Ushqimet që ndihmojnë për një lëkurë të shëndetshme

255

Mund të përdorni të gjithë kremrat dhe pomadat më të shtrenjta në treg, por për të pasur lëkurë të butë dhe me shkëlqim, ushqimi është ilaçi më i fuqishëm. (Mund të jetë edhe armiku më i keq, sheqeri sidomos). Dermatologët kanë zbuluar 5 ushqimet më të mira për lëkurën, të cilat e hidratojnë, luftojnë rrudhat, njollat dhe puçrrat, madje mund të lehtësojnë edhe ekzemën dhe psoriazën.

Avokado
“Konsumoj të paktën një avokado në javë. Ajo siguron yndyra të pangopura që mbrojnë membranat qelizore dhe mbajnë lëkurën të butë, të lëmuar dhe të hidratuar. Avokado është gjithashtu e pasur në fitokimikë që shërbejnë si antioksidues të fortë, të cilët mbrojnë lëkurën nga dëmtimet, së bashku me vitamina dhe minerale që trajtojnë problemet në lëkurë”, shprehet Charles Crutchfield, profesor i dermatologjisë tek Universiteti i Minesotës.

Fara liri
“Konsumoj fara liri të bluara ose vajin e nxjerrë prej tyre rregullisht. Farat e lirit përmbajnë disa përbërës bimorë që funksionojnë si acidet yndyrore omega 3 për të luftuar inflamacionin që shkakton akne dhe parandaluar tharjen e lëkurës. Ato mund të ndihmojnë gjithashtu në trajtimin e problemeve në lëkurë, si psoriaza dhe ekzema. Vaji i farave të lirit ndihmon gjithashtu me tretjen. Kjo është e rëndësishme, duke qenë se nxjerrja jashtë e toksinave nga trupi është e rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm dhe pamjen e jashtme të lëkurës”, shprehet Robin Evans, themelues i klinikës Southern Connecticut Dermatology.

Çokollatë
Lajmi i mirë: Çokollata është e mirë për lëkurën. Kakao përmban flavonole, të cilat luftojnë tharjen e lëkurës duke parandaluar humbjen e lëngjeve në sipërfaqe të saj. Flavonolet e kakaos përmirësojnë gjithashtu edhe qarkullimin e gjakut, kështu transportohen më mirë lëndët ushqyese dhe oksigjeni në lëkurë. “Më pëlqen çokollata e zezë, që përmban rreth 70% kakao dhe konsumoj 1 në ditë”, thotë Arielle Kauvar, drejtuesja e klinikës New York Laser & Skin Care.

Grejpfrut
“Më pëlqen të konsumoj grejpfrut në darkë. Krahasuar me qitrot e tjerë, ka më shumë vitaminë C, e cila i nevojitet trupit për të prodhuar kolagjen për qetësimin e lëkurës. Dhe nëse ka indeks të ulët glicemik, ka më pak ndikim në sheqerin në gjak krahasuar me frutat e tjerë. Kjo është e rëndësishme, duke qenë se nivelet e qëndrueshme të sheqerit në gjak ngadalësojnë procesin natyral të plakjes që shkatërron kolagjenin”, thotë Harold Lancer, themeluesi i Lancer Dermatology në Beverly Hills.

Fruta të thata
“Konsumoj fruta të thata me kos çdo mëngjes. Frutat e thata kanë efekt antiinflamator, ndërsa probiotikët në kos mbrojnë lëkurën nga aknet dhe ekzema. I rekomandoj gjithmonë pacientët që të pinë sa më shumë çaj – polifenolët e çajit na mbrojnë nga rrezet ultraviolet të diellit”, shprehet Debra Jaliman, asistente profesore e dermatologjisë tek Shkolla Mjekësore Icahn në New York.

Stresi dhe ndikimi i tij në lëkurë
Nëse je duke kaluar një periudhë të vështirë, mos u çudit nëse lëkura jote humbet shkëlqimin dhe butësinë. Truri reagon dhe stresi prodhon disa substanca të quajtura neurotransmetues, të cilat shtrëngojnë enët e gjakut duke shkaktuar një ngadalësim të qarkullimit. Cili është rezultati? Epiderma bëhet opake dhe rrudhat rreth syve, buzëve dhe gojës theksohen më tepër, duke e bërë lëkurën tuaj që të ngjajë më e plakur. E nëse stresit i shtohet edhe një ambient i ndotur qyteti, plakja është padyshim e parakohshme. Më të rrezikuarat janë femrat e reja nga 20 deri në 30 vjeç. Sugjerimet e specialistëve për këtë grupmoshë janë: Kushtoji çdo ditë një gjysmë ore kohë vetes tënde, lexo një libër, bëj joga ose bëj ushtrime të frymëmarrjes së thellë. Pra, kaloje kohën ashtu siç të pëlqen ty, por dhe pasuro kozmetikën me trajtime rivitalizuese.

Pasojat e ndotjes në lëkurë
Nëse jeton në qytet, çdo ditë je e detyruar të bësh llogaritë me ndotjen. Ajri që të rrethon dëmton shtresën mbrojtëse të lëkurës tënde dhe në të njëjtën kohë depozitohen mikrograme dhe substanca toksike në formë pluhurash metalikë të padukshëm. Në këtë fushë beteje padyshim që fytyra jote është në radhë të parë: Ndotet dhe merr një ngjyrë gri në kafe. Pa llogaritur këtu rreziqet e zhvillimit të alergjisë. Në epidermat më të ndjeshme, akumulimi i substancave të jashtme mund të shkaktojë irritime të bezdisshme antiestetike. Të vegjëlit zakonisht kanë një jetë më të mbrojtur dhe më pak të ekspozuar në krahasim me shtëpiaket ose punëtoret, që çdo ditë janë në kontakt me substanca alergjike si detersivë, spray dhe ozoni që është prezent në disa fotokopje. Sistemi imunitar i të rriturve është më delikat dhe gati që të shpërthejë në reagime alergjike në prezencë të substancave irrituese. Pastroje gjithmonë lëkurën me kujdes me detergjentë delikatë. Nëse e ke të irrituar ose sensibël, evito ato që përmbajnë sodiolaurilsolfato (substancë kimike që rrit irritimin), si dhe produktet që bëjnë shumë shkumë. Ato kanë një efekt të madh në heqjen e yndyrës deri në thellësi dhe e lënë lëkurën më të ekspozuar nga pluhurat alergjizues.

Pasojat e duhanit
Cigarja e rëndon pamjen e lëkurës tënde, aq sa specialistët thonë “fytyrë tym” për të treguar atë bashkësi rrudhash rreth syve, buzëve dhe gojës që krijohen mbas dhjetë vjet pirje e rregullt cigaresh. Cigarja bën keq, sepse nikotina krijon një lloj tape që pengon oksigjenin që të hyjë në inde. Dhe pa oksigjen qelizat mbeten të uritura dhe nuk arrijnë që të jenë të shëndetshme. Në këtë mënyrë, lëkura humbet shkëlqimin, epiderma thahet dhe irritohet plotësisht. Përveç kësaj nikotina prish mikroqarkullimin, duke penguar prodhimin e kolagjenit dhe të fibrave elastike. Kështu lëkura humbet elasticitetin dhe plaket më shpejt. Nëse je vajzë e re dhe lë cigaren, dëmet e saj mund të riparohen dhe në mënyrë mjaft efikase. Ndërsa për një 40-vjeçare që ka 10 vjet që e pi cigaren, dëmet janë më të vështira për t’u eliminuar dhe nganjëherë të pakthyeshme. Kërko t’u thuash lamtumirë cigareve dhe ndërkohë shto konsumin e vitaminës A. Gjendet sidomos në vezë, në domate, në spinaq dhe është vitamina e preferuar si një element toksik ndaj duhanit. Kremi i duhur është ai antirrudhë.

Pasojat e diellit
Bukuria jote e ardhshme varet edhe nga raporti që ti ke me diellin sot. Me kalimin e viteve epiderma reagon ndaj agresorëve diellorë dhe shtresa e jashtme e saj humbet elasticitetin. Mbrohu gjithmonë nga rrezet e diellit dhe jo vetëm në verë ose kur je në mal. Edhe dielli që merr kur je në qytet, madje edhe në dimër, e vë në provë të fortë lëkurën tënde. Duhet të përdorësh kremra me filtra UV, madje edhe fondotintën blije me këtë cilësi.
Dicitura
Avokado është e pasur në fitokimikë që shërbejnë si antioksidues të fortë, të cilët mbrojnë lëkurën nga dëmtimet
Lajmi i mirë: Çokollata është e mirë për lëkurën
Grejpfruti krahasuar me qitrot e tjerë, ka më shumë vitaminë C, e cila i nevojitet trupit për të prodhuar kolagjen për qetësimin e lëkurës
Farat e lirit përmbajnë disa përbërës bimorë që funksionojnë si acidet yndyrore omega 3 për të luftuar inflamacionin që shkakton akne dhe parandaluar tharjen e lëkurës