Barcelona, Valverde “qan” akoma për humbjen në Romë

138

Ernesto Valverde i ka dhënë pak rëndësi rekordit të pathyeshmërisë së Barcelonës në La Liga, pasi mendja e tij është ende te eliminimi nga Roma në Champions League.
Barça fitoi 2-1 ndaj Valencia në “Camp Nou” dhe nuk humbet në kampionat prej 39 ndeshjesh, si askush tjetër në të kaluarën. Valverde ka qenë trajner në 32 nga këto sfida. Ai nuk ka humbur kurrë në La Liga si trajner i ekipit “blaugrana”.
“Ky nuk është momenti për të festuar rekordet. Për të qenë të ndershëm nuk më intereson shumë pathyeshmëria në kampionat, pavarësisht se fitorja ndaj Valencia na afron me titullin. Na duhen edhe shtatë pikë për t’u shpallur kampion, por ndjesia është se ne kemi dështuar prej eliminimit në Champions”, tha Valverde.
Më pas ai shtoi: “Me paraqitjen në Romë zhgënjyem tifozët tanë dhe do të na duhet pak kohë për ta harruar. Sot kompletuam 39 ndeshje pa humbje, por askush nuk ishte në humorin e duhur për të festuar”.