Artistët e Shkodrës dhe Vlorës i bashkohen protestës së Teatrit Kombëtar

82

Protestës së artistëve të Teatrit Kombëtar i janë bashkuar dje edhe artistët e Shkodrës dhe Vlorës, si dhe institucioneve të tjera kombëtare kulturore, Cirku Kombëtar dhe Teatri i Kukullave. Artistët e Teatrit hynë me forcë dje në godinën e Teatrit Kombëtar, pasi dera e Teatrit ishte kyçur me urdhër nga lart. Artistët janë ngritur në protestë kundër zhvendosjes së Teatrit, siç parashikohet në pr/ligjin e kundërshtuar prej tyre. Ata kanë protestuar sërish dhe me shumë vështirësi kanë mundur të hyjnë deri në hollin e Teatrit Kombëtar. Ata kërkojnë transparencë për gjithçka dhe kërkojnë takim me Kumbaron. “I bëjmë thirrje ministres Kumbaro që t’u përgjigjet kërkesave tona, të bëhet çdo gjë transparente, pasi e-mailet që supuzohet të jenë dërguar, nuk na kanë ardhur”, u shprehën artistët.
Artistët kërkojnë që me ministren e Kulturës të takohen vetëm në Teatrin Kombëtar. Ftesa e Mirela Kumbaros për bisedë me ta është të mërkurën në orën 16:00, në institucionin që ajo drejton, pa praninë e mediave, por që është kundërshtuar nga artistët. Qëndrimin e tyre e dhanë pas një konference-protestë të mbajtur në hollin e Teatrit Kombëtar. “Jo në zyrë, por në teatër. Të presim zonja ministre”, tha Arben Derhemi.
Për shkak se dera për në sallën e Teatrit Kombëtar ishte e mbyllur, pasi fillimisht aktorët e regjisorët e teatrit duhet të pajiseshin me leje nga Drejtoria e Teatrit Kombëtar, protesta u mbajt në holl. Asaj iu bashkuan edhe dramaturgë, aktorë e regjisorë nga Shkodra dhe Vlora dhe institucioneve të tjera kombëtare kulturore, Cirku Kombëtar dhe Teatri i Kukullave.
“Neve na fusin në vërën e miut, atje te hidrocentrali”, tha Bujar Asqeriu. “Nuk kemi foni, nuk kemi ndriçim, nuk kemi karrige, nuk kemi ngrohje. E megjithatë bëjmë Teatër”, tha Rita Gjeka.
“Kontratat e punës që pretendon ministrja e Kulturës që ka sjellë një risi në këtë vend, janë litari që u është vënë në fyt të gjithë artistëve”, tha Shegushe Bebeti.
Peticioni për anulimin e vendimit për zhvendosjen e trupës së Teatrit Kombëtar te “Turbina” është firmosur deri më tani nga mbi 4 mijë qytetarë, ndërkohë që u hodh propozimi që në adresë të Parlamentit, artistët të nisin një kërkesë të argumentuar për anulimin e projektligjit për artin dhe kulturën.
Në lidhje me ndërtimin e Kullës, Kumbaro tha më herët se po mbarojnë punimet në qendrën e artit e pagëzuar me emrin Turbina. “Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e Teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do të vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti, por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe ne këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”.

Revolta e artistëve

Zhvendosja e Teatrit Kombëtar nga godina ekzistuese drejt godinës së qendrës multifunksionale “Turbina” ka hasur në kundërshti të forta nga artistët e teatrit. Artistët pretendojnë se zhvendosja e Teatrit Kombëtar drejt qendrës “Turbina” deri sa të jetë gati projekti për një teatër të ri, fsheh pas një nga taktikat e njohura të qeverisjes së socialistëve “Ndërtimin e kullave”. Në deklaratën e tij para mediave, artisti Robert Ndrenika tha:“Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh çfarë do bëhet me të. Ajo është pronë e jona, e juaja. Të bëjnë kullë, të bëjnë kulla, dhe në këto kulla aneks të jetë dhe teatri”.
Ndërsa ministrja Mirela Kumbaro e pyetur lidhur me deklaratën e artistëve për ndërtimin e kullës ka thënë: “Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti, por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe ne këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”, tha ministrja.
Në ndryshimet e propozuara nga Ministria e Kulturës, në projektligjin e bërë publik në 15 janar 2018, thuhet gjithashtu se Qendra Kombëtare e Kinematografisë do kalojë nën varësinë e Ministrisë së Kulturës.