Problemet shëndetësore që kemi me ndërrimin e stinëve

188

Pranvera po vjen, por trupi jo gjithmonë reagon pozitivisht. Lodhje, dhembje koke, apati, gjendje dobësie, mungesë oreksi apo çdo gjë që fillon me rilindjen e stinës. Të gjitha këto shenja i atribuohen asaj që në gjuhën e popullit quhet “periudha e ndryshimit të gjakut”. Specialistët shpjegojnë disa nga sëmundjet që shoqërojnë periudhën nga kalimi i një stine në një tjetër. Ata shpjegojnë se cilat janë shkaqet e këtyre sëmundjeve, si dhe këshillat si të përballojmë më lehtë këtë fazë. “Ndryshimet stinore ndikojnë në ritmin biologjik të organizmit të njeriut. Ato shoqërohen me rritje të temperaturave, zgjatjen e ditës dhe ndryshimin e mënyrës së të ushqyerit. Trupit të njeriut i duhet kohë për t’u përshtatur me këto ndryshime”, shprehen ata. Kjo është arsyeja pse njerëzit ankohen shpesh për lodhje të tepruar, këputje, mungesë përqendrimi. Shenjat e mësipërme janë më të theksuara në persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, organizmi i të cilëve jo gjithnjë i përballon aq lehtë. Në fakt, kjo shihet si një periudhë tranzicioni me të cilën i gjithë organizmi i njeriut bën përpjekje për t’u ambientuar me stinën që vjen. Rizgjimi i stinës, kundrejt pozitivitetit që sjell pranvera, mbart me vete edhe pasoja negative. Specialistët renditin disa të tilla. Sipas tyre, sistemi që preket më shumë është ai kardiovaskular. Incidencën më të madhe për t’u prekur e kanë ata që vuajnë nga zemra dhe hipertensioni. “Mekanizmi është shumë i thjeshtë, pasi të gjithë e dinë se nga të ftohtit trupi i njeriut tkurret. Për pasojë dhe enët e gjakut. Duke pasur një seksion më të ngushtë në vazat e gjakut, ndodh rritja e tensionit mbi vlerën normale. Aty ku vazat e trurit ose të zemrës janë të ngushtuara ose të dobëta ndodhin infarktet. Po ashtu, duke u rritur tensioni, vazat e gjakut çahen”, shprehen ata.

Prandaj këshillohet që ata që vuajnë nga sëmundje të sistemit kardiovaskular të bëjnë një vizitë që në fillim të stinës. Mjeku kardiolog në këtë rast bën rritjen e dozës së medikamenteve gjatë kësaj periudhe. Më tej, në muajin qershor, kur fillon edhe vapa për të kaluar në stinën e verës, bëhet ulja e dozës së ilaçeve që rrisin vazat e gjakut. Me vapë, këtu nuk nënkuptohet djersitja normale në periudhën e verës. Specialistët shpjegojnë që vapa ndikon në sistemin e të sëmurëve duke i bërë ata të djersitin edhe kur ndodhen në hije. Ky është një tregues që me organizmin e tyre po ndodh diçka jo normale. “Përveç tyre, kemi dhe prekje të vazave periferike të gjakut siç janë arteriet autoimunitare si morbusburger, i cili shfaqet tek të rinjtë që pinë duhan dhe kanë inflamacione të vazave në anësi të poshtme. Po ashtu, njihet edhe morbustakajashi, i cili nuk është gjë tjetër veçse, pasja e duarve të ftohta gjatë gjithë kohës. Këto nuk shkaktohen nga ngushtimet e vazave, por nga inflamimi i arterieve dhe venave që ushqejnë me gjak duart. Edhe në këtë rast jepet si mjekim zgjeruesi i fazave. Po ashtu, infeksionet virale, shumë të përhapura shoqërojnë individët, sidomos fëmijët edhe në periudhën e pranverës. “Në periudhën që po kalojmë, të gjitha llojet e infeksioneve kanë një rritje të madhe si pasojë e dy faktorëve. Së pari, i ftohti bën që imuniteti i organizmit të ulet. Së dyti, njerëzit rrinë më tepër në ambiente të mbyllura, ku gripi transmetohet shumë më lehtë”. Por kjo nuk do të thotë që infeksionet e rrugëve respiratore i kemi lënë pas. Përkundrazi, ato i kemi akoma nëpër këmbë dhe në rast se nuk kurohen në kohë marrin përmasa të rrezikshme.

“Duhet pasur kujdes që këto viroza të mos komplikohen më tej me infeksione bakteriale, të cilat bëhen më të vështira për t’u mjekuar. E thënë ndryshe, këshillohet që një grip i thjeshtë të mbetet dhe të trajtohet si i tillë, pa marrë komplikacione të tilla si bronkopneumonia, sinusitet e ndryshme etj. Specialistët theksojnë që një infeksion viral të mos zgjasë më tepër se 3-4 ditë, të mos kapë organizmin me infeksione shumë më të rënda. Gripi është mirë të mjekohet në lidhje të ngushtë me mjekun, i cili di kur jepet dhe kur nuk jepet antibiotiku. “Kurrsesi nuk mund të merret një antibiotik në fazat e para të gripit. Duhet të tentohet fillimisht që ai të kalojë me vitaminë C, çajra dhe aspirina. Në rast se gripi nuk kalon për 3-4 ditë dhe temperatura është mbi 38 e gjysmë, këshillohet mjekimi tek mjeku”. Ka nëna që në dukje mund të quhen “të kujdesshme” i bëjnë dëm fëmijës së tyre duke i dhënë antibiotik jo në kohën e duhur dhe pa kriter. Në momentin që do të duhet një i tillë, atëherë nuk bën më punë, pasi organizmi ka fituar imunitet.

Depresioni, i thoni jo valiumit
Depresioni është një tjetër sëmundje që agravon gjatë dimrit dhe mund të ketë pasoja edhe në stinën pasardhëse. “Depresioni apo paradepresioni dhe gjendjet e ankthit rëndohen shumë gjatë dimrit për dy arsye. Në dimër shtohen orët noturne dhe ulen ato diurne”. Teksa shpjegon këtë, specialistët i referohen faktit që në vendet veriore të Evropës, si dhe në vendet skandinave ku ka më shumë ditë pa diell dhe netët janë shumë të gjata, ka më tepër vetëvrasje dhe gjendje depresive se në vendet me diell apo siç quhen në gjuhën mjekësore sunycountry. “Kjo ndodh pasi serotonina që është elementi që përmirëson humorin e njeriut, mendohet që sintetizohet më mirë dhe është më me shumicë në gjak. Kjo është arsyeja që për një njeri me depresion, në dimër agravohet gjendja e tij”. Kjo është ana e mirë e ardhjes së pranverës, e cila sjell një rritje të orëve të ditës dhe rritje të substancës që ngre humorin tek individët. Kalimi i periudhës së dimrit për në pranverë sjell një periudhë tranzicioni dhe ndryshimi në humorin e njeriut. Mjeku këshillon të kihet kujdes në moskalimin e depresionit me mënyra individuale. “Pacientët duhet të drejtohen medoemos tek mjeku psikiatër. Shumë pak prej tyre e bëjnë një gjë të tillë. Zakonisht ata marrin benzodiazitina apo valiume deri tek larguesit e ankthit. Individë të tillë bëhen shumë të varur ndaj tyre”. Nëse jeni me depresion, mos lejoni që ai t’ju përfshijë të tërin. Këshillohet dalja nga shtëpia, shoqërimi me njerëz apo gjetja e një hobi. Sipas specialistëve, këtë punë duhet ta bëjë psikoterapia.

Pranvera vjen me alergjitë ndaj pluhurit
Ardhja e stinës së pranverës shënon edhe fillimin e sëmundjeve alergjike. Nuk janë të paktë ata që rrinë me shami në dorë për të përballuar alergjitë e stinës. “Fillon poleni i disa luleve, i cili sjell lindjen e disa sëmundjeve alergjike, të cilat duhet të marrin mjekim si të gjitha sëmundjet e tjera”. Nuk janë të paktë njerëzit që preken nga alergjitë e ndryshme që në fillim të marsit. Njerëzit alergjikë ndaj pluhurit dhe polenit të luleve, me ardhjen e pranverës e dinë që papandehur do t’i lotojnë sytë, do t’i skuqen dhe do t’i kruhen qerpikët, tërë ditën do të teshtijnë. As dhjetëra facoleta nuk do të mjaftonin për të ndalur sëmundjen. “Alergjikët me përvojë, të cilat për çdo pranverë luftojnë me të njëjtin problem, me siguri do të provojnë disa mjete mjekësore, siç janë antihistaminikët, pikat për hundë, akupunktura, hemopatia apo hiposensibiliacioni (futja e alergjenit në mënyrë që në trup të krijohen antitrupat)”.

Lëkura, shqetësimi që sjell stina
Lëkura e njeriut tregon gjendjen e shëndetit, ushqimin dhe stilin e jetës që bën gjithsecili. Grupi i sëmundjeve të lëkurës është një tjetër shqetësim që vjen si pasojë e ndryshimit të stinëve. “Shfaqet kutismormorata apo siç e thotë populli morthi. Kjo vërehet në zona shumë të ekspozuara nga të ftohtit. Po ashtu personat me akne në fytyrë përkeqësohen, lind dermatidi atopid, ekzemat tek fëmijët etj.”. Specialistët shpjegojnë që shenjat e mësipërme vijnë nga çrregullimet në lëkurë, si pasojë e të ftohtit. Pra, lëkura merr më pak gjak se normalisht. Këto janë shenja që përmirësohen me lyerje dhe mjekime lokale, të cilat merren me rekomandim nga mjeku dermatolog. Këshillohet evitimi në maksimum i daljeve jashtë, nga ku ekspozimi është edhe më i madh për acarimin e lëkurës.