Marrota dhe Mendes zbulojnë “operacionin Ronaldo”, reagimi i legjendës Pele

106

Juventusi është duke u përgatitur për të mirëpritur triumfalisht Cristiano Ronaldon, të hënën e ardhshme, ndërsa kjo konsiderohet di goditja e shekullit në futboll. Ndërkohë, për këtë transferim ka folur edhe drejtori i përgjithshëm bardhezi, Beppe Marotta për mikrofonat e “Corriere della Sera”:
“Ishte një goditje e shkëlqyer e klubit, jam i lumtur, shumë i lumtur. Protagonistët e vërtetë të këtij transferimi janë vetë lojtari dhe aksionarët e Juventusit. Cristiano Ronaldo ishte i pari që besonte në këtë operacion, i pari që e lançoi atë, ai zgjodhi Juventusin.
Pas tij kemi kuptuar se mund ta shfrytëzojmë këtë mundësi, aksionerët e klubit kanë rënë dakord ta mbështesin këtë sipërmarrje. Unë insistoj, ishte një goditje e shkëlqyer e klubit. Gjithçka filloi kur kemi filluar të merremi me marrëveshjen e Cancelo, i cili ka të njëjtin menaxher të Ronaldos, dmth Mendes”.
Kënaqësia me suksesin e operacionit është shprehur edhe nga i njëjti agjent i CR7: “Ne duam të shprehim kënaqësinë më të lartë dhe lumturinë për Cristianon dhe zgjedhjen e tij për të shkuar te Juventusi, – tha ai Mendes. – Ronaldo është shumë i lumtur për të luajtur me një nga klubet më të rëndësishme në botë, ka vendosur tashmë se ku do të jetojë, është një apartament me çati të bukur, në qendër të Torinos”.

Pele: Kampionët si Ronaldo nuk lodhen kurrë me sfida të reja
Vendimi i Cristiano Ronaldos për t’i dhënë fund eksperiencës 9-vjeçare te Real Madridi dhe nënshkruar me Juventusin është veprimi i duhur, sipas legjendës së futbollit, brazilianit Pele. Ronaldo ra dakord për një kontratë katërvjeçare me kampionët e Seria A, për të kompletuar një transferim prej 100 milionë eurosh të martën.
Kapiteni i Portugalisë tha se dëshiron të fillojë një “cikël të ri” në karrierën e tij, në moshën 33-vjeçare, pasi ka fituar katër tituj Champions-i në pesë vitet e fundit në Madrid. Dhe Pele, i cili kaloi 18 vjet te Santosi, para se ta përfundonte karrierën e tij me New York Cosmos, e kupton vendimin e CR7.
“Urime, Cristiano! – shkroi ikona e Brazilit në Twitter. – Ishte e vështirë edhe për mua të bashkohesha me një skuadër tjetër, pas kaq shumë kohësh te Santosi, por bëra veprimin e duhur. Kampionët Si Ronaldo kurrë nuk lodhen me sfida të reja”.
Në të vërtetë, Ronaldo tregoi se ishte duke e konsideruar një sfidë të re në maj, pasi Real Madridi mundi Liverpool në finalen e Ligës së Kampionëve. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Real Madridin, Ronaldo, raportohet se ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, që do ta shohë atë duke futur në xhep nga 30 milionë euro për sezon. Dhe Juventusi duhet ta fitojë titullin në Seria A këtë sezon, në mënyrë që Ronaldo të bëhet lojtari i parë kampion në Itali, Spanjë dhe Angli.

Del Piero mrekullohet nga ardhja e Ronaldos te Juventusi
Alessandro Del Piero përshëndeti marrjen e Cristiano Ronaldos nga Juventusi dhe shpreson se ai do t’i rrisë mundësitë e klubit bardhezi për të fituar Ligën e Kampionëve. Ronaldo, 33 vjeç, përfundoi transferimin rekord për të dhe “Zonjën e Vjetër”, prej 112 milionë eurosh, duke lënë Real Madridin dhe zgjedhur Torinon për katër vitet e ardhshme. Ai i jep fund një karriere të suksesshme nëntëvjeçare me gjigandët e La Liga-s.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” dhe katër herë fituesi i Ligës së Kampioneve gjatë kohës së tij në kryeqytetin spanjoll shihet si një goditje e madhe për Del Pieron. Ky i fundit shpreson se golat e portugezi dhe mentaliteti i tij fitues mund të rrisin shanset e Juventusit për suksesin europian.
“Juventusi dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve, por jo vetëm, synon të njihet në të njëjtin nivel me klubet më të mëdha në botë, – i tha ai “Sky Sport Italia”. – Që nga viti 2006, ne kemi luftuar në futbollin italian, kështu që ardhja e Ronaldos bën një ndryshim në aspektin e imazhit për Seria A.
Ai është një lojtar që mund të shënojë nga çdo kënd dhe ka teknikë të shkëlqyer, por në krye të çdo aspekti ekonomik, mendoj se sjell dëshirën e pabesueshme për të fituar. Uria që ka, mënyra se si dëshiron të jetë më i miri, është ajo që e tërheq atë përpara, pothuajse po aq sa cilësia e tij e padiskutueshme”.
Del Piero beson gjithashtu se Seria A do të përfitojë nga transferimi i Ronaldos, duke thënë se kjo iu jep motivim ekipeve që kërkojnë të sfidojnë shtatë vjet “diktaturë” të Juventusit në kampionatin italian të futbollit.
“Është e mrekullueshme për Juven, e madhe për futbollin italian, me të vërtetë e madhe dhe e mrekullueshme për të gjithë qytetin dhe futbollin italian, që të gëzojnë gjithçka ai ende mund të bëjë. Juventusi është një klub i mësuar të përqendrohet në detajet, vendosmërinë dhe suksesin e ardhshëm, sesa në atë që sapo kishte.
Unë mendoj se kjo do të rrisë nivelin e konkurrencës në Itali, do të ngrejë dëshirën për ta mundur Juventusin, që ka fituar shtatë tituj me radhë. Sot njerëzit flasin për Juventusin, Torinon dhe Italinë në të gjithë botën, falë Cristiano Ronaldos”.