2 shkurt 2018, grusht shteti në Shqipëri!

370

Erl Kodra

Sipas gjuhës shqipe, fjala “marrëveshje” në kuptimin e parë të saj, nënkupton “marrjen vesh” mes dy njerëzve ose dy palëve për të ra në një mendje për një problem të caktuar, biznes, apo edhe marrëdhënie shoqërore. Zakonisht marrëveshjet kanë vlerë në marrëdheniet civile në shoqëri, ku thelbi i saj është zotimi i palëve për të dizajnuar çdo “dhënie-marrje” sipas disa rregullave të shkruara, për të cilat palët kanë shprehur vullnetin se do t’u përmbahen në të ardhmen.
Sigurisht, çdo marrëveshje duhet t’u përmbahet normave morale dhe ligjeve të vendit, përndryshe, “marrëveshjet” e nënshkruara në kundërshtim me këto norma dhe ligje jo vetëm që nuk mund të zbatohen, por këto lloj “kontratash” mund të jenë objekt i ndjekjes penale të palëve të përfshira në këto lloj aferash jashtë ligjore.
Çdo shtet ndërtohet mbi “marrëveshje” të forta, për të cilat është ra dakort nga shumica e shoqërisë. Këto lloj “marrëveshjesh” janë Ligje mbi ligjet e zakonshme, ato prevalojnë mbi çdo rregull ose ligj tjetër. Edhe ne shqiptarët e kemi “marrëveshjen” tonë, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kjo është nëna e të gjitha marrëveshjeve, që nënkupton zotimin tonë para Zotit dhe flamurit se për asnjë arsye, nuk do ta shkelim ose përdhosim atë, për më tepër me vetëdije të tradhëtojmë ose të shkelim ndonjë nen të saj.
Kushtetua e Republikës së Shqipërisë është Ligji prej nga burojnë të gjitha ligjet e tjera që rregullojnë jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Për këtë arsye, Kushtetuta e Republikës në pjesën e parë parashtron “Parimet Themelore” mbi të cilat ngrihet gjithë struktura dhe forma e qeverisjes së vendit. Nen pas Neni, pikë pas pike, paragraf pas paragrafi, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon në mënyrë të qartë, pa asnjë mundësi keqintepretimi mënyrën dhe formën e qeverisjes.
Zakonisht, Ligjet Kushtetuese të çdo vendi janë të formuluara qartë dhe thjeshtë, pa ngarkesa të mëdha fjalori dhe kuptimi akademik, në mënyrë që Ligji Themeltar i shtetit të jetë sa më i kuptueshëm për të gjithë shoqërinë. Për fat të mirë, edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka këtë thjeshtësi në formulim dhe intepretim në pjesë të rëndësishme të saj, përjashto këtu ndryshimet e fundit kushtetuese të 22 korrikut 2016. Këto ndryshime në thelb janë edhe një kaos gjuhësor dhe kuptimor, edhe për specialist të gjuhës shqipe dhe për juristët. Për më tepër, për pjesën dërrmuese të shoqërisë shqiptare, këto ndryshime përkthehen në fjalë krejtësisht të pakuptueshme, me të cilat politikanët mund të manipulojnë dhe të deformojnë seriozisht thelbin e tyre. Ky është një problem serioz për Kushtetutën tonë.
Për t’u rikthyer tek fjala “marrëveshje” me të cilën u nis ky tekst, është krejt e pamundur që konceptet kushtetuese të lënë vend për dyzime ose për hapësira të tjera, ku mund të “mbijnë marrëveshje ndërinstitucionale mes institucioneve kushtetutese”, siç ishte Marrëveshja mes Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kjo “Marrëveshje” në thelb është jo thjeshtë një “shkelje kushtetuese”, po në të vertetë ajo është një puç kushtetues, ose e thënë qartë edhe juridikisht, “Marrëveshja Xhafaj – Marku” është një Grusht i pastër shteti, që synon zëvendësimin, uzurpimin, dhe tjetërsimin e institucioneve kushtetuese, për pasojë, edhe zhbërjen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, fakt ky, që rrezikon seriozisht rendin dhe sigurinë publike. Kjo “Marrëveshje” në thelb është një “bombë kushtetuese”, që mund të hedhë në erë themelet dhe ekzistencën e shtetit shqiptar, ashtu siç e kemi njohur këto 27 vite demokraci.
Që në kohët e lashta dhe deri në ditët tona, janë me mijëra rastet e përpjekjeve për grusht shteti, shpesh herë me sukses të plotë, që janë ideuar dhe organizuar nga forcat e sigurisë ose forcat ushtarake. Në të vërtetë, ato më tipiket janë grushtet e shtetit të ideuara dhe të zbatuara nga “Ministria e Brendshme” ose nga segmente të Policisë. Kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë; ministri i Bujqësisë ose ministri i Kulturës nuk ka mjete dhe logjistikë, burime njerëzore dhe informacion në dispozicion, por të gjitha këto i ka ministri i Brendshëm. Për këto arsye, por edhe duke patur parasysh jo vetëm të kaluarën tonë totalitare, por dhe rrethanat specifike aktuale, kur institucionet kushtetuese, themelore për një demokraci të ligjit (Reforma në Drejtësi) janë në ndërtim e sipër, “Marrëveshja Xhafaj – Marku” në fakt është grusht shteti. Dhe ja pse.
1. Kushtetuta nuk mund të dublohet nga asnjë marrëveshje jashtë ligjore, jashtë shinave kushtetuese, ose jashtë rrugës ligjore që parasheh Kushtetuta. Të gjithë rregullimin e marrëdhënieve të institucioneve kushtetuese e rregullon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, sipas frymës kushtetuese, të miratuara me shumicë nga Parlamenti i Shqipërisë. Për më tepër, kur institucione të posaçme janë në ndërtim e sipër, dhe të parapara nga Ligji Kushtetues për mënyrën e ngritjes dhe të funksionimit, çdo “marrëveshje” jashtë rrugëve ligjore mes këtyre institucioneve kushtetuese është shkelje flagrante e rendit kushtetues dhe sigurisë publike.
2. Funksionimi ndërinstitucional është i rregulluar me ligj, i cili është votuar në Parlament. Këto koncepte (probleme) kanë të bëjnë me Liritë dhe të Drejtat Themore të Njeriut, që janë pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë. Ndaj ngritja dhe “institucionalizimi” i Strukturave të Posaçme të Hetimit dhe Agjensive të Zbatimit të Ligjit në Shqipëri nuk mund të bëhet jashtë rrugëve Kushtetuese. Këto “instrumenta institucionale” në thelb janë “armët e shtetit” për të luftuar Krimin e Organizuar. Por nëse këto armë, që në fakt janë “instrumenta” jashtë Ligjit dhe Kushtetutës, ndodhen në duart e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme (69 votëshe) dhe të Kryeministrit Edi Rama, atëherë këto “Marrëveshje mes palëve për të ngritur institucione (?!)” janë bomba atomike mbi të cilat është ulur Siguria Kombëtare!
3. Lehtësia proverbiale me të cilën ne shqiptarët “i përcjellim” zhvillime të tilla të rrezikshme është në kufijtë e të pabesueshmes. Por mbi të gjitha, heshtja e kobshme e “klasës intelektuale” që fle mbi dafinat e kompromiseve është çmerituese. Zëra të spikatur të opinionit publik, shkrimtarë, gazetarë, aktorë të politikës dhe të “shoqërisë civile”, sot duhet të ishin në këmbë për të mbrojtur vlerat e Kushtetutës së Republikës. Këtu nuk është fjala për “shenja shqetësuese” totalitarizmi dhe rrugët ekstra ligjore, por këtu bëhet fjalë për “Ngritje institucionesh paralele me institucionet Kushtetuese” që do të jenë armë të kalibrit të rëndë në duart e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe të Kryeministrit Edi Rama.
4. Kryeministri Edi Rama ndodhet në një moment tejet delikat të karrierës së tij politike dhe jo vetëm. Jo vetëm, sepse Kryeministri Edi Rama, punët e shtetit dhe të qeverisjes i ka bërë njësh me punët e tij private dhe me punët e mafies. Ish-ministri i tij i Brendshëm, Saimir Tahiri hetohet për pjesëmarrje dhe drejtim në një organizate mafioze që merrej me trafikun e drogës; vet Kryeministri Edi Rama me dijeninë e tij të plotë “legalizoi” mbjelljen masive të drogës dhe trafikun e saj në Shqipëri gjatë viteve 2015, 2016, 2017. Kryeministri Edi Rama lehtësisht mund të përkufizohet si “Kryeministri i Drogës, Kriminelëve dhe Korrupsionit”, dhe kurrsesi si Kryeministri i Shqipërisë. Për këto arsye dhe të tjera, por mbi të gjitha për faktin se tashmë, me lehtësinë më të çmendur “Marrëveshja Xhafaj – Marku” brenda 5 ditëve do të pjellë një “institucion” ekstra ligjor, është detyrë, jo thirrje, por detyrë ndaj Shqipërisë dhe fateve të saj, që shqiptarët të mbrojnë shtetin dhe Kushtetutën e tyre nga Kumbara Edi Rama.