Spekulime të shumta për vrasjen e Ivanoviçit

107

Veriu i Kosovës është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit edhe përmes lumit Ibër. Rajoni i mjaftpërmendur për shkak se as Prishtina dhe as ndërkombëtarët nuk kanë kontroll të vërtetë në rajon. Fjalën e kanë aty njerëz në prapaskenë të Beogradit dhe kriminaliteti i organizuar. Një sipërfaqe prej 1.300 kilometra kuadrat, ku gjithsecili njeh tjetrin.
Dhe të gjithë e njihnin Oliver Ivanoviçin. Të martën në mëngjes një nga politikanët më të njohur serbë u vra para qendrës së Partisë Liri, Demokraci, Drejtësi. Mënyra e vrasjes të kujton metodat mafioze. Gjashtë plumba në gjoks, u qëllua mesa duket me silenciator. Më vonë një “Opel Astra” u gjend i djegur një kilometër larg vendit të ngjarjes.

Politikan me shumë armiq
Të duket si një nga ato ekzekutime që nuk zbardhen dot kurrë. Aq më shumë lulëzojnë tani spekulimet. Ivanoviç kishte sigurisht shumë armiq. “Kam frikë, se kjo gjendje e paqëndrueshme do të bëjë që të bëhen viktimë të pafajshmit. Dhe thënë hapur, kam frikë për sigurinë time”, tha ai të premten e shkuar. Në korrik të vitit të kaluar makinës së tij iu vu zjarri. “Mesazhin e kam kuptuar, mos kandido në zgjedhjet lokale në tetor”, tha ai në intervistë me “DW”. Duket sikur dhuna kundër serbëve në veri nuk vjen nga shqiptarët, por nga “ekstremistët serbë”.
Momçilo Trajkoviç”, një tjetër politikan serb nga Mitrovica e quan vrasjen e Ivanoviçit “një tragjedi. Ivanoviç ishte një njeri i kompromisit”. Trajkoviç nuk thotë gjë për autorët, por se autorëve të krimit u ka ikur arsyeja.

Fajësime të dyanshme
Mentaliteti politik i serbëve të Kosovës si “opozitarë politikë” duket në realitet si një fjali me nënkuptim. Partia “Lista Serbe” është një degë e Partisë së Progresit nga Serbia dhe komandohet nga Beogradi. Aleksander Vuçiç hapur e mbështeti Listën Serbe, ndërkohë që njerëzit e tij dhe televizione të afërta me qeverinë, çdo lloj opozite serbe në Kosovë, sidomos Ivanoviçin, e cilësonin si tradhtar dhe mik të shqiptarëve. Shumë nga bashkëluftëtarët e tij u tërhoqën nga zgjedhjet për shkak të presionit. Ivanoviç doli në zgjedhje, por humbi dukshëm.
Politikani opozitar serb, Dordje Vukadinoviç shprehet se “nuk e di kush e ka vrarë Oliverin, por ne të gjithë e dimë, se kush e ka bërë atë tabelë qitjeje”. Edhe politikanë të tjerë opozitarë nga Serbia janë shprehur në të njëjtin ton. Tenori i përbashkët -regjimi i Vuçiçit që vendos çdo gjë për serbët në Kosovë dhe me deklaratat që bën i le kundërshtarët politikë të pambrojtur nga dhuna.
Vetë Vuçiç e cilësoi likuidimin e tij si “akt terrorist” dhe paralajmëroi Prishtinën dhe ndërkombëtarët që vrasjen ta shohin si rast që të hyjnë me trupa në veriun e Kosovës. Edhe shumë media nga Kosova të lenë të kuptosh, se me gjasë Ivanoviç është viktimë e përçarjeve brenda serbe. Politikani i njohur Azem Vllasi fajësoi “ekstremistët serbë dhe rusë që lëvizin të lirë në veri”. Beogradi do të përpiqet t’ua hedhë fajin shqiptarëve “për të paraqitur para bashkësisë ndërkombëtare se serbët rrezikohen nga shqiptarët”, por prova ai nuk sjell.
Atentati u zhvillua në një moment delikat. Pas një viti heshtjeje për dialogun mes Prishtinës e Beogradfit, sërish ndërmjetësuesit u takuan në Prishtinë. Pala serbe i ndërpreu bisedimet pas vrasjes.

Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç bisedë telefonike për Oliver Ivanoviç
Të mërkurën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar me telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një postim në rrjetet sociale ai tha se përveç çështjeve të interesit të përbashkët në bisedë “një çështje e veçantë, e cila është diskutuar ishte edhe vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” Oliver Ivanoviç. Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të Prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”.
Në njoftimin e presidentin Thaçi thuhet se “organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje.
Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë e mjaftueshme që organet kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryesve të kësaj vrasjeje, theksuan të dy presidentët”, thuhet në postimin e presidentit Thaçi.
Disa ditë më parë, politikani lokal serb Oliver Ivanoviç u qëllua me armë zjarri në veriun e Mitrovicës. Oliver Ivanoviç, i cili udhëhiqte nismën qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u qëllua para zyrës së tij në mëngjesin e së martës.
Policia e Kosovës tha se po vazhdojnë hetimet lidhur me vrasjen, ndërsa bëri të ditur se është duke shikuar regjistrimet e kamerave të sigurisë që ishin të vendosura në zyrën e të ndjerit, por edhe përreth, në përpjekje për të ndriçuar rastin.
Vrasja e Oliver Ivanoviç ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe Serbi ndërsa ngriti shqetësime për rritjen e tensioneve ndër etnike në vend.
Beogradi ndërpreu të martën bisedimet teknike me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi një vizitë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë pas vrasjes së djeshme. Qeveria e Kosovës i ka dhënë lejen për këtë vizitë.