Denoncimi/ Hipoteka dhe Posta po më mbajnë “peng” tokën

337

Qytetari Pëllumb Rrahmani ka denoncuar në emisionin “Stop” një problem me Hipotekën. Një objekt të legalizuar e ka futur për Hipotekë dhe ka marrë përgjigje se do të merrte certifikatën me postë në datën 24 Mars të këtij viti. Por disa muaj më vonë, endet mes Postës dhe Hipotekës pa zgjidhje. Plot 3 muaj, dy institucionet kanë bërë “ping-pong” me qytetarin, duke hequr secila barrën e përgjegjësisë.
Pëllumb Rrahmani shpjegon se 15 vite më parë, tokën e tij e kishte lënë si garanci bankare për një shok. Të gjitha detyrimet e bankës u shlyen dhe dokumentet ishin në rregull. Në Dhjetor 2017 bëri regjistrimin për lejen e legalizimit. Prej këtij momenti shfaqen problemet. Kartela e Pasurisë e nxjerrë nga Hipoteka “ka ngecur” rrugës. Në Hipotekë i thonë që ky dokument ka dalë dhe i është dërguar Postës. Nga ana tjetër, Posta thotë që kjo certifikatë nuk ka mbërritur në zyrat e tyre, dhe e adresojnë sërish qytetarin tek Hipoteka.
Pëllumb Rrahmani: “Përshëndetje, jam Pëllumb Rrahmani! Kam një arë 762 metër katrorë me hipotekë. Këtë arë, para 15 viteve e kam lënë garanci në bankë për një shokun tim. Në vitin 2008 është likujdur komplet banka. Tek kjo arë ndërtoj një godinë. Në Dhjetor të vitit 2017 më del leja e legalizimit dhe i drejtohem Hipotekës për regjistrim. Por çfarë ndodh? Këtu te Hipoteka më del ara e bllokuar. Më thonë kjo arë është e bllokuar. Unë i them që është e likujduar nga detyrimet që kam pasur. Këta më thonë do të sjellësh deklaratën noteriale. Unë sjell deklaratën noteriale, bëj aplikimin. Më thanë që kartela e pasurisë do të vijë më datë 24.03.2018. Pres Postën dhe nuk më erdhi përgjigjia. Vij tek Hipoteka, më thonë ‘kjo ka dalë më datë 12.3.2018″.

BISEDA TEK HIPOTEKA:
Specialisti-Kjo ka dalë më datë 12.3.2018.
Qytetari-Po s’është në asnjë vend!
Specialisti-Në postën tranzit ke parë?
Qytetari-Kam shkuar në postën tranzit, kam shkuar në të gjitha postat dhe nuk…nuk rezulton.
Specialisti-Në Hipotekë rezulton e dalë.
Qytetari-Po ku mund të jetë, sipas jush tashi?
Specialisti-Zakonisht, këto ngecin tek posta tranzit.
BISEDA TEK POSTA:
Qytetari-U bë 3 muaj, që vij vërdallë…
Punonjësja- Po cfarë, të të them unë e shkreta? Në Hipotekë, nëqoftëse ato e kanë nxjerrë vërtetë! S’ta ka fajin Posta!
Për të zgjidhur këtë rast, ka ndërhyrë gazetarja e emisionit “Stop”. Ajo shkoi në ZVRPP Tiranë të interesohej për dokumentin e qytetarit Rrahmani. ZVRPP Tiranë konfirmoi se Hipoteka e kishte dorëzuar Kartelën e Pasurisë tek Posta Shqiptare, dhe kjo u vërtetua edhe nga numri i protokollit. Emisioni “Stop” mundi të merrte certifikatën e kërkuar, duke i zgjidhur problemin qytetarit Pëllumb Rrahmani. Me Kartelën e Pasurisë dhe me lejen e legalizimit, tek zyrat e ADISA qytetari bëri aplikimin për certifikatën e pronësisë për godinën dhe truallin. /tvklan.al