HEC-et në Valbonë, qeveria e shurdhët ndaj banorëve dhe opinionit shkencor

142

“Na ishte një herë Valbona turistike…” kanë nisur ta thonë që tani ata që i janë rikthyer Alpeve të bukura shqiptare pas 2015-ës, kohë kur nisën të ndërtoheshin HEC-et në këtë zonë të mbrojtur.
Të shtunën (3.2.2018) gazetarët e Elementit të Pestë kanë publikuar një video ku duken ujërat e Çeremit teksa derdhen në rrugët e zonës dhe mbulojnë vendin me baltë.
Banorët thonë se për herë të parë, Lugina e Valbonës është përmbytur si pasojë e daljes nga shtrati të ujit të një prej degëve më të mëdha të Valbonës.
Ndërsa në një takim të zhvilluar në muajin dhjetor me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, banorët deklaruan se në fshatin Dragobi prej 4 muajsh mungon uji.
Po gjatë këtij takimi, ata shtuan se “kjo ka ndodhur për shkak të punimeve që janë duke u kryer për ndërtimin e hidrocentraleve, ku për pasojë janë devijuar burimet e ujit”.
Catherine Bohne, shtetase amerikane e cila e mrekulluar nga natyra e alpeve shqiptare ka vendosur ta kalojë jetën e saj në Valbonë, si përfaqësuese e organizatës “Toka”, pavarësisht gjendjes së krijuar, shprehet optimiste se kauza e Valbonës do të fitojë.
“Nëse do të hyjmë në BE, s’mund të ndërtojmë HEC-e në një Park Kombëtar. Sa kohë dhe sa kosto?! Janë 3 HEC-e në proces ndërtimi thotë qeveria. Janë dhënë në 2014-ën. Por është Park Kombëtar. Brenda në një gur shkruhet me bojë ‘Park Kombëtar”, shprehet Catherine Bohne.
Ajo rrëfen për Citizens Channel se, “në prill 2015 kemi shkuar për të pyetur dhe na kanë thënë që nuk është Park Kombëtar. Ne kuptuam atëherë se ajo që do të bëhet nuk është në interesin tonë. Ka ndryshim sensibilizimi për Parqet Kombëtare. Në Shqipëri janë thesar. Bukuritë e natyrës janë krenari. Me to mund të fitohet përmes zhvillimit të turizmit. Të huajt mrekullohen. Ata nuk interesohen për beton, por për natyrë. Duhet të jemi mbret në Europë me këtë natyrë. Unë mendoj se për 30 vite me këtë natyrë, Shqipëria bëhet një Zvicër e vogël”.
Sipas saj, zhvillimi i turizmit në këtë zonë është emergjent, mbi të gjitha për nivelin ekonomik të banorëve që jetojnë në varfëri.
“Si funksionon me Zonat e Mbrojtura në vendet e tjera? Atje krijohet shumë punë, fitim i madh. Banorët e Barjam Currit, aktualisht 69% e tyre jetojnë me asistencë prej 29 euro në muaj. Natyra duhet të jetë burim fitimi për këta banorë. Duhet menaxhuar interesi ekonomik. Nuk përzihet industria me natyrën. Do shkatërrohet. Nuk ka të mesme; ose është Zonë e Mbrojtur ose jo. Shpresë dhe aksion”, thotë Bohne.
Në rrëfimin e saj ajo citon se, “më 2016 mësuam nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit se do të ndërtoheshin 14 HEC-e në total”.
“Tani do të ndërtohen vetëm 6. Tre janë mbi lumë jashtë Zonës së Mbrojtur. Nuk ka VKM. Nuk jemi të sigurt. Mund të riaktivizohen. Nuk ka dokumente. Ndërtimi nuk ka vazhduar për mungesë fondesh, për këtë arsye janë ndërprerë punimet, por janë ende në tender. Janë aktiv. Është lojë. Ne nuk duam të ndërtohet asnjë HEC”, shprehet e shqetësuar Bohne.
Më datë 31 janar Organizata “Toka” dhe 27 banorë të zonës kanë nisur një luftë të re gjyqësore në mbrojtje të Valbonës. Ata kanë paraqitur në Gjykatën Administrative një kërkesë padi për të ndaluar ndërtimin e kompanisë Gener 2 të hidrocentralit “Dragobia Energy”.
Sipas paditësve kërkesa është e shoqëruar edhe me argument e fakte për dëmet që i janë shkaktuar deri më sot zonës. Ata thonë se, lufta për Valbonën do të vazhdojë me sloganin “Reforma në Drejtësi duhet të fillojë me Valbonën”.
Ndërkohë sipas një postimi në faqen zyrtare të shoqatës në Facebook, më date 3 shkurt 2018, “Shoqëria “DRAGOBIA ENERGY” ShPK dhe Shoqëria “GENER 2” ShPK kanë dorëzuar një kërkesë padi nëpërmjet të cilës kërkojnë nga Shoqata “TOKA” dhe Catherine Bohne dëmshpërblim në shumën 20,000,000 lekë “si rezulat i prishjes së imazhit nga deklaratat publike të shoqatës dhe të zonjës rreth realizimit të projektit “Dragobia”, për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës”.
Në të njëjtin postim Bohne deklaroi se, “pretendimet e Paditësve janë totalisht të pambështetura qoftë në ligj ashtu edhe në prova dhe janë të bindur se kjo është veç një përpjekje për t’i ndaluar ata që të kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, dhe se ata do të arrijnë t’i rrëzojnë këto pretendime të pabazuara në gjykatë”.

Çfarë thonë ekspertët?

Profesor Aleko Miho, biolog, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës thotë për Citizens Channel se shumë gjëra janë më keq se dy vite më parë.
“U kërkuan të ndërpriten punimet në Valbonë, ata po vazhdojnë brenda në Valbonë. Edhe në vende të tjera. Edhe pse janë HEC-e të vegjël, sërish dëmtojnë. Përsa i përket Vjosës, ka presion ndërkombëtar pasi konsiderohet një lumë i veçantë”, shprehet profesor Miho.
I të njëjtit mendim është edhe eksperti në fushën e mjedisit Sazan Guri. Sipas tij në Valbonë gjendja sa vjen e përkeqësohet dhe kjo është në dëm të natyrës, turizmit, banorëve të zonës dhe ekonomisë në tërësi.
“Valbona është Zonë e Kategorisë së Dytë me Shkallë të Parë të Mbrojtjes. Ndalohen deri në 15-20 elemente:hapje rrugësh, urash, tunele. Nuk thuhet HEC-e ose TEC-e, por 15 elemente që automatikisht ndalohen. Është fituar gjyqi nga biznesi. Janë tropojanë që ndërtojnë dhe tropojanë që mbrojnë tokën”, kështu e shpjegon situatën Sazan Guri.
Sipas tij, fitimet nga turizmi mund të jenë më të mëdha dhe referuar analizës së kostos është 2000 herë më e madhe se përfitimi nga HEC-et.
“Qeveria është e shurdhër ndaj opinionit shkencor dhe ndërkombëtar për zhvillimin e qëndrueshëm. E kemi detyrim nga neni 59 i Kushtetutës; nuk ndërtohet në Zonat e Mbrojtura dhe në Zona me vlera natyrore. Investimi duhet të jetë me interes ekonomik, por të mbrohet edhe natyra njëkohësisht”, thotë profesor Miho.
Sipas profesor Mihos “kapaciteti prodhues i përgjithshëm i këtyre HEC-ve është rreth 535 megavat. Kjo e gjitha është rreth 24% e kapacitetit të përgjithshëm prodhues (prej rreth 2,200 MW) që do të mund të prodhojë Shqipëria nëse do të ndërtohen të gjithë HEC-et e dhënë tashmë në koncesion. Por ndalimi i ndërtimit të tyre është çmimi që shoqëria jonë sot duhet të paguajë për qëndrueshmërinë – të balancojë me sukses zhvillimin shoqëror me atë ekonomik, dhe sëbashku edhe me shfrytëzimin me nikoqirllëk të pasurive natyrore në vend – si kërkohet për një zhvillim realisht të qëndrueshëm. Në fjalë më të thjeshta, zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton që ‘pjatën plot’ që të vihet përpara të mos ta mbarosh të gjithën, por ta ruash edhe për nesër, për vete dhe për ata që do të vijnë pas”.
Kjo mënyrë e ndërtimit të HEC-ve për të është paaftësi dhe makutëri për zhvillim të shpejtë, sepse zhvillimi i qëndrueshëm ka kosto. Burimet janë; energjia diellore, TAP-i dhe energjia termike. “Kjo është paaftësi dhe makutëri për zhvillim të shpejtë”, ngre zërin Miho duke përfunduar se në Zonat e Mbrojtura nuk duhet ndërtuar.

Autor: Sabina Veizaj