Lubonja paralajmëron: Vendi në prag të një revolte të madhe, nuk ka mbetur mjet tjetër për të vepruar

1172

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar protestën e opozitës kundër rritjes së taksave dhe thirrjet për mosbindje civile. Në një lidhje direkte për rubrikën ‘Opinion’ në News24, Lubonja tha se tërheqja e Ramës për taksën pa gjetur më parë një zgjidhje për banorët e Kukësit është për shkak të frikës së tij dhe dhunës së krijuar dhe jo për shkak të opozitës.
“Rama tërheqje taktike për taksën në Rrugën e Kombit për shkak të dhunës që u krijua dhe frikës, por jo për shkak të opozitës. Kukësi ishte një theksim i kësaj metode qeverisje. Tërheqja e kryeministrit është frikë dhe jo reflektim. Është e gjithë struktura e qeverisjes së tij që nuk bëjnë gjë tjetër veçse bëjnë plane për të gënjyer dhe mashtruar shqiptarët”- tha Lubonja.
Lubonja tha se nuk rrezikohet pushteti i Ramës nga tensioni i krijuar për shkak të protestave. Ai tha se Rama ka kapur policinë dhe Prokurorinë.
“Nuk rrezikohet pushteti i Ramës nga tensioni i krijuar. Është një sistem që nëse vazhdon kështu do sjellë një katrahurë. Me këto metoda nuk shkohet kurrkund përveçse greminës. Ekzistenca e çdo opozite është se sado e vogël të jetë ajo, është më mirë se të mos jetë fare.

Opozita nuk është çliruar nga akuzat. Rama ka kapur policinë dhe prokurorinë”, tha analisti, raporton BalkanWeb.
Sipas Fatos Lubonjës mosbindja civile është pjesë e demokracisë. Ai u shpreh se nuk ka mbetur mjet tjetër për të vepruar dhe mosbindja civile është shkalla e fundit përpara një revolte si në vitin 1997.
“Mosbindja civile është pjesë e demokracisë. Kjo nuk është për të sjellë Bashën në pushtet, por për të shpëtuar fëmijët. Nuk është vetëm Kukësi, por e gjithë Shqipëria dhe duhen protesta sa më të gjëra. Dhuna nuk është e nevojshme nëse njerëzit bashkohen. Kuptimi i kësaj mosbindjes civile është se nuk ka mbetur mjet tjetër për të vepruar. Ata arrestojnë njerëzit për djegien e një kabine. Mosbindja çivie mendoj se është shkalla e fundit përpara një revolte siç ka ndodhur në Tunizi apo siç ndodhi në 1997 në Shqipëri”- tha Fatos Lubonja.