Fuga shpërthen ndaj shembjes së Teatrit: Fotografojeni krimin! Përhapeni në të gjithë botën këtë foto!

178

Nga Artan Fuga

Çfarë pamje magjepsëse!
O mrekulli e qëndismave të stërgjysheve disi të ngrëna nga koha që më kujtoni dalë nga sepetet artin e dikurshëm të fisit tim!
O rrudha të fisme në faqet e tua, o i moçmi që je prova time se nga kam ardhur!
O thinjat në vetullat mbi sy që tregojnë se ke jetuar, ke vuajtur, të kanë torturuar por ke jetuar, e mbijetuar!
O stigmat e të gjithëditurit të Nazaretit, o plagët hyjnore që ke marrë e të bëjnë të shenjtë!
O trupi i Mëmës që bart krenare shenjat se ke lindur djelm e varza që mbajnë lart flamurin e njerëzmit!
O heroi i kulturës shqiptare që të kanë goditur por nuk kanë të mposhtur!
O i urti i Botës që ecën në heshtje pa ua venë veshin atyre që të kanë gjuajtur me gurë shtigjeve të historisë!
O i varfri plot nder, mesazh i Hyjnores!
O anija e vjetër në dallgë që nuk jepesh!
O i braktisuri i mençur që sheh me sy ironie dhe faljeje të gjithë ato dhe ata, të pakët, që nuk e dinë, nuk e kanë mësuar, se vazhdimësia e jetës, kujtesa e jetës, e mban gjallë qenien njerëzore!

Me vjen t’i puth ato plagë!
Ato plagë që t’i zbuluan për të turpëruar sikurse një Nëne disa me maska i hoqën me dhunë shaminë e kokës, shenjë e lumturisë, qetësisë të amshuar, zisë, gëzimit, të gjitha bashkë!
Të zhveshën që të poshtërojnë me nudizëm, dhe ti ngrihesh gjigand si prova e krimit të braktisjes nga ne djemtë dhe vajzat e tua plangprishës.
Fotografojeni krimin! Përhapeni në të gjithë botën këtë foto!
Ali Pasha me kokë të prerë!
Shoqëria shqiptare që rreh veten me kamzhik dhe pastaj pyet : Perse me dhemb!
O muri im i qarjeve, psherëtimave, vuajtjeve, pendës ndofta!
Aty, aty, duhen bërë mbrëmjet e rezistencës qytetare!
Qarjet e gëzimit!
Vajtëm te vendi i krimit!
Shihe Leze se çfarë ka ndodhur nga papërgjegjshmëria jote dhe e gjithë atyre që kanë kaluar e hipur në atë mushkë që sot je ngarkuar ti, dhe nuk dihet se nga i çon drutë !