Taksa e re, izolim dhe apartejd për Veriun e vendit, pjesë e planit për ta ndarë nga Shqipëria

443

Enver Bytyçi

Në Kalimash po merr formë ndërtimi i pikës së kontroll-pagesave për Rrugën e Kombit! Kushdo që kalon aty sheh sesi është konstruktuar ky pikëndalim-pagese për çdokënd që hyn dhe del nga Rruga e Kombit. Secili drejtues mjeti së shpejti do të paguajë 5 euro në shkuarje e 5 të tjera në kthim. Por askush nuk reagon! Për çudinë e çudive Bashkia e Kukësit hesht! Opozita në Kukës hesht! Opozita shqiptare hesht! Kukësianët gjithashtu heshtin! Heshtin edhe pse taksa e Rrugës së Kombit është një diskriminim i papranueshëm, jo vetëm një masë që varfëron edhe më tej njerëzit më të varfër të Shqipërisë e të Europës, kukësianët! Eshtë taksë diskriminuese, sepse më parë se të vendosej taksë për Rrugën e Kombit do të duhet të vendosej kjo taksë për superstradën Tiranë-Durrës! Sepse kjo superstradë është ndërtuar 15 vjet para Rrugës së Kombit.
Pagesa për Rrugën e Kombit dhe mospagesa për atë Tiranë-Durrës është një vendim politik. Si i tillë taksa duhet kundërshtuar me forcë e me të gjitha mjetet. Eshtë vendim politik, sepse qeveria e rilindjes i trajton votuesit kukësianë si votues të Partisë Demokratike, ndërkohë që votuesit e Tiranës i trajton si të priveligjuarit e saj! Ky vendim politik thellon diskriminimin e shqiptarëve. Kukësianët edhe pa taksën e Rrugës së Kombit janë të diskriminuar dhe trajtohen si “qytetarë të dorës së dytë”! Gati jetojnë në geto. Taksa do t’i vendosë ata në Karantinë. Në të vërtetë Edi Rama e kishte paralajmëruar që për kukësianët do të vinte viza që ata të vinin në Tiranë. Paraardhësit e Edi Ramës kishin përgatitur madje një projekt, sipas të cilit Kukësi, Hasi dhe Tropoja t’i bashkëngjiten Kosovës, ndërkohë që veriu i Kosovës t’i bashkëngjitej Serbisë. Kjo zgjidhje e propozuar më 1998 për komunitetin ndërkombëtar i thotë të gjitha.
Edi Rama thjesht ka guximin që t’i bëjë realitet projektet e përçarjes kombëtare. Taksa e Rrugës së Kombit është kosto financiare për banorët e zonës, është taksë politike dhe ndëshkim për votën kundër rilindjes, është taksë e ndëshkimit krahinor bazuar në urrejtjen e Edi Ramës, Gramoz Ruçit dhe kupolës së rilindjes për “shpellarët”, “alpinët”, ‘malokët”, njerëzit që janë mësuar të jetojnë në liri edhe kur Shqipëria ishte e rrethuar nga telat me gjemba, roje të së cilës ishin paraardhësit e rilindasve tanë! Për të gjitha këto arësye qytetarët kukësianë dhe të malësisë duhet të protestojnë dhe të mos pranojnë asnjë lloj takse për Rrugën e Kombit, sa kohë që kjo taksë nuk vendoset për rrugë të tjera të ndërtuara shumë kohë para saj! Të protestojnë dhe të ndalojnë zbatimin e këtij projekti varfërues, diskrimunues e poshtërues të njerëzve që lirinë dhe Zotin i kanë të shenjta. Të protestojnë dhe për gjithë ato pasuri ujore e nëntokësore që shteti ua grabit pa ju dhënë asnjë grosh mbrapsht! Të protestojnë dhe për investimet diskriminuese që qeveria e rilindjes bën në këto zona! Të protestojnë dhe t’i tregojnë vendin bandës së krimit që ushtron dhunë diskriminuese deri në aparteid ndaj qytetarëve të saj!