Mirush Kabashi: Mos e ofendoni diktaturën duke e krahasuar me këtë regjim

    115

    Artisti i merituar, “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi, është i ftuar në emisionin “Studio e hapur” të Eni Vasili, ku ka shpërthyer në akuza ndaj politikës në tërësi dhe qeverisë në veçanti.
    Duke folur kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, ai tha se ka censurë politike dhe ideologjike në Teatër që vendosin çfarë do të vihet në skenë e çfarë jo.
    Sipas tij, “Problemi kryesor që ka arti, në mënyrë specifike, ai skenik, është ligji.
    Politikën e Artit e vendos qeveria në mbledhjen e saj, drejtorët i cakton Kryeministri, bordin artistik e vendos ministri i Kulturës. Atëherë a ka më shumë politizim se kaq. Pra ata përcaktohen nga njerëz politik.
    Eni Vasili: Domethënë jemi në një kohë që mendonim se e kishim harruar?
    Mirush Kabashi: Jo më vjen keq. Mos e fyeni atë kohë. Në 88 Ramiz Aliaj ia kaloi kompetencat Këshillit Artistik. Sot as ky i fundit nuk zgjidhet nga artistët, e cakton ministri”, – tha ndër të tjera Kabashi.

    Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë, e sheh prishjen e Teatrit Kombëtar të lidhur me interesa të mafies së ndërtimit.
    Ai thotë se pas projektit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, qëndron mafia e ndërtimit.
    “Nuk e pashë projektin për teatrin e ri sepse nuk isha i ftuar në Kryeministri, pasi konsiderohesha me biografi jo të mirë artistike. Kur e sheh se si është konceptuar në urbanistikën e saj, atëherë e kupton se ajo nuk është e sinqertë dhe ajo nuk përmbledh mundësitë e ndërtimit të një Teatri Kombëtar, pavarësisht se aty është paraqitur ana arkitektonike dhe jo ana funksionale. Për këtë nuk është folur fare, ndërsa karakteri kombëtar i godinës së re nuk është përfillur fare. Teatri i Durrësit është në qendër të qytetit, ai i Shkodrës po ashtu, i Elbasanit apo i Korçës. Ndërsa Teatrin Kombëtar po e bëjmë një teatër krejtësisht të maskuar, të jetë një kusur apo një apendiks i ndërtimeve shumëkatëshe që do ndërtohen, ky është një abuzim që i kalon interesat e artistëve”, thotë ai.
    “Më shqetëson funksionaliteti dhe mundësia sesi mund të ndërtohet më mirë dhe fakti që imponohet dhe nuk bëhet një diskutim i hapur, sepse mund të ketë dhe variante të tjera, ndoshta më të mira. Ajo që kërkohet, mbi të gjitha është transparenca që të bëhet një gjë e qëndrueshme dhe artistike dhe të tillë mund ta bëjnë vetëm artistët dhe jo politika, e aq më tepër ekzekutivi, që mesa duket është i kapur dhe i lidhur me interesa të mëdha të një lloj organizmi të frikshëm, që quhet mafia e ndërtimit”, vijon më tej aktori i njohur.