Berisha: Rama futi armë në Parlament nëpërmjet Bushatit, përshkallëzim dramatik

709

Ish-Kryeministri Berisha u shpreh se, Rama futi armë në Parlament nëpërmjet ministrit të tij Bushati. Berisha ka kërkuar nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të japë dorëheqjen e menjëhershme, pasi sipas tij, ka futur armë në Parlament me anë të oficerëve të tij, gjë e cila nuk lejohet.
“Ditmir Bushati duhet të japë menjëherë dorëheqjen, ka kryer aktin më të rëndë që mund të ketë kryer kush, ka futur armë në Parlament. Oficerët e tij të armatosur, janë të filmuar në sallën e Parlamentit, që s’mund të futen kurrë, dy oficerë të Ditmir Bushatit hynë sëbashku me frikacakun me armë në sallën e Parlamentit, ky përbën përshkallëzimin më dramatik dhe të rrezikshëm në historinë e Parlamentit. Është futur një herë një njeri me armë dhe ka qëlluar mbi deputetin Azem Hajdarin, po në qoftë se Edi Rama mendon se do të zgjidhë problemet me opozitën me armë, e garantoj se po i bën gropën e madhe vetes me shpejtësi të rrufeshme. Armë nuk futen kurrë në Parlament”, tha Berisha gjatë një interviste për gazetaren Mirela Milori në “Abc News”.
Ish-Kryeministri tha se, opozita ka mbështetur fuqishëm hapjen e negociatave. “Kemi deklaruar se mbështesim plotësisht hapjen e negociatave dhe miku i socialistëve Knut Fleckenstein iu tha shqiptarëve ndershmërisht se, protestat nuk pengojnë hapjen e negociatave”, tha Berisha.