Koncesionet, 39% e HEC-eve planifikohen në zona të mbrojtura

349

Në datën 16 shkurt 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurat për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së koncesionit, për 3 hidrocentrale mbi lumin Osum, duke nënvizuar se mbështet veprat e reja energjetike, por projektet duhet të jenë në përputhje me kushtet teknike dhe në harmoni me mjedisin. Vendndodhja e HEC-ve të rinj ishin derdhja e përrenjve të Veleshnjës dhe Bigasit, degë e lumit Osum, që derdhet në Kanionet e Osumit, zonë që gëzon statusin e mbrojtjes “monument natyre”. Por, këto hidrocentrale nuk janë të vetmit, të projektuar në zonat e mbrojtura. Nga studimet më të fundit (viti 2017), të kryera në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, nga organizata Riverwatch dhe Euronature, ka rezultuar se rreth 39% e HEC-ve të ndodhen në zona të mbrojtura. Referuar statusit të mbrojtës, hidrocentralet, nuk kanë kursyer zonat ‘Rezervë Strikte Natyore”, që është kategoria më e lartë ligjore e mbrojtjes, parqet kombëtare (kategoria II), por edhe zona me mbrojtje ndërkombëtare sikurse janë zonat Ramsar apo Emerald. Ndërtimi i hidrocentraleve në këto zona, bie ndesh me legjislacionin shqiptar “Për zonat e mbrojtura”, ku ndër të tjera thuhet se në këto zona “janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë”. Ndërkaq, pas skandalit të 3 hidrocentraleve mbi lumin Osum, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka premtuar rishikim të të gjitha lejeve mjedisore të dhëna deri më tani. Ndërkohë që, e kontaktuar nga TV SCAN Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se, nëse Ministria e Mjedisit konstaton probleme në koncesionet e dhëna më parë, duhet të vërë në dijeni këtë dikaster e më pas të vijohet me procedurat e tjera që parashikon ligji dhe se ai do të zbatohet në çdo rast me rigorozitet.