Rakitiç: Barcelona varet nga Messi

69

Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitiç, emëroi bashkëlojtarin e ekipit, Lionel Messi, si më të mirin në histori. Messi, 30 vjeç, është padyshim lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, pasi ka fituar pesë herë “Topin e Artë” dhe shumë trofe të tjerë në ekip, duke përfshirë tetë kurora të La Liga-s dhe katër Liga Kampionësh. Rakitiç e lavdëroi shokun e tij të Barçës, duke thënë se argjentinasi ndërkombëtar mund të kthejë fatin e një loje në çdo moment. “Ai është referimi, loja jonë varet shumë prej tij. Messi nuk ka nevojë të flasë për t’u kuptuar, një gjest është i mjaftueshëm, tha kroati për ‘Antena 3’. Leo është më i miri në histori, i aftë për ta kthyer ndeshjen në një sekondë. Është maksimalisht i karrikuar, sepse e di që të gjithë shohin atë”.
Rakitiç arriti në Barcelonë nga Sevilla në vitin 2014 dhe i ka ndihmuar gjigantët spanjollë të fitojnë dy kurora të La Liga-s dhe një titull të Ligës së Kampionëve. Mesfushori i Kroacisë tha se Messi luajti një rol kyç në ndihmën që të ambientohet në “Camp Nou”: “Ai ishte një nga të parët, që më mbështeti kur erdha. Përherë më pyeste nëse kisha nevojë për diçka. Ai është një person krejt i veçantë nga të tjerët”.