Inceneratori e rafineria, dënim me vdekje Elbasanit

337

Këshilli Bashkiak në qytetin e Elbasanit, pas debatit të zhvilluar pak më parë lidhur me situatën e ndotjes në disa zona të këtij qarku.
Anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë thënë se kompanitë private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e Bradasheshit vazhdojnë punën në mënyrë të kundraligjshme dhe pa leje mjedisore.
Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, ka pranuar situatën dhe është shprehur se mungesa e reagimit nga politika dhe qeveria kanë sjellë degradimin e situatës.
Është hera e parë që Sejdini, i zgjedhur nga kryeministri Rama dhe socialistët është në mbështetje të vendimit të Këshillit Bashkiak për t’ju drejtuar qeverisë të ndalojë ndotjen.
Në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat, duke ftuar edhe qytetarët t’i bashkohen.

Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Endri Hasa ka denoncuar helmet që lëshohen nga inceneratori i Elbasanit, për të cilin thotë se po vret njerëzit.
Përveç inceneratorit Hasa thekson se, edhe rafineria po helmon ajrin dhe tokën e Bradasheshit në Elbasan.
“Kush po e vret popullin e Elbasanit? Inceneratori që reklamohet se nuk po rresht së pastruari Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë dhe suskesi i madh çoi Gjiknurin në Elbasan për t’i qarë hallin inceneratorit se nuk paska plehra mjaftueshëm. Nuk ka plehra mjaftueshëm që t’i marrin totalisht frymën popullit të Elbasanit. Nuk mjaftonte inceneratori na doli dhe Rafineria që nuk po helmon vetëm ajrin, por edhe tokën e Bradasheshit. Korrupsioni dhe babëzia qeveritare, po i vret njerëzit e qytetit tim”, shkruan Hasa në Facebook.

Banorët ankohen: Nuk hapim dot dritaret nga ndotja
Kur nuk janë mbushur ende as 6 muaj nga fillimi i punës, inceneratori i Elbasanit, jep shqetësimet e para tek banorët e zonës përreth.Të gjetur përpara një fakti të kryer tashmë, atyre nuk i mbetet veçse të pranojnë këtë fat të keq, ku fillimisht ishte ndotja nga Metalurgjiku shqetësimi kryesor e tanimë ky investim gjigant që sjell një erë të pakëndshme që nga dita e parë e punës e deri më sot në shtëpitë e tyre.
Nuk është e vështirë që të gjesh banorë, të cilët ankohen, pranë zonës së Katundit të Ri, buzë lumit Shkumbin, ku edhe është ndërtuar ky incenerator.
“Në mëngjes kur zgjohemi vjen një erë që s’hap dot dritaret e jo më të rrish këtu. Ata bënë mirë që e bën, por ne na prishën punë. Ne e patëm metalurgjinë gjithë këto vite, tani na futen këtë belanë tjetër. Kemi vetëm hallin e kalamajve se ne i kemi ditët e numëruara dihet”, thotë Arjani, banor i zonës.
Ky investim, i cili ndezi motorët në fillim të muajit prill të këtij viti ka një sipërfaqe prej 21 mijë m2 dhe një kapacitet përpunues maksimal 360 mijë metër kub. Kontrata konçensionare prej 7 vitesh është firmosur nga qeveria shqiptare me “Albtek Energy shpk”, ku vlera e investimit kap shifrën 22 milionë euro.
Duket se asaj që i frikësoheshin ambjentalistët po ndodh, duke mos harruar që ky investim ka shkaktuar shumë debate në kohën kur u miratua, kjo jo vetëm për shifrën e konsiderueshme, por edhe për teknologjinë që shumë nga ekspertët mjedisorë e quajtën të vjetruar dhe pa kurrfarë dobie për minimizim e ndotjes në Elbasan.

Elbasani ka qenë dhe mbetet qyteti ku ndotja e mjedisit ka qenë aq flagrante, saqë për banorët, u bë pjesë e mënyrës së të jetuarit. Përtej ironisë, ish-metalurgjiku e kompania që e shfrytëzoi atë, punoi pa shumë filtra mjedisorë, pa presion qeveritar, në dritë të diellit dhe duke dërguar dhuratat e duhura në xhepat e duhur. Megjithëse Kurum është mbyllur, aktiviteti i Albkromit dhe djegia e mbetjeve nuk e shpëtojnë këtë qytet nga ndotja.
Për Kryetarin e Klubit Ekologjik, Ahmet Mehmeti, situata paraqitet nën kontroll përsa ndotja nuk shihet me sy të lirë nga ky incenerator, megjithëse është akoma herët për të folur.
“Plastika është ajo që dominon, pra pjesa më e madhe e mbetjeve dhe si e tillë djegia e saj nuk mund të jetë më shumë se 10%. Riciklimi i mbeturinave do të bëjë atë që ndotja të shkojë drejt 0-ës. Por ne jemi në vazhdën e monitorimeve të vazhdueshme për të dalë në konkluzione të detajuara në lidhje edhe me pretendimet e banorëve të zonës”.
Ai shton se, “Kurumi e ka ndërprerë punën, por mbetet ende Albkromi që emeton në ajër, dhe që duhet të marrin masa urgjente për filtra mbrojtës për të mos dëmtuar mjedisin”.
Banorët shprehen skeptikë mbi këtë situatë dhe zgjidhjen e saj.

“Sa të duash ka erë, shumë ndjehet. Por ku do ankohesh? Kush ta merr për bazë? E ka qeveria në dore atë punë, s’kemi ku të ankohemi fare, vetëm të vuajmë. Kur fryn erë sidomos s’rrihet fare këtu, aq erë e keqe vjen, megjithëse kur kanë ardhur përfaqësuesit e Bashkisë, ne jemi ankuar për shumë çështje përveç kësaj, por s’kemi krahë. Ne duam një përkrahje, një mbështetje, si popull”, thotë Ylli, i cili banon prej 20 vitesh në Kantund të Ri.
Ndërsa Majlinda guxon pak më shumë, duke thënë se ndotja po i sëmur fëmijët. “Në darkë vjen shumë erë, aromë e rëndë, dhe e gjitha sëmundje është. Vajzën e vogël e kam shtruar disa herë në spital me probleme në frymëmarrjen gjatë këtyre 3 muajve”, rrëfen ajo për Citizens Channel.
Po ç’ teknika përdor firma kontraktuese për përpunimin e mbetjeve? Sipas Enid Dines përfaqësuesit të firmës “Albtek Energy shpk”, në këtë impiant hiqen mënjanë metalet, aluminet, qelqet dhe pjesërisht plastika.
“Kemi rreth 50 punëtorë dhe 10 përfaqësues të shoqërisë italiane që prej 2 vitesh realizojnë operimin e impiantit dhe trajnimin e stafit tonëinxhinierik. Proçeset e selektimit janë 2 turne nga 8 orë, ndërsa proçeset e ngarkimit, pastrimit, menaxhimit dhe monitorimit realizohen me 3 turne nga 8 orë”, shpjegon ai.

Ndërsa i pyetur për shqetësimin e banorëve mbi erën e keqe Dine thotë se: “Ne nuk kemi informacion për aroma të këqia në impiant, madje kemi pritur shumë vizitorë gjatë kësaj periudhe shfrytëzimi dhe nuk është ndjerë ndonjë aromë. Gjithsesi nga organizata ambientaliste dhe Ministria e Mjedisit bëhet monitorim i rregullt si për ujërat nëntoksorë përreth impiantit ashtu edhe për ajrin dhe ka rezultuar çdo gjë brenda kritereve dhe standardeve europiane. Në këndvështrimin tonë është e qartë që ky impiant ka ndikuar drejtpërdrejtë në zhdukjen e ndotjes që gjenerohej nga djegia e hapur e plehrave të venddepozitimittë vjetër i qytetit të Elbasanit para përfundimit të këtij impianti”, përfundon ai.
Inceneratori i Elbasanit është i pari që është ndërtuar nga shtatë që ka planifikuar të ndërtojë qeveria shqiptare me përdorimin e skemës së njohur partneritet publik-privat. Një javë më parë u shpall edhe fituesi i konçesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës me vlerë 140 milionëeuro dhe kohëzgjatje 30 vjet.
Inceneratorët e tjerë planifikohen të ndërtohen në Fier, ku është shpalluar kompania fituese e konçesionit, por banorët e zonës ku do të ndërtohej inceneratori nuk kanë lejuar ndërtimin e tij, Sarandë, Maliq, Porto Romanodhe Shkodër.