Në dy vite, 26 mijë të vetëpunësuar kanë dalë të papunë

476

Në dy vitet e fundit, 2016-2017, Shqipëria numëron 26 mijë të vetëpunësuar më pak. Nga të dhënat zyrtare të Anketës Strukturore të Ndërmarrjes 2016, krahasuar me të dhënat e një viti më parë, numri i të vetëpunësuarve u tkurr me 16 mijë. Tkurrja ka vijuar edhe në 2017-n. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, treguan se në 2017-n kanë dalë nga skema rreth 10 mijë kontribuues nga kategoria e të vetëpunësuarve. Numrin e kontribuuesve në këtë kategori është ulur në 110,472 mijë më 2017 nga 120,460 mijë që ishin më 2016, apo 8.3% më pak, sipas ISSH.
Pesha e vetëpunësimit, ka ardhur në ulje, nga rreth 29% që ishte në anketën e vitit të mëparshëm në 23%, megjithatë ajo mbetet ndër më të lartat në Europë, së bashku me Turqinë dhe Greqinë.
Sipas të dhënave të OECD, ndër vendet me normë të lartë vetëpunësimi janë: Kolumbia (51%), Greqia (34%), Brazili (32%), Meksika (31%), Italia (23%).
Ekonomia shqiptare dominohet nga sipërmarrjet e vogla, ndërsa shqiptarët kanë parë si alternativë punësimi, vetëpunësimin.

Frika nga TVSH
Në 1 prill ka hyrë në fuqi ulja e kufirit të regjistrimit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Në këtë mënyrë, edhe bizneset që kanë një qarkullim ditor minimal prej 5,500 lekë në ditë do të jenë të detyruar të futen në skemë. Përveçse do t’u rriten koston e mbajtjes së kontabilitetit, në rast se nuk do të arrijnë të transferojnë TVSH-në në çmim (për shkak të konkurrencës), atëhere ata do të përballen me rënie të fitimeve. Shumë biznese kanë paralajmëruar se fitimet e tyre janë minimale dhe nuk do të arrijnë t’i mbijetojnë një rritjeje të kostove.
Me uljen e pragut të TVSh-së, biznesi i vogël, i cili është dhe gjeneratori i vetëpunësimit në Shqipëri, rrezikon që të pësojë goditjen e radhës.
Edhe të vetëpunësuarit shprehen se e kanë të pamundur që të përballojnë përfshirjen në skemën e TVSH-së. Aktualisht biznesi i vogël ka vështirësi për shkak të konkurrencës së shtuar nga qendrat tregtare dhe rënia e fuqisë blerëse.
Sipas burimeve zyrtare, në fazën e parë janë rreth 10 mijë biznese që kanë hyrë në skemën e TVSH-së, ndërsa rreth 60 mijë biznese mbeten jashtë kësaj skeme për momentin. Por, duke pasur parasysh kufirin e ulët prej 2 milionë lekësh, që nënkupton një qarkullim ditor prej rreth 5500 lekësh, një shumë minimale që realizohet nga pothuajse kushdo që ka një biznes, numri i të futurve në skemë mund të jetë më i madh, sidomos në sektorin e tregtisë. Sipas INSTAT, vetëm në sektorin e tregtisë ka rreth 42 mijë ndërmarrje me 1-4 të punësuar.
Ditën e djeshme bizneset protestuan kundër vendosjes së TVSH-së, pasi sipas tyre kostot që do të vijnë nga kjo taksë janë të papërballueshme.