Trump-Kim, takimi më i rëndësishëm i vitit

106

Në Uashington po flitet shumë për atë që mund të jetë zhvillimi më i madh diplomatik i dekadës së fundit, një takim i mundshëm mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, pothuajse nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi takimin, i cili u njoftua pa paralajmërim javën e shkuar, duke befasuar të gjithë botën. Pas muajsh përçmimi ndaj udhëheqësit të Phenianit, Presidenti Trump është mbuluar nga shkëlqimi i një “rrufeje diplomatike” lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut. “Shumë njerëz menduan se po shkonim në luftë. Papritur, ofrohen për të zhvilluar një takim. Nuk ka lëshim raketash dhe ata duan të heqin dorë nga armët bërthamore”, u shpreh presidenti amerikan. “Do të vendoset për vendin dhe kohën e takimit. Nuk kemi të dhëna të tjera”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah në një intervistë për emisionin “THIS WEEK” në stacionin televiziv ABC. Takimi Trump-Kim është në fazat e hershme të planifikimit, thotë zoti Shah. “Është rënë dakord për këtë takim të mundshëm. Nuk po përcaktohen kushte të tjera. Ata nuk mund të zhvillojnë prova me raketa apo prova bërthamore, nuk mund të kundërshtojnë publikisht manovrat e planifikuara ushatarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut”. Në mënyrë të përsëritur, Presidenti Trump ka akuzuar paraardhësit e tij se dështuan për të trajtuar në mënyrë efikase kërcënimin bërthamor nga Pheniani. Një këshilltar i lartë i ish-administratës së Presidentit Obama, Ben Rhodes, e shikon me mosbesim takimin për të cilin thotë se mund të ketë përfitime ose humbje të mëdha.

“Është ekstreme të mendosh se Pheniani do të pajtohet të heqë dorë nga raketat dhe armët bërthamore brenda një takimi. Nuk mendoj që dikush që e shikon rastin do ta besojë këtë. Nuk duhet nxituar që situata të trajtohet siç duhet. Sepse, nëse gjithçka bazohet tek një takim dhe takimi dështon, rreziku i konfliktit do të rritej”. Vetë presidenti amerikan zotëron taktikën e pritjes. “Nuk dihet çfarë do të ndodhë. Mund ti jap fund takimit menjëherë ose mund të arrijmë marrëveshjen më të mirë për botën dhe për të gjitha vendet, përfshi Korenë e Veriut. Shpresoj të ndodhë kjo”. Ligjvënësit amerikanë nga të dy krahët e politikës kanë shprehur mosbesim të thellë lidhur me qëllimet e Phenianit. Shumë thonë se mundësia e një zgjidhje diplomatike për një sfidë të ndërlikuar bërthamore është shumë joshëse për ta refuzuar.

Koreja e Jugut vlerëson rolin e Kinës
Këshilltari i Koresë së Jugut për Sigurinë Kombëtare vlerësoi Kinën për rolin që ka luajtur për të nxitur Phenianin drejt bisedimeve të reja për çarmatim bërthamor. Takimi i Chung Eui-yong-ut me këshilltarin më të lartë për Politikën e Jashtme të Kinës, Yang Jiechi pason njoftimin e javës së kaluar për një takim mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un. “Presidenti Moon Jae-in dhe qeveria e Koresë së Jugut besojnë se, përparimet drejt arritjes së qëllimit për paqe dhe çarmatim bërthamor të Gadishullit Korean janë arritur me mbështetjen aktive dhe kontributin e presidentit Xi Jinping dhe qeverisë kineze”, tha Chung. Zoti Yang përsëriti qëndrimin e Kinës për një gadishull pa armë bërthamore dhe zgjidhje të problemeve nëpërmjet dialogut. Të dielën zyrtarët amerikanë deklaruan se nuk do të bëjnë lëshime ndaj Koresë së Veriut përpara takimit Trump-Kim dhe se do të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj Phenianit. “Nuk duhet gabuar, ndërsa këto negociatat janë në proces, nuk do të bëhet asnjë lëshim”, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Mike Pompeo për “Fox News Sunday”.

Zoti Pompeo tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut duhet të: “vazhdojë të na lejojë të kryejmë stërvitjet e nevojshme ushtarake me Korenë e Jugut dhe të sigurojë që në tryezën e bisedimeve të jetë diskutimi lidhur me çarmatimin bërthamor të ushtrisë së tij”.
Në të kaluarën, zoti Trump është tallur me mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Korenë e Veriut. Në tetor të vitit të kaluar ai i tha Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson se po “humbiste kohë”, duke konsideruar mundësinë e negociatave. Por të shtunën zoti Trump vuri në dukje rëndësinë historike që do të kishte pranimi nga ana e tij të ofertës së udhëheqësit të Phenianit për t’u takuar. I pyetur se çfarë mund të arrijë zoti Trump, duke zbutur qëndrimet ndaj udhëheqësit të Phenianit, senatori republikan Ron Johnson nga Wisconsi i tha CNN të dielën “jo shumë”. Një kundërshtare politike e zotit Trump, senatorja demokrate Elizabeth Warren e Masaçusetsit, tha për televizionin NBC se, “dua të shoh presidentin tonë të shënojë sukses, sepse nëse ai ia del, Amerika shënon sukses dhe bota është më e sigurt. Por druhem se Pheniani do ta përdori për qëllimet e veta”.