim penal për veprat penale të sipërcituar, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallëzimi, provat me të cilat vërtetohen këto fakte si dhe dispozitat ligjore penale të cënuara.
LIGJI I APLIKUESHEM
1.1. Kodi i Procedurës Penale, në nenet 79, 80, 280, 283 dhe dispozitat tranzitore e tij parashikon se:
Neni 79
Rastet e bashkimit të procedimeve
Organi procedues mund të vendosë bashkimin e procedimeve: a) kur vepra penale për të cilën zhvillohet procedimi është kryer nga disa persona në bashkëpunim ndërmjet tyre ose kur disa persona në mënyrë të pavarur kanë shkaktuar veprën; b) kur një person akuzohet për disa vepra penale; c) kur një person akuzohet për disa vepra, nga të cilat një pjesë janë kryer për të realizuar ose për të mbuluar të tjerat ose për t’i siguruar fajtorit apo të tjerëve përfitime të paligjshme ose mosdënimin.
Neni 80
Bashkimi i procedimeve që janë në kompetencë të gjykatave të ndryshme
Në rastet e procedimeve të lidhura ndërmjet tyre dhe që nuk mund të ndahen, nga të cilat një ose disa janë kompetencë e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe procedimet e tjera në kompetencë të gjykatave të tjera të shkallës së parë, kompetente është Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky rregull zbatohet edhe në rastin e të pandehurve të mitur. Në këtë rast, gjykata zbaton rregullat e gjykimit për të miturit.
Neni 280
Marrja dijeni për veprën penale
Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.
Neni 283
Kallëzimi nga ana e shtetasve
Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.

Dispozita tranzitore
4. Deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme, çështjet në hetim për veprat penale apo subjektet e parashikuara në nenin 75/a, të Kodit të ndryshuar me këtë ligj, do të hetohen përkatësisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, sipas kompetencës të përcaktuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
1.2. Nga ana tjetër Kodi Penal në dispozitat e tij parashikon se:
Neni 301
Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës
Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 304
Detyrimi për të kallëzuar provën
Mosparaqitja menjëherë për të kallëzuar ose dëshmuar para organeve të prokurorisë, gjykatës apo organeve të rendit, për provën e njohur që e bën të pafajshëm një person tjetër që akuzohet ose është dënuar për një vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Përjashtohen nga detyrimi për kallëzim autori i veprës penale, si dhe personat që vijnë në dijeni të provës për shkak të detyrës apo profesionit dhe janë të detyruar të mos kallëzojnë e dëshmojnë për të.

RRETHANAT E FAKTIT
2.1.Partia Demokratike e Shqipërisë më datë14 Maj 2018 ka publikuar një material audio, ku nga një investigim gazetaresk dëgjohet në një bisedë për trafikimin e një sasie lënde narkotike shtetasi Albert Veliu (referuar në materialin audio si “Bashkëpunëtori X”), si dhe shtetasi Agron Xhafaj alias Geron Xhafaj, i cili është edhe vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në material, evidentohet fakti që shtetasi Agron/Geron Xhafaj, me precedent të mëparshëm kriminal në trafikun e lëndëve narkotike dhe përfshirjen në krim të organizuar, orienton bashkëpunëtorin X, se cilët janë personat që duhet të kontaktojë për të siguruar sasi lënde narkotike për trafikim në Itali. Në atë material audio shtetasi i dyshuar Agron/Geron Xhafaj i kërkon Bashkëpunëtorit X që të mos kontaktojë më drejtëpërdrejtë me të, për shkak se ai ishte nën sulmin e opozitës, për shkak se ishte vëllai i Ministrit të Brendshëm.

2.2. Menjëherë pas publikimit të materialit audio nuk pati asnjë reagim nga organi i prokurorisë dhe nuk u regjistrua prej tij asnjë procedim penal, kryesisht, siç në fakt urdhërojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Organi i prokurorisë, më datë 15 Maj 2018, pra vetëm 24 orë pas publikimit, kërkoi sekuestrimin e materialit audio nga Partia Demorkatike, material i cili ju vu menjëherë në dispozicion. Edhe pas marrjes së këtij materiali, përsëri organi i prokurorisë nuk regjistroi asnjë procedim penal lidhur me materialin audio.
2.3. Më datë14 Maj 2018, shtetasi Agron Xhafaj njoftoi në media gjatë natës se ai po shkonte në prokurori për të dorëzuar një kallëzim penal për veprën penale “Kallëzim i rremë”, për tre zyrtarë të Partisë Demokratike. Është ende mister, sesi dhe nëçfarë kushtesh u regjistrua dhe depozitua ky Kallëzim Penal në mes të natës. Mirëpo është fakt, që në datë15 Maj 2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u vendos e gjitha në dispozicionin e tij. Konkretisht, brenda 24 orëve (datë 15 Maj 2018), me një shpejtësi të pa hasur kurrë më parë në hetimin e njëçështje penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë:
regjistroi kallëzimin penal të Agron/Geron Xhafaj për “Kallëzim të rremë”;
hodhi shortin për caktimin e prokurorit;
prokurori i caktuar mori në dorëzim dosjen dhe shqyrtojë materialet fillestare;
prokurori vendosi të regjistrojë procedim penal;
prokurori vendosi të kryejë veprime hetimore siç ishte marrja e dëshmisë së Agron Xhafajt;
prokurori vendosi të marrë në pyetje dëshmitarin Alber Veliu, ende pa u bërë publik identiteti i tij;
prokurori vendosi të kryejë një tjetër veprim hetimor siç ishte vendimi për ekspertim;
prokurori vendosi të caktojë ekspertin;
prokurori, në fshehtësi të plotë,vendosi të pranojë mostrat e zërittë regjistruara privatisht në mes të natës nga Agron/Geron Xhafaj, edhe pse ligjërisht për t’u realizuar ekspertiza kërkohet që regjistrimi të kryhet në të njëjtat kushte dhe me të njëjtat pajisje siç është bërë edhe regjistrimi fillestar.
prokurori vendosi transferimin e çështjes dhe materialeve të gatshme për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, edhe pse kjo e fundit nuk kishte regjistruar ende procedim penal për rastin!
Në mënyrë të dyshimtë dhe të pajustifikuar ligjërisht, e njëjta shpejtësi dhe mënyrë veprimi nuk u konstatua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e cila ishte kompetente për fillimin e çështjes penale lidhur me materialin audio, për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike” apo “pjesëmarrje në një organizatë kriminale”.

2.4. Më datë 16 Maj 2018, në mëngjes, shtetasi Agron/Geron Xhafaj njoftoi në media se ishte nisur drejt Italisë, ku ishte dorëzuar pranë autoriteteve kompetente italiane, për të vuajtur dënimin, të cilit i ishte shmangur prej disa vitesh, duke u strehuar në Shqipëri, dënim në masën 7 vjet e 2 muaj, për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Njoftimi u bë me shkrim dhe ai nuk bërë asnjë deklarim me zë e figurë përpara opinionit publik të cilit i drejtohej në letrën e hapur. Është ende e paqartë nëse largimi i tij u bë apo jo me dijeni të organit të prokurorisë, mirëpo është fakt që ai u largua nga Shqipëria, edhe pse duhet të ishte këtu në dispozicion të hetimeve të drejtësisë shqiptare për çështjen e bërë publike nga materiali audio, duhej të merrej në pyetje si person i dyshuar për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike apo të ballafaqohej me dëshmitarët e tjerë të kësaj çështje.
2.5.Më datë 16 Maj 2018, disa orë pasi shtetasi Agron/Geron Xhafaj ishte larguar nga Shqipëria, Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, do të deklaronte ndër të tjera se:
“Për ne dhe për mua askush nuk është mbi ligjin, dhe kjo vlen për vëllain e Ministrit të Brendshëm, që ka një dënim për të kryer në Itali, dhe që sot ka marrë vendimin e tij, për të shkuar me këmbët e veta në burg për ta kryer. Sjemi të gjithë njësoj pra, mqs ra fjala. Ndërsa përsa i përket materialit audio kompromentues, për cilin Saliu deklaroi se është një përgjim i realizuar me kujdes dhe shtoi se dëshmitarin nuk e nxjerrim se kemi frikë mos na e vrasin. UNË E KAM MARRË MBRËMË PËRGJIGJEN E ANALIZËS SHKENCORE TË KRYER NË NJË NGA LABORATORËT MË SERIOZ TË BOTËS. MUA AJO PËRGJIGJE MË MJAFTON. Po bëj një parantezë. Jo për të vënë ulërimën kundër hetimit, apo për të influencuar hetimin, apo për të bërtitur “montazh, montazh”. POR MË MJAFTON PËR TJU THËNË JUVE SE NUK JEMI ABSOLUTISHT PËRPARA ASNJË LLOJ PROVE KOMPROMENTUESE PËR MINISTRIN E BRENDSHËM. POR PËRPARA NJË AKTI MASHTRIMI TË OPINIONIT PUBLIK DHE TË ATIJ NDËRKOMBËTAR, ME NJË MATERIAL JO AUTENTIK, ME TË CILIN SYNOHET DESTABILIZIMI I QEVERISJES DHE MUNDËSISHT SHKATËRRIMI I SEGMENTIT TË FUNDIT TË RRUGËS PËR ÇELJEN E NEGOCIATAVE TË SHQIPËRISË ME BASHKIMIN EUROPIAN.”.

2.6. Nga ky deklarim publik i Kryeministrit Edi Rama rezulton e qartë sa më poshtë:
a) Kryeministri apo persona të autorizuar prej tij kanë marrë materialin audio të publikuar (me gjasa nëpërmjet internetit dhe publikimit që i ka bërë atij media);
b) Kryeministri apo persona të autorizuar prej tij kanë takuar dhe më pas regjistruar mostrat e zërit të shtetasit Agron/Geron Xhafaj (është e paqartë sesi është realizuar kjo teknikisht apo se ku dhe kur është kryer regjistrimi);
c) Kryeministri apo persona të autorizuar prej tij kanë vendosur të kryejnë ekspertimin e materialit dhe krahasimin e zërit që shfaqet në materialin audio me mostrat e zërit të shtetasit Agron/Geron Xhafaj;
ç) Kryeministri apo persona të autorizuar prej tij kanë përzgjedhur Laboratorin Shkencor ku do të kryhet ekspertimi dhe që ka kapacitetin teknik për ta realizuar atë;
d) Kryeministri apo persona të autorizuar prej tij kanë dërguar (është e paqartë forma sesi) për ekspertim materialet në një nga Laboratorët më serioz në Botë (siç e konsideron Kryeministri);
dh)Laboratori më serioz në Botë, ka administruar materialet, ka vlerësuar paraprakisht që ka kapacitetin teknik për të realizuar analizën shkencore, si dhe ka vlerësuar se materialet e dërguara mundësojnë arritjen e një konkluzioni shkencor mbi vërtetësinë e materialit dhe të zërave që dëgjohen në të;
e) Laboratori më serioz në Botë ka kryer analizën shkencore dhe në përfundim të saj ka përpiluar me shkrim konkluzionin shkencor të analizës teknike të kryer;
ë) Laboratori më serioz në Botë ka dërguar zyrtarisht për Kryeministrin përgjigjen e analizave;
f) Kryeministri ka marrë përgjigjen e analizave, i ka vlerësuar ato dhe ka kuptuar nga përgjigja se sipas kësaj analize shkencore, materiali audio është një mashtrim dhe nuk është autentik.

Të gjitha veprimet si më sipër janë realizuar brenda jo më shumë se 48 orëve, dhe nga shpejtësia e veprimit arrijmë të kuptojmë se vërtetë kemi të bëjmë me një Laborator shkencor nga më të mirët nëBotë! Përmbyllja e analizave shkencore dhe arritja në konkluzione të sakta shkencore,brenda një kohe kaq të shkurtër, është tregues i një cilësie të lartë!Kjo tregon se realizimi i ekspertimit, në një kohë të shkurtër, është teknikisht i mundur, ekzistojnë Laboratorë shkencor që mund ta realizojnë atë, dhe se pavarësisht nga kushtet sesi regjistrohet materiali audio, mund të arrihet në konkluzione shkencore të pakundërshtueshme. Mirëpo, në deklaratën e tij publike, Kryeministri Edi Rama, nuk bëri publike këtë përgjigje shkencore të cilën e kishe siguruar nga një Laborator nga më të mirët në Botë, si dhe nuk pranoi kurrë të bënte të njohur për opinionin publik se cili ishte ky Laborator. Kjo ndoshta do të kishte ndihmuar edhe organin e prokurorisë për të identifikuar Laboratorë potencial, ku mund të realizohej ekspertimi!Rezultati i ekspertimit që bërë publik nga Kryeministri, jo më shumë se 48 orë nga publikimi i materialit audio, u konfirmua pasditen e datës 16 Maj 2018, edhe nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit ishte subjekt i këtij materiali audio.
2.7. Një ditë pasi shtetasi Agron/Geron Xhafaj ishte larguar nga Shqipëria, dhe një ditë pasi Kryeministri Edi Rama deklaroi se kishte marrë një përgjigje shkencore për materialin audio që provonte që nuk ishte autentik, më datë17 Maj 2018, në darkë, zëdhënësi i Prokurorit të Përgjithshëm, informoj opinionin publik se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, kishte regjistruar procedim penal më datë 17.05.2018. Vetë kjo prokurori, në një njoftim për shtyp deklaroi se: “Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, njofton se më datë 17.05.2018 ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Më datë 18.05.2018 me këtë procedim është bashkuar dhe procedimi penal Nr. 3853 i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë i regjistruar për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal.”.

2.8. Më datë24 Maj 2018, në komunikimin e parë për shtyp lidhur me këtë çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, njoftoi gjithashtu se: “Po kështu është dërguar për ekspertim materiali i videopërgjimit në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit.Gjithashtu njoftojmë se ka filluar dhe kryerja e verifikimeve pasurore për shtetasin Geron Xhafaj, i ditëlindjes 08.06.1975, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur dhe banues në Vlorë.”. Në këtë njoftim, organi i prokurorisë nuk njoftonte se cilët ishin Laboratorët Ndërkombëtarë jashtë vendit ku ishte dërguar për ekspertim materiali audio, si ishte siguruar mostrat e zërit të shtetasit Agron/Geron Xhafaj në kushtet kur procedimi kishte filluar pasi ai ishte larguar nga Shqipëria, apo afati që ishte caktuar për realizimin e këtij ekspertimi.
2.9. Nëçdo rast, nisur nga fakti që Kryeministri Edi Rama publikisht kishte deklaruar se dispononte një përgjigje mbi analizën shkencore që i është bërë materialit audio, dhe që ishte vlerësuar nga ekspertët e një prej Laboratorëve më të mirë në Botë si një material joautentik, provon faktin se ai disponon të dhëna të dobishme për qëllimin e hetimit. Në këto kushte, në mbështetje të nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale, organi i prokurorisë kishte detyrimin për ta thirrur atë dhe për t’i marrë dëshminë mbi këtë deklarim publik të kryer.
2.10. Edhe pse organi i prokurorisë nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor, ndoshta për shkak se nuk është njohur me deklarimin publik të Kryeministrit, atëherë shtetasi Edi Rama ka personalisht detyrimin ligjor që përsa kohë disponon një provë që tregon që materiali audio nuk është autentik, të paraqitet vetë menjëherë për të dëshmuar para organeve të prokurorisë, duke ia vënë në dispozicion këtë provë të siguruar prej tij, në rrugë zyrtare si Kryeministër, apo në rrugë private si i njohur i Agron/Geron Xhafaj apo mik i vëllait të tij që është Ministër i Brendshëm. Fshehja ndaj organit të prokurorisë së një të dhëne të rëndësishme për hetimet që po zhvillohen, përbën pengim ndaj drejtësisë dhe veprime a mosveprime që po pengojnë zbulimin e së vërtetës. Një veprim i tillë passjell përgjegjësi penale sipas neneve 301 dhe 304 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE
3.1. Nga deklarimi publik i Kryeministrit Edi Rama më datë 16.05.2018 , të cilin e gjeni edhe bashkëlidhur në CD, arrihet në konkluzionin se:
a) Kryeministri Edi Rama disponon një provë të rëndësishme për njëçështje penale që po hetohet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Konkretisht, ai deklaron se disponon “përgjigjen e një analize shkencore të kryer në një nga Laboratorët më të mirë në botë”, lidhur me materialin audio të publikuar nga Partia Demokratike më datë 14 Maj 2018.
b) Kryeministri Edi Rama disponon një provë ku vërtetohet sipas tij që materiali audio është joautentik.
c) Kryeministri Edi Rama disponon një provë ku vërtetohet sipas tij që materiali audio është një mashtrim.
ç) Prova që deklaron se disponon Kryeministri Edi Rama ka rëndësi për zbulimin e të vërtetës, për shkak se kjo “provë” bën të pafajshëm shtetasin Agron/Gernon Xhafaj, lidhur me dyshimin e arsyeshëm që ekziston ndaj tij për veprime që lidhen me trafikun e drogës, apo krijon dyshimin e arsyeshëm për veprime të kryera me dashje nga persona të tjerë.
3.2.Ne duam të besojmë se deklarimi i tij publik, se disponon një përgjigje të një analize shkencore të kryer nga një prej Laboratorëve më të mirë në Botë, nuk ka qenë një deklarim i papërgjegjshëm dhe që ka patur si qëllim thjeshtë manipulimin e opinionit publik mbi çështjen, apo intimidimin dhe paracaktimin e rezultatit të hetimit nga organi i prokurorisë. Edi Rama mban përgjegjësi për vërtetësinë e atij akti ekspertimi që pretendon se disponon, dhe për rrethanat dhe motivet e krijimit të kësaj prove shkresore.
3.3. Depozitimi në prokurori i kësaj prove shërben edhe si mundësi ligjore për të verifikuar saktësinë e përgjigjes shkencore, vërtetësinë e saj, mënyrën sesi është realizuar dhe në çfarë kushtet, si dhe do të ngarkonte me përgjegjësi penale cilindo që për motive të paligjshme, ka manipuluar rezultatin e asaj përgjigje shkencore, ka kryer ekspertim pa qenë kushtet e nevojshme teknike për realizimin e saj dhe nxjerrjen e konkluzioneve të pasakta dhe të pamundura, apo ka pasqyruar në të të dhëna të rreme, me qëllimin për të manipuluar opinionin publik mbi çështjen apo për të siguruar në mënyrë të paligjshme rrethana të favorshme për persona të caktuar të përfshirë në atë çështje penale. Ne nuk duam të besojmë se mosnjohja e opinionit publik mbi përmbajtjen konkrete të kësaj përgjigje, mosdeklarimi i emrit apo të dhënave mbi Laboratorin më të mirë në Botë ku kjo analizë është realizuar, si dhe mosdepozitimi në organin e prokurorisë të kësaj prove të siguruar nga Kryeministri, është bërë pikërisht për të shmangur këtë verifikim nga ana e organit të prokurorisë dhe për ti diktuar këtij të fundit mënyrën e përfundimit të hetimit.

3.4. Mirëpo, është fakt se Kryeministri Edi Rama nuk është paraqitur në organin e prokurorisë për të depozituar këtë provë që ai pretendon se disponon, edhe pse ajo ka vlerë për çështjen penale që po hetohet dhe personi që e disponon atë ka detyrimin ligjor që të paraqitet menjëherë në organin e prokurorisë për të dëshmuar apo kallëzuar lidhur me faktin që provohet nëpërmjet asaj përgjigje të analizës shkencore që ai ka kryer.
3.5.Në këtë rast, edhe pse Kryeministri Edi Rama deklaron se atë akt ekspertimi e ka kryer privatisht dhe ska pse e bën publik për opinionin, nuk e përjashton atë nga përgjegjësia ligjore që ka për t’u paraqitur dhe për ta dorëzuar në organin e prokurorisë, sa kohë që deklaron publikisht që e disponon. Fshehja e këtij dokumenti, me qëllim vështirësimin dhe pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj, është një akt i dënueshëm penalisht, sipas nenit 301 të Kodit Penal. Nga ana tjetër, edhe pse kanë kaluar 2 muaj që nga ky deklarim publik i Kryeministrit Edi Rama, ai nuk është paraqtur në organin e prokurorisë për provën e njohur që e bën “të pafajshëm një person”, edhe pse ligji parashikon detyrimin e paraqitjes menjëherë. Edhe ky mosveprim i Kryeministrit Edi Rama e ngarkon atë me përgjegjësi penale, sipas nenit 304 të Kodit Penal.
3.6.Në këtë rast, organi i prokurorisë në konkludimin mbi faktin se Kryeministri Edi Rama disponon një provë dhe po ia fsheh atë drejtësisë, në kundërshtim me detyrimin ligjor që kishte, për tia dorëzuar menjëherë, duhet ti referohet jurisprudencës së Gjykatës së Lartë. Sipas kësaj jurisprudence, aktet e ekspertimit privat përbëjnë vlerën e provës shkresore dhe përbëjnë një mendim shkencor të dhënë nga një person i liçencuar rregullisht si ekspert i fushës përkatëse të shkencës, sikurse ka ndodhur në rastin konkret(!!!). Konkretisht, Gjykata e Lartë në vendimin Nr. 34, datë 19.02.2009, është shprehur ndër të tjera se: “akti i ekspertimit” “privat” i përpiluar nga një person i liçencuar rregullisht dhe paraqitur në gjykim nga një palë ndërgjyqëse, përbën një provë shkresore që mund të lidhet me zgjidhjen e çështjes.Kjo sepse, në fund të fundit, në aspektin thjesht teknik, ai është një dokument i përgatitur nga një ekspert kompetent i fushës përkatëse të shkencës, i cili jep mendim tekniko-shkencor për konstatimin dhe sqarimin e fakteve që mund të kenë lidhje me mosmarrëveshjen në gjykim. Personi që ka përgatitur opinionin nuk është palë në gjykim, prandaj edhe mendimi shkencor i dhënë prej tij nuk mund të prezumohet e cilësohet vetvetiu si akt dhe qëndrim “i njëanshëm” i palës që ka porositur atë opinion. Aq më tepër kur, personi që ka përgatitur aktin, pra opinionin tekniko-shkencor, është person i liçencuar rregullisht si ekspert i fushës përkatëse të shkencës, sikurse ka ndodhur në çështjen objekt i këtij gjykimi. Në një rrethanë të tillë, nuk është në kapacitetin dhe misionin e gjykatës të mos marrë parasysh kompetencën profesionale e shkencore të ekspertëve të licencuar dhe as të bëjë dallim mbi besueshmërinë etike e profesionale mes tyre në varësi të faktit nëse janë caktuar ose jo nga gjykata, nëse janë apo jo të angazhuar pranë institucioneve shtetërore, etj”.

3.7. Deklarimi publik se ai disponon një përgjigje të një analize shkencore (pra provë – akt ekspertimi “privat”), duhet të ishte shoqëruar me paraqitjen menjëherë në organin e prokurorisë dhe dorëzimin e këtij dokumenti. Ndodhur në kushtet kur Kryeministri Edi Rama, jo vetëm nuk është paraqitur menjëherë në prokurori, por nuk ka bërë publike provën që disponon, atëherë ai duke fshehur një dokument (përgjigje e një analize shkencore), apo duke mos u paraqitur menjëherë në organin e prokurorisë për të dëshmuar/kallëzuar, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga nenet 301 dhe 304 të Kodit Penal. Për rrjedhojë prokuroria është e detyruar ta marrë atë në përgjegjësi penale.
3.8.Në rastin konkret, Edi Rama nuk përfshihet në rrethin e personave që përjashtohen nga detyrimi i parashikuar në nenin 304 të Kodit Penal, për shkak se ai është vënë në dijeni të asaj prove jo për shkak të detyrës apo profesionit (nuk është oficer i policisë gjyqësore, as prokuror dhe as gjykatës) dhe për pasojë ai nuk ka asnjë detyrim për të mos kallëzuar apo dëshmuar për të. Përkundrazi, ligji e detyronte ta kishte bërë menjëherë. Nga këto dispozita penale, kuptohet që detyrimi moral i shtetasve është ngritur në detyrim juridik për të paraqitur provën e njohur prej tyre për një person apo cështje penale, duke parashikuar përgjegjësi penale për mosparaqitjen.
3.9. Nga ana objektive, ky krim është kryer nëpërmjet veprimit të kundërligjshme të fshehjes së një dokumenti, që ka sjell si pasojë cenimin e veprimtarisë së rregullt të organeve të drejtësisë. Nga ana tjetër, nëpërmjet mosveprimit, që qëndron në mosparaqitjen menjëherë për të dëshmuar para organit të prokurorisë, për një provë që deklaron që e disponon dhe që e njeh, e cila ndikon në zgjidhjen e cështjes penale që po hetohet nga prokuroria.
3.10. Nga ana subjektive, ky krim është kryer me dashje, dhe me qëllim për të vështirësuar dhe për të penguar zbulimin e të vërtetës. Edi Rama, është subjekti i këtyre veprave penale, sepse është person madhor që ka mbushur përgjegjësinë penale dhe prezumohet se është i përgjegjshëm.

PËRFUNDIMISHT
Me anë të këtij kallëzimi që ju paraqesim, marrim përsipër të bëhemi përcues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi të cilët besojnë se vetëm zbatimi i ligjit do ta cojë drejt përsosjes shoqërinë tonë. Të atyre qytetarëve të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë. Ne besojmë se përpara ligjit jemi të gjithë njësoj, si Kryeministri apo ministri ashtu dhe çdo qytetar i thjeshtë shqiptar. Përfundimisht, nga sa analizuar më sipër rezulton se janë ezauruar të gjitha elementet e veprave penale konkrete të përcaktuara në objektin e këtij kallëzimi penal, dhe për pasojë organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë.Për këtë arsye, nga ana e organit të prokurorisë,
KËRKOJMË:
Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Detyrimi për të kallëzuar provën”, të parashikuara nga nenet 301 dhe 304 të Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara më sipër, si dhe të rrethit të plotë të zyrtarëve publikë të përfshirë në këtë akt kriminal.
Në përfundim bëjmë thirrje që institucioni juaj të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim, dhe e presim me vëmendje maksimale dhënien rrugë të këtij kallzimi sipas procedurës përkatëse dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të Kryeministrit Edi Rama, siç ligji detyron!
Me respekt,
KALLZUESI:
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
KRYETARI
Edmond SPAHO
GRUPI PARLAMENTAR I LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM
KRYETARI
Petrit VASILI