Liverpool nis bisedimet për të nënshkruar me Shaqirin

100

Liverpooli shpreson të përfundojë një marrëveshje për Xherdan Shaqirin, lojtarin e Stoke City, këtë muaj, njofton sot “Goal.com”. Jurgen Klopp e ka identifikuar shqiptarin e Zvicrës si një ndërkombëtar, i cili mund të mbështesë opsionet e tij sulmuese, ndërsa prania e një klauzole lirimi në kontratën 26-vjeçarit e bën marrëveshjen tërheqëse në aspektin financiar.
Shaqiri do të jetë në dispozicion për rreth 13 milionë paundë, pas largimit të skuadrës së tij nga Premier League. Vetë ish-lojtari i Bayern Munich është i prirur për një lëvizje në “Anfield”. Shaqiri ka folur publikisht mbi dëshirën e tij për të qëndruar në Angli, teksa bisedimet midis Liverpool, Stoke dhe përfaqësuesve të lojtarit janë duke u zhvilluar.
Klopp tashmë ka shtuar dy lojtarë, Naby Keita dhe Fabinho, në skuadrën e tij këtë verë, por është i vetëdijshëm për nevojën e përforcimeve të mëtejshme, nëse klubi i tij do të mbyllë hendekun ndaj kampionëve të Manchester City dhe të mbetet konkurrues edhe në Ligën e Kampionëve.
Shaqiri nuk do të shihet si dikushi, që do të hyjë dhe t’i fillojë lojërat menjëherë, si titullar, edhe pse Klopp vlerëson rëndësinë e thellësisë në pozicionet e tij sulmuese. Shaqiri shënoi tetë herë për Stoke sezonin e kaluar dhe ka bërë 92 paraqitje në total për këtë skuadër, që kur u bashkua nga Interi, në vitin 2015.