Komisioni, hetime të reja Ramës e Tahirit për drogën

134

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka marrë dje vendimin të dorëzojë kërkesën për një Komision Hetimor për çështjen e drogës dhe çështjen e Saimir Tahirit, që është e njëjta çështje faktikisht.
Përmes një deklarate për mediat, pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat, Basha deklaroi se Komisioni Hetimor i kërkuar nga opozita do të nxjerrë në dritë të vërtetën se droga është bërë me dijeninë, bekimin dhe nën mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Basha tha se, Rama dhe Tahiri ktheu Parlamentin në Gjykatë për të mbrojtur Tahirin dhe tani po përdor pushtetin ekzekutiv për të prishur hetimin për ish-ministrin e Brendshëm.
Gjithashtu ai theksoi se, Rama dhe Tahiri janë vënë në dijeni zyrtarisht nga Shërbimi Informativ i Shtetit dhe shërbime të tjera inteligjente të huaja se Shqipëria po mbytej në drogë.
Basha tha se, komisioni do të hetojë duke nisur me Saimir Tahirin e duke vazhduar me oficerët më të lartë të policisë dhe përfituesit politikë, njerëzit që kanë ndarë paratë e drogës për të blerë zgjedhjet e 25 qershorit dhe jo vetëm, për të blerë pasuri brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Basha bëri të ditur se Komisioni Hetimor është një hap institucional, por jo i vetmi hap që PD do të hedhë, derisa të vendosen përgjegjësitë e gjithë bandës që nuk e ka vendin në qeveri, por e kanë vendin para drejtësisë.
“Kjo kërkesë ka marrë edhe mbështetjen e grupeve të tjera opozitare parlamentare dhe do të depozitohet ditën e sotme.
I gjithë opinioni publik është njohur me faktin se për dy vite me radhë, ndërsa Shqipëria po shndërrohej në një hambar të mbjelljes, kultivimit, korrjes dhe trafikimit të drogës, Ministria e Brendshme, kryeministri, Policia e Shtetit dhe gjithë hallkat e tjera ishin në disponim zyrtar të informacionit se kjo bëhej vetëm përmes përfshirjes së drejtpërdrejt të kupolës më të lartë të drejtueseve të Policisë së Shtetit dhe oficerëve të lartë të policisë në terren. Bëhej drejtpërdrejt me bekimin, rryshfetin dhe bashkëndarjen e drogës dhe të ardhurave të drogës nga ata që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të luftuar drogën dhe krimin, nga kupola më e lartë e Policisë së Shtetit.
Edi Rama e ka pasur këtë informacion mbi tavolinë, Saimir Tahiri e ka pasur këtë informacion mbi tavolinë, Haki Çako dhe paraardhësit e tij e kanë pasur këtë informacion mbi tavolinë.

E kanë pasur në mënyrë zyrtare nga Shërbimi Informativ i Shtetit, e kanë pasur në mënyrë zyrtare nga shërbime të tjera inteligjente të huaja dhe institucione të tjera që nga Interpoli e Europoli. E kanë patur nga denoncimet e përditshme të opozitës, me emra, me fakte, me shifra dhe me data, e kanë patur këtë informacion nga media, gazetarë kurajozë të së cilës kanë shkuar dhe kanë rrezikuar edhe në parcela me kanabis për të treguar se realiteti ishte ky: Shqipëria e mbytur në drogë dhe jo mohimi i këtij problemi nga Edi Rama”, tha Basha.
Basha deklaroi se për shkak se është i kapur vetë në trafikun e drogës dhe është vetë në krye të tij, sot Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin, ka shkelur Rregulloren e Parlamentit, duke e kthyer Parlamentin në Gjykatë për të mbrojtur Saimir Tahirin. kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.
“Por Edi Rama dhe qeveria, kanë vendosur t’i varrosin këto fakte dhe këto fakte janë varrosur në Ministrinë e Brendshme. Këto fakte janë varrosur në kasafortën e kryeministrit për një arsye të vetme, sepse droga është bërë me dijeninë, bekimin dhe nën mbrojtjen e qeverisë dhe kryeministrit.

Kjo është arsyeja pse Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin, ka shkelur Rregulloren e Parlamentit, duke e kthyer Parlamentin në Gjykatë për të mbrojtur Saimir Tahirin kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.
Ndërhyrja e mazhorancës dhe ekzekutivit në skandalin Tahiraj–Habilaj, do të jetë po kështu pjesë e këtij hetimi parlamentar për të ekspozuar qartësisht, jo vetëm mekanizmin që çoi jo vetëm në kthimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, por dhe masat e dëshpëruara që ka marrë deri më sot Edi Rama dhe vazhdon të marrë që përgjegjësit të mos dalin para drejtësisë.
Duke nisur me Saimir Tahirin e duke vazhduar me oficerët më të lartë të policisë dhe përfituesit politikë, njerëzit që kanë ndarë paratë e drogës për të blerë zgjedhjet e 25 qershorit dhe jo vetëm, për të blerë pasuri brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ky do të jetë objekti i këtij Komisioni Hetimor parlamentar, kërkesa për të cilën dorëzohet sot”, tha Basha.
Kreu i PD sqaroi se në funksion të mbulimit të Tahirit, sot Rama ka kapur të gjitha institucionet e drejtësisë. Basha bëri të ditur se, Komisioni Hetimor nuk heton veprën penale, por heton përgjegjësinë e qeverisë dhe Parlamentit për të penguar në këtë rast hetimin. “Siç e ka penguar, tha Basha dhe çështë më e rëndësishmja përgjegjësitë e Edi Ramës dhe të institucioneve të Ministrisë së Brendshme, të Policisë, për injorimin e sinjalizimeve që vinin zyrtarisht, përsa i përket përfshirjes së policisë, së shtetit, politikanëve, pushtetarëve, ministrave në mbjelljen, kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri, tha kreu i PD.

Ai bëri të ditur se kjo do të hetohet dhe drejtësia e pavarur e pakapur do ta kishte zbardhur sot rastin “Tahiri” dhe përmes rastit “Tahiri” do të kishte vënë para përgjegjësisë të gjithë të tjerët që janë përgjegjës për kthimin e Shqipërisë në një “Kolumbi të Europës”, për këtë arsye Edi Rama është investuar. “Ka kapur prokurorin, ka shkatërruar Reformën në Drejtësi dhe tani nuk ka asnjë shans që rasti “Tahiri”, të zbardhet përmes drejtësisë, aq më shumë pas rrëmbimit të llogaritarit, njeriu, i cili do të depononte për shumat e përftuara nga Tahiri dhe nga politikanë të tjerë në aferën e bandës Habilaj. Ka dhjetëra banda të tjera, ka dhjetëra politikanë të tjerë, disa të tjerë si përshembull Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, janë denoncuar në media në komunikim me Klodian Zoton e inceneratorëve. Përsëri për shuma parashë dhe influenca të paligjshme të parave, dmth për blerje votash. Këto nuk mund të zbardhen sa kohë që drejtësia do të vazhdojë të jetë e kapur, sa kohë që Edi Rama dhe shpura e tij e banditëve në pushtet nuk do të vihen para përgjegjësisë. Komisioni Hetimor është një hap institucional, por jo i vetmi hap që ne do të hedhim, derisa t’i vëmë para përgjegjësisë këtë bandë që nuk e ka vendin në qeveri, por e kanë vendin para drejtësisë”, tha Basha.