Pasojat e nënpeshës në organizmin tonë

215

Termi “nënpeshë” i referohet një peshe trupore më të vogël se ajo që konsiderohet si pesha “ideale” apo “e shëndetshme”. Shkaku më i shpeshtë i saj është kequshqyerja, si në aspektin sasior, edhe atë cilësor, por këtu nuk bën përjashtim as gjenetika. Nëse nëna vuan nga një problem i tillë, në 40% të rasteve kjo trashëgohet edhe tek fëmija. Problemi kryesor në rastin e nënpeshës është të sqarohet nëse ajo është parësore, pasojë e faktorëve që e kanë shkaktuar (gjendja e keqe ekonomike, stili i jetesës, sëmundjet e ndryshme si: hipertireoza, diabeti i sheqerit, kanceri, tuberkulozi, SIDA, sëmundjet e stomakut dhe zorrëve, anoreksia nervore) apo dytësore, pra simptomë e një sëmundjeje tjetër. Pavarësisht nga shkaku i nënpeshës, fiziologjik apo patologjik, ajo çon në uljen e aftësive mbrojtëse të organizmit, duke e bërë atë më të prekshëm nga infeksionet. Gjithashtu, femrat me nënpeshë të rëndësishme, mund të kenë amenorrhe (mungesë të menstruacioneve), të shfaqin paaftësi për të mbetur shtatzëna (infertilitet), si dhe ndërlikime të mundshme gjatë shtatzënisë edhe nëse e realizojnë atë. Mund të konstatohet edhe anemi dhe rënie e flokëve. Nënpesha konsiderohet edhe si një faktor i madh risku për osteoporozën, madje edhe në moshat e reja. Kjo pasojë zhvillohet në heshtje, pa dhënë shqetësime të veçanta që të mund ta alarmojnë personin. Episodi i parë i dukshëm i saj mund të jetë një frakturë (thyerje) spontane e kockës, që korrespondon me një stad të avancuar dhe të parikthyeshëm të dëmtimit të kësaj të fundit. Edhe pse nënpesha nuk konsiderohet një problem aq i madh sa obeziteti, ajo shkakton po aq vdekshmëri sa edhe obeziteti ekstrem (obeziteti morbid, BMI >40).

Ato së bashku mund të konsiderohen reflektime të mirëfillta të mënyrës moderne të ushqyerjes dhe presionit social, me pasoja të rënda për shëndetin. Skema e trajtimit të personave që janë nën peshën e tyre ideale konsiston në kombinimin e disa faktorëve të rëndësishëm, si ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes, stilit të jetesës, dhe/ose përdorimit të disa medikamenteve që nxisin oreksin. Mënyra më e shëndetshme për të shtuar në peshë bazohet në rritjen e një kalorazhi ditor, që të tejkalojë sasinë e kalorive që mund të harxhohen gjatë ditës. Lidhur me këtë, rekomandohet shtimi në ushqimet që konsumohen, i sasive të duhura të produkteve si: gjalpi, ajka e qumështit, gjalpi i kikirikut, vaji i ullirit, salca e bardhë dhe ajo e domates, majoneza, farat dhe arrat, pasi shtojnë kalorazhin e tyre. Gjithashtu, mjaft efikase në këtë drejtim mund të jetë ngrënia e ushqimeve me shumë kalori, me përmbajtje të lartë proteinike dhe me yndyrna të shëndetshme, si: peshku ton, salmoni, merluci, sardelet, fileto e kraharorit të pulës dhe gjelit, mishi i viçit pa dhjamë, veza, frutat (4-6 fruta të ndryshme në ditë), perimet (kryesisht fasulja, bathët, bizelet, brokoli, lakra, karota, patatja), qumështi dhe kosi me pak yndyrë, djathi dhe salca e tij, makaronat e bardha, orizi i bardhë, buka e bardhë. Për sa i takon lëngjeve, rekomandohet kryesisht pirja e ujit gjatë gjithë ditës, por edhe e lëngjeve me shumë kalori, si: boza, qumështi dhe lëngu i frutave. Respektimi i një regjimi ushqimor të rregullt është gjithashtu i rëndësishëm për shtimin në peshë.

Kështu, rekomandohen 6 vakte në ditë, 3 vakte kryesore dhe 3 vakte të vogla ndërmjet tyre. Shëtitjet në ajër të pastër e nxisin oreksin. Gjumi i rregullt, në orare dhe kohëzgjatje normale, gjithashtu ndihmon në shtimin në peshë. Mund të jetë e nevojshme edhe marrja e komplekseve vitaminike zëvendësuese, për personat që nuk marrin mjaftueshëm vitaminat ose mineralet nëpërmjet ushqimit.