Gjiknuri lë të hapur mundësi për leje të HEC-eve mbi kanionet e Osumit

140

 

Ministri i Energjitikës ka lënë të hapur mundësinë e ndërtimit të HEC-eve mbi kanionet e Osumit duke deklaruar se ende nuk është vendosur për anullimin e kontratave të ndërtimit dhe se kjo mund të bëhet vetëm nëse provohet se ka manipulim të koordinatave.

-Të flasim për HEC-et mbi Osum, si qëndron e vërteta e kësaj çështje?
Leja e ndërtimit është dhënë në 2016. Ka një pretendim nga Ministria e Mjedisit dhe jemi shprehur që, nëse ka koordinata të rreme apo të dhëna të falsifikuara ka të drejtën të revokojë vendimet e dhëna nga KKRT-ja. Projekti nuk ishte në zonë të mbrojtur. Janë hedhur shumë spekulime, dhe t’i sqarojmë. Projekti nuk devijon ujëvarë, por vazhdon siç ka qenë. Unë nuk e di për çfarë projekti të manipuluar flitet. Unë di të dhënat për të cilat ka folur ministri i Mjedisit, dhe unë besoj se do vijohet në këtë drejtim deri në zbardhjen e plotë të rastit. Kam besim që Ministria e Mjedisit do t’i shkojë deri në fund çështjes. Sipas dokumentave që kanë sjellë Agjencitë përkatëse të Mjedisit, nuk ka probleme të tilla. Tashmë i takon Agjencive të Mjedisit ta zbulojnë këtë. Unë flas për rolin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ky institucion nuk bën vlerësime mjedisore, këtë e bën një institucion tjetër.

Gjiknuri e pranon: Në Theth do të ndërtohen 3 HEC-e
Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, deklaroi mbrëmjen e djeshme se, në zonën e Thethit do të ndërtohen 3 hidrocentrale. Gjiknuri teksa u pyet nga moderatorja Eni Vasili lidhur me këtë fakt, ai e konfirmoi, duke nënvizuar faktin se HEC-et nuk do të ndërtohen në zonë të mbrojtur. “Nuk kemi dhënë HEC në zonë të mbrojtur në Theth. Po do të ndërtohen. Por jo në zonë të mbrojtur, por larg saj”, tha shkurtimisht Gjinkuri.
Po ashtu, Gjiknuri u pyet edhe për HEC-et në Valbonë, ndërsa ai tha se: “Ju e merrni të gjithë zonën. Tek Osumi, në pjesën e poshtme të tij, nëse nuk ka lidhje me kanionin, ska lidhje. Për pjesën e Valbonës e kemi sqaruar. HEC ka marrë lejen dhe ka nisur puna. KKT ka dhënë lejen dhe atij projekti i kemi kushtuar vëmendje që të mos ketë impakt mjedisor”.
Kjo deklaratë vjen pas debateve që shkaktoi lajmi mbi ndërtimin e dy HEC-ve në kanionet e Skaparit, për të cilat kryeministri Edi Rama tha se janë konstatuar shkelje të koordinatave dhe se do të anulohen.